Manipulimi me normën e papunësisë

Ekonomi

Manipulimi me normën e papunësisë

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 10 maj 2020 Në ora: 18:46
Prof. Dr. Musa Limani

Që në fillim duhet potencuar se, për të shkruar këtë shkrim më nxitën polemikat dhe debatet, jo konsutruktive, jo parimore e aspak politike, që u zhvilluan ditëve të fundit nga disa politikan e analist rreth normës së papunësisë. Andaj, me këtë rast nuk do të ndalem në atë që aktualisht ndryshimi i statusit të punëtorëve nga ilegal në punëtorë legal ndryshon normën e papunësisë që për mua është irelevante, sepse ajo nuk çon peshë në ndryshimin faktik të normës së punësimit apo papunësisë. Për mua është shqetësuese manipulimi me normën e papunësisë shumë më herët. Kështu, çështja e manipulimit me normën e papunësisë edhe atë nëpërmjet legjislacionit dhe institucioneve publike, është e datës së kahershme, që nga viti 2012.

Me qëllim që të tregohet se Kosova ka realizuar zhvillim ekonomik, nga ana e udhëheqësve në këtë periudhë, është tentuar të tregohet nëpërmjet uljes së normës së papunësisë, në mënyrë legjislative, si tregues shumë relevant që shpreh nivelin e (mos) zhvillimit ekonomik, me masa administrative, përkatësisht ligjore. Konkretisht, manipulimi me këtë tregues relevant ekonomik e ka zënafillën që më 06.04.2012, me aprovimin e Ligjit (të famshëm) nr. 04/L-083, për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve. Sipas nenit 2, alenia 1.1. të këtij Ligji thuhet: “Të papunësuar- janë personat prej moshës tetëmbëdhjetë (18), deri gjashtëdhjetepese (65) vjeç, të cilët janë të papunë (as të punësuar me pagë, as të vetëpunësuar), të cilët kërkojnë punë aktivisht dhe janë të gatshëm për punë”. Andaj, sipas këtij Ligji, thehet, përkatësisht ndryshohet postulati standard ndërkombëtar i lëvizjes natyrore të popullsisë, përkatësisht kontigjenti i punës. Ky Ligj u aprovua në Parlamentin e Republikës së Kosovës, por për fat të keq, nuk reagoi asnjë deputet edhe pse kishte jurist e ekonomist, bile edhe doktor shkencash. S’ka dyshim se, ky ligj që mundëson manipulimin e paraqitjes faktike (reale) të popullsisë aktive, pasi që ndryshon normën (standardin) ndërkombëtare të kontigjentit të punës, përkatësisht përfshirjës së popullsisë aktive. Sipas standardit ndërkombëtar, kontigjenti i punës, që e zbatojnë të gjitha vendet e botës, përfshinë grup-moshën e popullsisë 15-64, te meshkujt dhe 15-59 te femrat. Kështu, e gjithë bota e llogarit kontigjentin e punës, apo më mirë me thënë popullsinë aktive.

Ndërkaq, sipas Ligjit në fjalë del se, kontigjenti i punës në Kosovë përbëhet nga grup-mosha 18-65 vjeç, që është në kundërshtim të plotë me standardin ndërkombëtar të përfshirjes së popullsisë aktive dhe sjell “risi”, përkatësisht zbulim epokal në lëvizjet natyrore të popullsisë, përkatësisht në përcaktimin e popullsisë aktive. Andaj, qëllimi kryesor i nxjerrjes së këtij ligji, ishte që të zvogëlohet popullsia aktive, për grup-moshën e popullsisë 15-19 vjeç, që është një numër tejet i madh, pasi që popullsia e Kosovës është ende shumë e re. E gjithë kjo madje është reflektuar në zvogëlimin e popullsisë aktive, që ka ndikuar edhe në zvogëlimin e normës së papunësisë, në mënyrë artificiale me “dekret”. Sa për ilustrim po e prezantojm numrin e popullatës së Kosovës në grup-moshat 15-19 vjeç, për të treguar se sa është i madh numri i kësaj moshe që nuk përfshshihet në popullsinë asktive, i cili sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011 ishte 174.932 persona.

Andaj, duke u bazuar në atë që u tha më sipër, nuk është vështirë të konstatohet se opinioni i gjerë po manipulohet, apo më mirë me thënë institucionalisht po gënjehet për rënien e normës së papunësisë që nga viti 2012, dhe për këtë dukuri deri më tani nuk ka reaguar asnjë institucion relevant shtetëror edhe pse këto të dhëna publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si institucion publik. Pos shtrëmbërimit të normës së papunësisë, në Vjetarin Statistikor të Kosovës, më tutje “VSRK” kemi shumë të meta profesionale-shkencore. Në VSRK-të, thuja se në çdo faqe të tyre hasim në gabime gjuhësore, metodologjike, terminologjike, materiale etj. dhe askush nuk reagon për këto të meta profesionale të këtij dokumenti më të rëndësishëm, që grumbullon dhe publikon të dhëna më të rëndësishme nga të gjitha fushat jetësore. Lidhur me këtë, unë kam bërë një vështrim profesional-shkencor me temë: “Jo profesionalizmi në institucionet tona shtetërore”, duke bërë një analizë komplekse profesionale-shkencore të VSRK-së të vitit 2018, të botuar në Syri.net, datë 24.02.2020 (https://www.syri.net/syri_kosova/op-ed/94659/jo-profesionalizem-ne-institucione-publike-shteterore/). Andaj, botimi i një dokumenti siç është VSRK-ja, i botuar nga një institucion i Qeverisë së Kosovës, pra nga Agjencia e Satatistikave të Kosovës, me të meta të tilla, edhe sot e kësaj dite botohet me të gjitha të metat e sipër cekura edhe pse nuk guxon të botohet si i tillë, sepse devijon të dhënat publike dhe ulë prestigjin e Kosovës si shtet. Lidhur me këtë ende (aqë sa kam informata unë), nuk ka reaguar as Qeveria e as ministritë relevante e as ndonjë deputet aktual, në kuadër të të cilëve ka edhe doktor të shkencave ekonomisë. Kjo tregon se lidershipi në Kosovë gjatë gjithë kohës përbuzin “trurin” vendor, duke mos përfill mendimin profesional e shkencor të tyre dhe lejon që në institucionet tona të kemi joprofesionalizëm.

Në vazhdim sjelllim disa të dhëna publike nga i njëjti institucion publik, por me shifra të ndryshme, për numrin e punëkërkuesve (papunëve) në periudhën 2012-2019, që tregon për pa saktësinë e të dhënave publike për numrin e punëkërkuesve, të cilat i prezantojmë në tabelën e më poshtme.

Ecuria e punëkërkuesve (papunësisë) dhe të punësuarëve 2011-2019

- në mijë

ImageAndaj, që nga momenti i fillimit të aplikimit të Ligjit të sipër cekur, ndryshojnë edhe të dhënat absolute për numrin e punëkërkuesve, përkatësisht të papunëve edhe atë nga i njëjti burim institucional. S’ka dyshim se këto ndryshime të të dhënave të numrit të punëkërkuesve, automatikisht janë shprehur edhe në zvogëlimin rapid të normës së papunësisë. Ska nevojë ti komentojmë këto të dhëna, pasi që shifrat e prezantuara në tabelë, vetvetiu flasin më shumë se çdo komentim i tyre.

Sipas logjikës ekonomike, për sa zvogëlohet numri i punëkërkuesve, për aqë duhet të rritet numri i të punësuarve. Kjo për arsye se punësimi dhe papunësia rrinë në proporcion të zhdrejtë, pra nëse rritet punësimi, zvogëlohet papunësia dhe e kundërta. Mirëpo, kështu nuk ndodhi në jetën praktike në Kosovë. Sa për ilustrim po i elaborojmë vetëm dy vite pas aprovimit të ligjit të sipër cekur. Nëse në vitin 2013, llogarisim normën e papunësisë sipas të dhënave të VSRK-së të vitit 2017, norma e papunësisë del të jetë 44,2%, kurse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kjo normë ishte 30,0%. Nërkaqë, në vitin 2014, në bazë të të dhënave të VSRK-së të vitit 2017, norma e papunësisë për këtë vit do të ishte 46,0%, kurse sipas të dhënave të ASK, kjo normë ishte 35,4%. Banka Botërore, po ashtu publikon se, norma e papunësisë në Kosovë është rreth 45,0%. Andaj, duke pasur parasysh gjendjen faktike të tregut të punës në Kosovë, numrin e vogël të të punësuarëve dhe numrin e madh të punëkërkuesve (të papunësuarëve), i cili është edhe më i madh se që publikohet për shkak të ekzistimit të papunësisë latente (të fshehur), që reflektohet për shkak të familjarizmit, mitos, korrupcionit etj., e për shkak bindjes se nuk mund të punësohet “pa e pas ministrin daj”, një numër i konsiderueshëm i popullatës aktive pa punë e që ka nevojë për punë, nuk paraqitet në zyret e punësimit, që sipas njohurive të mia në këtë kategori përfshihen diku 15-20% të popullsisë aktive. Andaj, duke u bazuar në gjendjen faktike të popullsisë aktive, të numrit të të punësuarëve dhe numrit që kërkojnë punë dhe të papunësuarve latent, norma reale e papunësisë në Kosovë duhet të jetë mbi 50,0%.

Si rrjedhim, duke filluar nga zbatimi i Ligjit 04/-083 dhe ndryshimit të formës së raportimit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Siciale (2015), kemi devijimin, apo më mirë me thënë manipulimin dhe zvogëlimin artificial të normës së papunësë. Kjo, njëherit paraqet edhe desinformim dhe gënjeshtër publike institucionale, duke i hedhur hij në sy opinionit të gjerë, për gjoja zvogëlimin e papunësisë si rezultati i rritjes së punësimit, përkatësisht zhvillimit ekonomik. Andaj, nga ajo që u cek më sipër, si dhe paraqitja në ditëve të fundit e problemit të normës së papunësisë, e cila u debatua dhe u politizua tej mase pa nevojë dhe argumente, duke i dhënë konatacion (ngjyrë) politike, më shtyri që të bëjë një vështrim profesional lidhur me këtë çështje.

S’ka dyshim se, në Kosovë si dhe në vendet e tjera, diku më shumë e diku më pak, kemi punësim dhe papunësim latent (të fshehur). Në Kosovë kjo dukuri është shumë e shprehur, do të thoja bile shumë më e shprehur në papunësinë latente se në punësimin ilegal, pa dokumente. Epidemia e koronavirusit, preku me të madhe shëndetin e popullatës dhe ekonominë e Kosovës. Me qëlllim të zbutjes së situas sociale, Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, mori masa adekuate nëpërmjet Pakos emergjente, duke i mbështetur me ndihma financiare, veçmas bizneset private. Ndër masat e tjera, ishte edhe ndihma financiare të të punësuarëve të larguar nga puna në sektorin privat me një shumë simbolike, por për kushtet tona për fillim ishte e mirë. Në kuadër të kësaj mase, Qeveria me qëllim që të marrin këtë ndihmë edhe të punësuarit në sektorin privat pa dokumente (kontrata), që mbaheshin si të punësuar ilegal, bëri apel te firmat private, që nuk do të denoncohen, për t’iu lëshuar kontrata pune punëtorëve që deri më tani ishin pa dokumente, pra pa kontratë pune. Në bazë të kësaj mase, sipas të dhënave publike me të cilat disponojmë, sektori privat lëshoi kontrata puna për 9.946 punëtorë dhe 1.268 punëtor që janë larguar nga puna. Andaj, kjo masë e Qeverisë mundësoi që nga informaliteti të mundësojë kalimin në formalitet të një numëri të konsiderueshëm të punësuarëve ilegal. Me këtë rast mendoj se nga aspekti profesional dhe ekonomik, e që kjo çështje tashmë është evidente në opionion, mund të themi se Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave ka reflektuar pozitivisht në zbardhjen e ilegalitetit në tregun e punës që nuk ishte arritur deri më tani. Mendoj se tjetërsimi i deklaratave publike dhe çfarëdo tjetërsimi tjetër i tyre, paraqet dukuri negative që ndikon në përceptimin jo të drejtë e profesional të temës së caktuar. Sipas meje këto polemika dhe debate janë jo korrekte, jo profesionale, e as pak politike, në kohën kur po ballafaqohemi me epideminë e koronaviruesit.

Sidoqoftë, duke pasur gjithmonë qëndrim profesionalo-shkencor, mendoj se qasja reale profesionale e analizës së legalizimit të punëtorëve që ishin ilegal, do të duhej të shiqohej nga dy aspekte kryesore: Nga spekti formalo-juridik dhe faktik. Nga aspekti formal-juridik, këta punëtor, nga të punësuar ilegal, u bënë punëtor legal. Në bazë të këtyre kontratave, qofshin edhe një vjeçare, ato zyrtarisht do të përfshihen nesër në të punësuar, kurse numri i të larguarëve nga puna në numrin e të papunëve. Mirëpo, kjo asesi nuk duhet kuptuar se gjatë kësaj kohe janë hapur vende të reja pune dhe janë punësuar punëtorë të rinjë. Andaj, nga ky aspekt del konstatimi se këtyre punëtorëve vetëm se iu është ndryshuar statusi i tyre, nga punëtor ilegal në punëtor legal, që praktikisht do të thotë se nuk është rritur numri i të punësuarëve të rinjë, por nga aspekti formal-juridik po. Me këtë rast nuk duhet të fokusohemi në ndikimin e tyre në normën e punësimit, apo normën e papunësisë, sepse faktikisht nuk kemi punësim me punëtorë të rinjë. Në këtë rast vetëm u ndryshua statusi i tyre nga punëtor ilegal, në punëtorë legal.

Si rrjedhim, duke u bazuar në formën e legalizimit të këtyre punëtorëve, nuk duhet të na shqetësojë ndikimi i tyre në rritjen, apo zvogëlimin e normës së papunësisë. Për mua shqetësimi i gjithë neve, Qeverisë dhe institucioneve të saja, duhet të na shqetësoj manipulimi me normën e punësimit në mënyrë institucionale që nga viti 2012.

Unë do të shtroja shqetësimin tim profesional se a është reale norma e papunësisë që e publikon ASK-ja?. Mendojë se jo. Prandaj këtë shkrim dhe në shkrimet e më hershme (të lartëpërmendura) e kam vërtetuar se nuk është reale dhe se duhet ndryshuar, përcaktimi i kontigjentit të punës (popullsisë aktive) dhe qasja e grumbullimit të punëkërkuesve.

Në fund, apeloj te Qeveria, përkatësisht tek ministritë përkatëse, që urgjentisht duhet intervenuar, evituar dhe përmirësuar, jo vetëm çështjen e normës së papunësisë, por të gjitha gabimet përmbajtësore, gjuhësore, materiale, terminologjike, metodologjike, profesionale e shkencore që e karakterizojnë (përcjellin) dhe gjenden thuaja se në çdo faqe të Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës. Gabimet e tilla në një dokument publik me rëndësi të veçantë, siç është VSRK-ja, jo vetëm që janë të pa arsyeshme, por edhe të pa justifikueshme dhe të pa pranueshme në pikëpamje profesionale. Andaj, publikimi i Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës me këso gabimesh, paraqet më shumë se skandal profesional-shkencor dhe ulë prestigjin e një institucioni publik e shtetëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat