Bie transporti rrugor dhe ajror për tremujorin e parë në Kosovë

Ekonomi

Bie transporti rrugor dhe ajror për tremujorin e parë në Kosovë

Më: 5 maj 2020 Në ora: 11:44
Aeroporti i Prishtinës Adem Jashari

Në tremujorin e parë të vitit 2020, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 21 mijë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, numri i udhëtarëve është zvogëluar për 27.42 për qind.

Kështu thuhet në raportin “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit, tremujori i parë 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, kjo ka ardhur si rezultat i vendimit të qeverisë për masat e ndërmarra në luftimin e COVID-19, ku është ndërprerë transporti i udhëtarëve.

Transporti i mallrave me tren, në tremujorin e parë të 2020-së ishte rreth 101 mijë ton, apo një rënie për 26 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

“Numri i fluturimeve në tremujorin e parë 2020 ishte 1,534, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie për 14 për qind. Derisa, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, gjatë këtij tremujori, ishte rreth 431 mijë, e që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie për 9.42 për qind”, thotë ASK.

ASK shpjegon se të dhënat e telekomunikimit janë vlerësuar për këtë periudhë, pasi që operatorëve ekonomikë iu është shtyrë afati i raportimit, si rezultat i masave te ndërmarra nga qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat