Distancimi fizik “i tremb” bizneset

Ekonomi

Distancimi fizik “i tremb” bizneset

Më: 25 prill 2020 Në ora: 16:48
Disa njerëz duke mbajtur distancë fizike nga njëri-tjetri. Foto nga arkivi.

Ruajtja e distancës fizike mbi një metër, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pritet të mbetet në fuqi për një kohë më të gjatë, sesa masat e tjera.

Shumë vende në botë kanë nisur ose janë duke planifikuar lehtësimin e izolimit, duke hapur dyqane të vogla, kopshte fëmijësh apo kompani ndërtimi, por kërkojnë që distancimi fizik mes njerëzve të vazhdojë të respektohet.

Zbatimi i kësaj mase që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është më i vështirë në kompanitë ku numri i punëtorëve është me dhjetëra ose qindra.

Kjo nënkupton që të sigurohet hapësira e rekomanduar për ta ose të zvogëlohet numri i tyre.

Kompania ‘Stone Castle’ në Rahovec të Kosovës, e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike, thotë se ka shënuar humbje të mëdha financiare, prejse autoritetet kanë nisur zbatimin e masave kufizuese, duke mbyllur, mes tjerash, edhe veprimtaritë hoteliere.

Eksporti i saj po ashtu është zvogëluar si pasojë e kufizimeve të lëvizjes ndërshtetërore.

Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në ‘Stone Castle’, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbjet e kësaj kompanie do të vazhdojnë, nëse ruajtja e distancës fizike duhet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

“Nëse vazhdon masa për mbajtjen e distancës fizike [deri] në 2 metra, puna në prodhimtari do të zhvillohet me ritëm më të ngadalshëm, mirëpo besoj që organizohet ashtu siç kërkohet. Ndërsa, për sektorin e vreshtarisë besoj që paraqet më pak vështirësi organizimi i punës në distancë, në ambient të hapur”, thotë Kurshumlija.

Në kompaninë ‘Stone Castle’ janë të punësuar rreth 250 punëtorë të rregullt, ndërsa numri i punëtorëve sezonalë gjatë vitit arrin deri në 500, varësisht prej nevojave dhe aktiviteteve në vreshtari.

Kurshumija thotë se ruajtja e distancës fizike do t’i vështirësojë apo pamundësojë edhe takimet me partnerët afaristë, që, sipas saj, janë pjesë esenciale për aktivitetet e kompanisë.

Në Kosovë, ku janë të konfirmuara qindra raste të të infektuarve me koronavirus, autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë lehtësimi i masave kufizuese. Dhe, kjo i shqetëson bizneset.

“Problemet dhe vështirësitë më të theksuara do të paraqiten nëse masat do të zgjasin shumë. Nëse restorantet, kafeteritë dhe hoteleritë do të jenë të fundit në renditjen e hapjes së bizneseve, sigurisht se do të kemi vështirësi, sepse na pamundësohet shitja e produkteve”, thotë Kurshumlija.

Vjelja e rrushit në kompaninë ‘Stone Castle’ bëhet me dorë dhe nis në fillim të muajit shtator dhe përfundon në gjysmën e dytë të tetorit.

Distancimi fizik nuk dihet se kur mund të hiqet

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk dihet se kur mund të lehtësohet masa e distancimit fizik.

Sipas tij, në Kosovë nuk janë testuar shumë njerëz për koronavirus dhe nuk ka ende një plan për të testuar imunitetin e krijuar eventual të popullatës në nivel vendi.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë, nga data 8 shkurt deri më 23 prill, 2020, janë testuar gjithsej 5,890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri.

“Ne e dimë se ky infeksion (koronavirusi), në raste të caktuara, mund të kalojë në forma të lehta dhe pa simptoma te personat e infektuar, por nuk e dimë se sa mund të jetë ky imunitet në masën e përgjithshme. Megjithatë, nëse një imunitet i tillë krijohet në masën 50 apo mbi 60 për qind të popullatës, atëherë koha do të shkurtohej shumë për zbatimin e masës së ruajtjes së distancës fizike”, thotë Krasniqi.

Mikrobiologu Lul Raka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 mars, ka thënë se nga përvoja me sëmundjet e tjera pandemike, duhet të kalojnë së paku gjashtë muaj për të hulumtuar përgjigjen imunologjike të popullatës së prekur.

Rukiqi: Të parandalohet falimentimi i bizneseve

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ruajtja e distancës fizike edhe për një kohë të gjatë, do t’i vë në vështirësi edhe më të mëdha bizneset, andaj, sipas tij, autoritetet përgjegjëse duhet të hartojnë plane.

“Në shumë biznese të sektorëve ku nuk lejohet masë e madhe e njerëzve, do të ketë probleme dhe [ne] duhet ta kemi aty fokusin, se si të ruhet ai biznes ose së paku të minimizohen dëmet, të mos lejohet falimentimi i atyre sektorëve. Kërkohet një plan i qartë. Nëse ia lëmë rastit këtë, sigurisht që do të ballafaqohemi me probleme”, thotë Rukiqi.

Nëse një biznes falimenton, Rukiqi paralajmëron se do të jetë shumë e vështirë për të që të kthehet në treg.

Përfaqësues të bizneseve kanë folur për dëme të mëdha ekonomike, por në vlera monetare ende nuk dihet një shifër e saktë.

Kjo vlerë e saktë e humbjeve, sipas Rukiqit, do të publikohet pasi të jenë zbutur masat kufizuese dhe të fillojë mbledhja e të dhënave për çdo sektor.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka paraparë një pako të veçantë fiskale, e cila në fokus do ta ketë rimëkëmbjen ekonomike.

Kosova tashmë ka filluar të zbatojë një pako emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, për të ndihmuar bizneset.

Nga kjo shumë, 10 milionë euro janë ndarë për eksportuesit, 15 milionë euro garanci kreditore, deri në 10 mijë euro për mikro-ndërmarrjet dhe të vetëpunësuarit dhe disa masa tjera lehtësuese.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, ka paralajmëruar se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat