CEB aprovon 35 milionë euro për Kosovën për menaxhimin e situatës ndaj COVID-19

Ekonomi

CEB aprovon 35 milionë euro për Kosovën për menaxhimin e situatës ndaj COVID-19

Më: 13 maj 2020 Në ora: 06:57
Foto ilustrim

Këshilli i Bankës Zhvillimore për Ndryshim (CEB) ka aprovuar një huadhënie prej 35 milionë euro për të mbështetur përpjekjet e autoriteteve për të ofruar kujdes shëndetësor për të prekurit nga COVID-19.

Po ashtu, CEB ka aprovuar një grant prej 1 milion euro nga Llogaria e Dividentëve Sociale si subvencion i normës së interesit për kredinë.

Për shkak të pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind gjatë këtij viti, derisa shpenzimet për ndihmën e kujdesit shëndetësor dhe masat ekonomike e financiare si pasojë e pandemisë, vlerësohen në 280 milionë euro.

Huadhënia nga CEB-i do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor emergjent dhe do të mundësojë krijimin e njësive të specializuara në spitalet e zgjedhura dhe blerjen e pajisjeve të trajtimit dhe diagnostikimit, siç janë sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet me ultratinguj dhe tomografi, si dhe furnizime mbrojtëse e mjekësore, komplete testimi dhe reagjentë diagnostikues.

Kjo hua gjithashtu pritet të sigurojë stimuj për vështirësitë që kanë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata të farmacive, trajnim të stafit mjekësor dhe mobilizim të personit shtesë të kujdesit shëndetësor.

Nga ky financim nga CEB-i do të përfitojnë 1.9 milionë njerëz që aktualisht jetojnë në Kosovë, në veçanti ata më të prekurit, siç janë të moshuarit, personat me kushte kronike dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Guvernatori i CEB-it, Rolf Wenzel, ka thënë se në përputhje me mandatin e saj ekskluzivisht shoqëror, Banka ka kërkuar të ndihmojë anëtarët e saj për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kësaj pandemie të paparë COVID-19, që prek shumë nga vendet anëtare.

“Kjo hua e parë për autoritetet e Kosovës siguron fonde për shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe gupet e cenueshme të popullsisë. Për më tepër, CEB siguron një grant si një subvencionim interesi i cili do të përmirësojë më tej kushtet financiare të huasë. Huaja vihet në dispozicion me procedurë të shpejtë dhe shoqërohet me masa të jashtëzakonshme të COVID-19”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat