​Gërxhaliu: Vendet e rajonit më efikase në rimëkëmbjen e ekonomisë, Kosova ende me Pakon Emergjente

Ekonomi

​Gërxhaliu: Vendet e rajonit më efikase në rimëkëmbjen e ekonomisë, Kosova ende me Pakon Emergjente

Më: 20 maj 2020 Në ora: 13:32
Safet Gërxhaliu

Ani pse vendet e rajonit për sanimin e pasojave të virusit Covid-19 kanë nxjerrë edhe pakot e treta për rimëkëmbje ekonomike, Kosova nuk ka dizajnuar as edhe pakon e dytë për ekonomi, derisa nuk janë duke u zbatuar në tërësi as masat e Pako Emergjente Fiskale për biznese.

Për këtë, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu po thotë se jo stabiliteti politik në Kosovë e ka sjellë vendin para sfidave të shumta dhe Kosova është në një situatë të pavolitshme duke dëmtuar bizneset, po dëmtohet ekonomia, e në veçanti qytetari i Kosovës.

Ish-kryetari i OEK Gërxhaliu thotë deklaron se është i shqetësuar me angazhimin dhe aktivitetin që janë duke e bërë vendet e rajonit dhe të Evropës, ndërsa Kosova ende nuk ka përmbushur parashikimet me Pakon e parë emergjente.

Gërxhaliu: Vendet e rajonit po avancojnë për rimëkëmbje ekonomike, Kosova ende me pakon emergjente

“Ajo çka më bën të shqetësohem më tepër janë angazhimet dhe aktivitetet që janë duke i bërë vendet e rajonit, të Evropës dhe më gjerë, derisa ne ende nuk kemi përmbushur parashikimet me pakon e parë emergjente. Ndërsa, këto vende kanë kaluar hapin e tretë. Janë duke bërë programe dhe projekte për të sanuar hapin e katërt. Dhe ajo çka më bën kurioz është fakti që këto vende janë duke avancuar në atë formë që nuk janë duke u marrë vetëm me eliminimin e pasojave ose me sanimin pasoja nga koronavirusi, por të shpëtojnë vendin nga pandemia dhe për zhvillim ekonomik. Besoj që është koha që në Kosovë duhet të mendohet më ndryshe, që mbi interesat e shtetit nuk mund të jenë interesat e partive politike”, deklaroi Gërxhaliu.

Ai ka thënë më tej se është fatkeqësi që nuk ka harmonizim ndërmjet qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia.

Gërxhaliu duke folur për sektorët ekonomikë të goditur nga koronavirusi, thotë se krahas ndërtimtarisë e gastronomisë, u goditen edhe kompanitë e sigurimeve.

Gërxhaliu: Krahas ndërtimtarisë e gastronomisë, u goditen edhe kompanitë e sigurimeve

“Nuk ka pore ekonomike që nuk është goditur nga koronavirusi, në këtë drejtim krahas ndërtimtarisë, gastronomisë, agjencive turistike, janë goditur edhe kompanitë e sigurimeve dhe mbyllja e qendrave për regjistrim. Sot në Kosovë janë afër 200 mijë vetura të pa regjistruara, ndërsa qarkullimi është pa asnjë pengesë. Kush do t’i mbuloj dëmet në qoftë se nuk ka sigurime dhe kush do ta mbaj përgjegjësinë në qoftë se nuk ka vetura të regjistruara? Në këtë drejtim është një ngufatje, e cila në të ardhmen do ta rritë mundësinë e keqpërdorimeve. Mundësitë për aksidente janë vërtet evidente. Në këtë drejtim është koha që sa më shpejt të mbështeten këta sektorë”, deklaron Gërxhaliu.

Ai ka folur edhe për sfidat sociale të krijuara nga pandemia, që sipas tij, Kosova mund ta ketë një ‘bombë’ sociale, andaj qeveria dhe institucionet vendit duhet të jenë më syçelë krahas këtij shpërthimi të mundshëm.

Gërxhaliu: Kosova është kurdisur si një “bombë” sociale

“Në Kosovë jemi në sfida sociale, dhe Kosova është pothuajse e kurdisur si një bombë sociale për shpërthim të pakënaqësive. E kemi parasysh faktin që kemi misione të ndryshme ose shërbime sekrete që shumë pak janë të prira ndaj proceseve pozitive në Kosovë dhe janë shumë më të përgatitura t’i shfrytëzojnë pakënaqësitë, andaj, qeveria vërtet duhet të ketë kujdes. Rishikimi i buxhetit është i pa shmangshëm, shkurtesat në projekte të ndryshme po ashtu. Kështu që sanimet dhe zhvillimet të jenë në prioritet”, thotë ai.

Gërxhaliu ka komentuar edhe vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës për mbështetje të ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare me 20 milionë euro. Sipas tij, krahas ndihmës që është duke bërë qeveria për sektorin publik, duhet të punohet më tepër nga gjyqësori për të identifikuar përgjegjësit që i kanë sjellë këto ndërmarrje në këtë situatë dhe të jenë barrë e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat