​OEMV: Për sjelljen e qytetarëve duhet të merren organet e rendit e jo bizneset

Ekonomi

​OEMV: Për sjelljen e qytetarëve duhet të merren organet e rendit e jo bizneset

Më: 27 prill 2020 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka reaguar ndaj masave të fundit të këtij vendi për gjobitjen e subjekteve afariste dhe juridike, në rast se në hapësirat e tyre hyjnë konsumatorët pa pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nxjerrë dekretligjin i cili parasheh gjoba në vlerë 2000 euro për subjektet juridike dhe 500 euro për përgjegjësin e hapësirës afariste në rast se lejojnë që në hapësirat e tyre afariste të hyjnë konsumatorë pa pajisje mbrojtëse.

OEMVP vlerëson se dekretligji për mbajtjen e mbrojtjes personale në fytyrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe mbrojtjen e popullatës në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe pse në parim synon mbrojtjen e shëndetit publik, është i papranueshëm për komunitetin e biznesit.

Për më tepër, OEMVP kërkon që për sjelljen dhe disiplinën e qytetarëve duhet të merren organet përkatëse të rendit e jo bizneset.

“Obligimi sipas nenit 3 të dekretligjit që kompanitë të kujdesen për sjelljen e qytetarëve në aspekt të mbajtjes së maskave mbrojtëse, është ngarkesë shtesë që asnjë biznes nuk mundet ta bartë, e me ç’rast rrezikohen të gjithë bizneset e më së shumti ato mikro dhe të vogla, të cilat janë edhe më shumë të rrezikuara në kohën e pandemisë”, thuhet në komunikatë.

OEMVP bën thirrje që në përputhje me nenin 4 të dekretligjit, obligimi për mbikëqyrje të zbatimit të dispozitave të këtij akti të bjerë në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe jo të bëhet barrë e kompanive, në mënyrë që të minimizohet mundësia e dënimit të kompanive, të cilat janë burimi i vetëm i të hyrave të këtij shteti në këtë periudhë krize.

OEMVP zotohet se do të përkrahë iniciativat për rritjen e nivelit të sigurisë, por kërkon që kjo të bëhet paraprakisht duke u konsultuar me odat ekonomike, me qëllim të zbatimit praktik të vendimeve dhe evitimit të dëmeve që mund të vijnë si pasojë e sjelljes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat