​Importuesit nga Serbia pjesërisht përfillnin dokumentet “Republika e Kosovës” - Bota Sot
​Importuesit nga Serbia pjesërisht përfillnin dokumentet “Republika e Kosovës”

Ekonomi

​Importuesit nga Serbia pjesërisht përfillnin dokumentet “Republika e Kosovës”

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 12:54
Foto ilustrim

Pas vendimit të Qeverisë Kurti për plotësimin e masave të reciprocitetit me Serbinë, 20 maune që u futen me mallra brenda një jave nga ky shtet iu referuan me dokumente si “Republika e Kosovës”.

Përderisa, 16 maune të tjera me mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht nga Dogana e Kosovës, pasi që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e dytë të qeverisë për reciprocitet.

Ndërsa, Qeveria e re e formuar sot ka hequr masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, kusht ky i vendosur nga ky shtet për fillimin e dialogut.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës ka thënë për KosovaPress, se vendimi i dytë për reciprocitet i marrë të më 30 maj nga qeveria e kaluar, është zbatuar plotësisht nga Dogana e Kosovës, përkundër kësaj Kosova është duke eksportuar mallra për në Serbi pa ndonjë barrierë shtesë.

Stavileci: 20 maune me mallra serbe përfillin emrin “Republika e Kosovës”

“Nga fillim i zbatimit të reciprocitetit pra prej të hënës, vendimi është marrë të shtunën në mbrëmje dhe nga dita e hënë e deri më sot kemi pasur rreth 20 dërgesa të cilat kanë plotësuar dokumentet në bazë të reciprocitetit apo vendimit të dytë të për reciprocitet të Qeverisë së Republikës së Kosovës… Kryesisht importet kanë qenë përmes pikave kufitare Merdare dhe Jarinje… Derisa kemi kthyer mbrapa 16 dërgesa që nuk i kanë plotësuar kriteret për import në bazë të vendimit të reciprocitetit”, thotë Stavileci.

Ndërsa, për shkak të pandemisë Covid-19, Dogana e Kosovës ka shënuar rënie të të hyrave 10 përqind në pesë mujorin e parë të këtij viti, janar-maj, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Stavileci: Deri tash të hyrat janë 395 milionë euro

“Të hyrat në prill dhe maj kanë qenë mjaft të dobëta për shkak që ka reflektuar direkt nga konsumi , ndërsa deri tash të hyrat janë 395 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 445 milionë, pra ka një ulje prej 10 përqind’, deklaron ai.

Sa i përket evdnimit për reciprocitet, në një prej mbledhjeve të fundit nga Qeveria e sapo larguar, kishte marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 01/20 të 31 marsit 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndaloheshin dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që: përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi; përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit; i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës.

Operatorët ekonomikë nga Serbia duhej të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitej zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi me letër ose përmes postës elektronike.

Nuk mund të njihej si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi. Pa marrë parasysh formën e organizimit të saj në Serbi, një shoqëri e tillë mund të njihet, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat