1 muaj nga heqja e taksës 100%, në Kosovë kanë hyrë 16 milionë euro mallra

Ekonomi

1 muaj nga heqja e taksës 100%, në Kosovë kanë hyrë 16 milionë euro mallra

Më: 1 maj 2020 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Sot janë bërë një muaj qysh nga heqja e taksës dhe vendosjes së reciprocitetit me Serbinë.

Qysh nga 1 prilli në Kosovë nga Serbia kanë hyrë mallra në vlerë prej 16 milionë euro teksa eksporti ka arritur në 6.5 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i ka thënë portalit se shumica e këtyre mallrave i përkasin industrisë ushqimore, kimike dhe ndërtimore.

“Nga 1 prilli e deri tani kemi import rreth 16 milionë euro vlerë të mallrave derisa eksporti ynë në Serbi ka arritur në 6.5 milionë euro. Mallrat kryesisht janë të industrisë ushqimore, kimike dhe ndërtimore”, ka thënë Stavileci.

Për sa i përket numrit të mauneve që kanë hyrë në Kosovë, Stavileci ka theksuar se janë gjithsej 2 mijë e 200 sosh.

“Deri tani në Kosovë kanë hyrë rreth 2 mijë e 200 dërgesa”, ka konfirmuar ai.

Në ndërkohë me 1 prill të këtij viti kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati vendosur për të hequr taksën 100% ndaj Serbisë, kundrejt reciprocitetit. Kjo masë do të vlejë deri më 15 qershor, kur edhe pritet që të rishqyrtohen rrethanat nëse do të hiqet tërësisht kjo masë, ose që të rikthehet e njëjta.

Në ndërkohë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës kjo masë është hequr tërësisht dhe pa asnjë shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat