​Oda Amerikane kërkon ligj të veçantë për trajtimin e gjobave dhe borxheve pas pandemisë - Bota Sot
​Oda Amerikane kërkon ligj të veçantë për trajtimin e gjobave dhe borxheve pas pandemisë

Ekonomi

​Oda Amerikane kërkon ligj të veçantë për trajtimin e gjobave dhe borxheve pas pandemisë

Më: 14 maj 2020 Në ora: 11:36
Foto nga takimi

Mbarëvajtja e procesit të aplikimeve për kompensim nga Ministria e Financave, roli i ATK-së mbi mbledhjen dhe shqyrtimin e aplikimeve, ndikimi i pandemisë COVID-19 mbi operacionet e ATK-së dhe sugjerimet për të ardhmen, ishin temat e diskutimit në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, mbështetur nga BERZH dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.


Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se në një takim virtual me Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, ka propozuar krijimin e një ligji të veçantë pas pandemisë, i cili do të zgjidhë çështjen e gjobave gjatë kësaj periudhe, por edhe faljen, trajtimin më të mirë të borxhit të akumuluar dhe interesave ndëshkimore që mund të krijohen.

Sipas Zekës, një kërkesë e tillë duhet të merret parasysh pasi që ruajtja e shëndetit të mirë të ndërmarrjeve dhe niveli i garantuar i të hyrave të shtetit është në interesin e të gjithëve.
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, theksoi se pandemia ka ndikuar negativisht në kufizimin e aktiviteteve të planifikuara për këtë vit, e rrjedhimisht edhe në aspektin e të hyrave.

Sipas tij është e vështirë të merret një pasqyrë e saktë e ndikimit që pandemia ka pasur mbi ekonominë e vendit, sidomos për shkak se janë marrë tre vendime radhazi lidhur me zgjatjen e afatit për deklarim dhe pagesë të tatimeve.

Murtezaj foli edhe mbi përgjegjësinë e ATK-së për ofrimin e vërtetimeve tatimore, përmes të cilave u është mundësuar liria e lëvizjes punëtorëve, duke shtuar se këto vërtetime janë azhurnuar disa herë konform rregullave të caktuara nga Qeveria dhe përmes kësaj platformë janë lëshuar mbi 5000 vërtetime.

Murtezaj mes tjerash përmendi se ka ngritur çështjen e hapjes së një pike kontakti për të dhënë sqarime nga zyrtarët shtetërorë për komunitetin e biznesit.


Ndërsa, Remzi Uka, kryeshef ekzekutiv dhe drejtor i Departamentit të Tatimeve në kompaninë e shërbimeve financiare AFAM Group, tha se një nga vështirësitë më të mëdha me të cilën janë ballafaquar bizneset gjatë kësaj periudhe ka qenë mungesa e qartësimit mbi lejet e qarkullimit.

Ai foli edhe për kompensimet nga Pakoja Emergjente Fiskale duke theksuar se si pasojë e çrregullimeve të veprimtarive të institucioneve dhe kufizimit të lëvizjes, regjistrimi i aplikuesve ka qenë i vështirë, e kjo është dëshmuar sidomos në rastet kur vetëm një pjesë e stafit të kompanive ka marrë kompensim.

Një çështje tjetër e ngritur ishte edhe aplikimi për marrëveshje të pagesës me këste, për të cilën Uka sugjeroi se në vend të shtatë kësteve për pagesë të tatimeve, bizneseve duhet t’u jepet mundësia për 12 apo në disa raste më të rënda edhe 24 këste nëse vlera është e madhe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat