​Krasniqi: Institucionet të janë “syhapur”, ekonomia do të ketë goditje katastrofale

Ekonomi

​Krasniqi: Institucionet të janë “syhapur”, ekonomia do të ketë goditje katastrofale

Më: 3 maj 2020 Në ora: 12:56
Plantacionet e mollave të familjes Krasniqi

Në mbi 120 hektarë tokë rrëzë bjeshkëve të Junikut shtrihen plantacionet e mollave të familjes Krasniqi. Duke qenë në një zonë shumë të pjellshme të vendit, ata kultivojnë mollë, qershi, vishnje, boronicë, dredhëza. Por nuk mjafton me kaq. Kjo familja Krasniqi kanë ndërtuar fermën e racës së rrallë të demave “Angus Argentino”, si dhe një fabrikë për gypat e ujit.

Përmes këtyre investimeve, ata sollën cilësinë gjermane të produkteve me synimin për të kontribuar në ekonominë e Kosovës. Për këtë të fundit po u bëjnë thirrje institucioneve që të jenë “syhapur”, ngase si shkak i situatës pandemike do të ketë dëmtim enorm.

Agron Krasniqi që la anash profesionin e aktrimit dhe jetesën në Gjermani për t'iu përkushtuar biznesit të familjes, tregon për historikun e investimeve që nisi me 40 hektarë tokë. Duke investuar kështu në tri drejtime, kjo familje krijoi vende të reja të punës, ndërsa vendi përfitoi kompanitë serioze si “German Plast”, "Joos Krasniqi” e “Luna Group”.

Në plantacionet e kësaj familje sot kultivohet molla, qershia, vishnja, boronica e dredhëza, ndërsa vet Agroni kthehet 12 vite përpara në kohë, më 2008 kur së bashku me vëllezërit vendosën që të investonin në Kosovë.

Krasniqi: E nisëm me 40 hektarë, gradualisht filluam edhe investimet në ndërtimtari

“Kjo ka ndodhur rasisht në vitin 2008, fatmirësisht ne erdhëm për pushime në atë periudhë kohore me dy vëllezërit, në atë periudhë kohore kemi jetuar bashkë me dy vëllezërit në Gjermani. Dhe në Kosovë kish filluar faza e privatizimit të tokave bujqësore që ka qenë dikur ish- 'Ereniku' i Gjakovës. Një prej shokëve tanë e ka privatizuar një pjesë të madhe të kësaj toke. Mandej vendosëm me ble një pjesë të tokës, fillimisht 40 hektarë dhe filluam gradualisht investimet paralelisht me ndërtimtari, i cili ka qenë zanati ynë i vjetër dhe në bujqësi, por me një hap shumë të ngadaltë”, tregon ai.

Image

Vëllezërit Krasniqi sot posedojnë edhe pikën e grumbullimit të mollave. Aty arrihet të grumbullohet deri në 1 mijë ton sasi molle. Frutat që mblidhen ruhen në temperaturë 3 gradë celsius.

Me kalimin e viteve, u zgjeruan edhe hektarët me të mbjella, duke filluar nga molla, pastaj boronica, vishnja e qershia e ëmbël. Frutat që rriten në tokën e Kosovës nga kjo familje, Agroni thotë se eksportohen në shumë vende të Evropës.

Tashmë ato janë në tryezat e shumë familjeve në Gjermani, Holandë, Zvicër e së shpejti edhe Suedi.

Image

Krasniqi: Fokusohemi në prodhim për tryezë

“Qershinë e kemi eksportuar në Gjermani, Holandë, boronicën në Holandë kryesisht, një pjesë të vogël në Zvicër. Këtë vit target e kemi edhe Suedinë është një treg i ri që na u ka paraqitur këto ditë. Molla është kryesisht për Gjermaninë, kemi disa pika shitëse në Berlin, në Stutgart dhe Dyseldorf. Kryesisht ne jemi prodhues që fokusohemi 100 për qind në produkte tryeze. Nuk jemi prodhues industrial, por jemi prodhues që i kemi klasat pak më të larta. Fokusohemi direkt në prodhim për tryezë”, tregon Krasniqi.

Për kultivimin e këtyre kulturave të ndryshme bujqësore në tokën pjellore të qytetit të vogël piktoresk të Junikut punojnë shumë vajza, djem dhe gra e burra.

Mbi 60 përqind janë gra e vajza të reja të punësuara vetëm në sektorin e bujqësisë.

Krasniqi: 120 punëtorë deri në 200 punojnë gjatë sezonit

“Këto momente duhet të jetë numri në bujqësi 20-30, mirëpo gjatë sezonit të verës ky numër normalisht që shumëfishohet për shkak të sezonit të vjeljes. Mirëpo, në përgjithësi si familje në Junik, numri shkon prej 120 punëtorëve deri në 200 gjatë sezonit. Ideja kur kemi ardhur në fillim nuk e kemi pritur, kemi menduar që të jemi të fokusuar në 50 punëtorë me e menaxhua prej Evropës, kemi menduar krejt diçka ndryshe, mirëpo duke e parë dinamikën e zhvillimit edhe rritjes të sipërfaqes së tokës 100 hektarë, ndoshta edhe më shumë, ne kemi ndërruar qasjen”, tregon ndër të tjera Krasniqi.

Image

Ashtu sikurse në të gjithë botën, edhe vendi ynë është prekur nga sëmundja COVID-19. Kjo ka paralizuar jetën normale në të gjitha vendet, duke prekur pashmangshëm edhe bizneset.

Agron Krasniqi tërheq vëmendjen se dëmet janë të mëdha, ndërsa apelon autoritetet që të jenë “sy-hapur”, pasi kjo sëmundje mund t'i japë një goditje katastrofale ekonomisë së vendit.

Krasniqi: Dëmtimi është enorm

“Dëmtimi është enorm, sot si pronarë të shtinë me mendua në faza të gjata. Realisht bujqësia nuk e ka ndje fort për shkak se njerëzit duhet të ushqehen, por i ka pasur edhe kjo hendikepet e veta për shkak se shkoj një periudhë shumë e gjatë kohore dhe qeveritë nuk ditën se çfarë me vendos. Unë bëjë thirrje që të jenë shumë të kujdesshme për shkak se kjo nuk ka kohë me të prit. Këtu në qoftë se nuk e trajton e hup vitin. Edhe sa i përket bizneseve të tjera unë kam thënë Kosova duhet të hap sytë urgjent dhe të kërkoj ndihmë ndërkombëtare për shkak se bizneset e Kosovës kanë qenë fillestare, e në qoftë se vendosim me mbet kështu në mëshirën e fatit ky virus ka me sjell përmasa katastrofale në ekonomi. Unë mendoj që dëmi do të jetë shumë më shumë ekonomik se sa shëndetësor”, thekson Krasniqi.

Derisa flet për gjithë këto investime që ka bërë në vendin e tij të lindjes, Agroni mendon se kthimi i tij në Kosovë është një prej vendimeve më të mira.

Krasniqi: Njerëzit kanë ardhur me na luftua që të na i marrin vendin

“Në qoftë se në Kosovë kushton një hektar tokë në mes 20 mijë euro, dhe një punëtor merr rreth 500 euro rrogë, dhe nxjerrin fitim që në Gjermani e Itali e kanë gjashtë fish më shtrenjtë e çmimin e njëjtë, unë nuk shoh kurrfarë logjike tjetër përpos me ardhur me investua edhe me ec përpara. Natyra është fenomenale…Duhet me i thirr mendjes edhe me kuptua pse na kanë luftuar kaq shumë. Pse kemi qenë shumë të mirë, apo pse e kemi vendin shumë të mirë. E unë mendoj këtë të dytën, që njerëzit kanë ardhur me vdek këtu sepse nuk ka qenë vendi i tyre, dhe për me na i marr këtë vend këtu. Kurse ne e kemi dhe po e lëm vet”, konsideron Krasniqi.

Në tokat bujqësore të familjes Krasniqi punojnë deri në 200 persona të tjerë gjatë sezonit, kjo falë edhe dinamikës së zhvillimit.

Përpos bujqësisë dhe blegtorisë, kjo familje ngriti edhe fabrikën e gypave të ujit “German Plast” ku ka punësuar dhjetëra kosovarë dhe po prodhon gypa të ujit për shumë komuna me të njëjtën cilësi si në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat