Qeveria i destinon 188 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Ekonomi

Qeveria i destinon 188 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 19:59
Ilustrim

Rishikimi i Ligjit për Buxhetin, i hartuar nga Qeveria e re, ka pësuar ndryshime. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me menaxhimin e situatës me COVID – 19.

Me projektligjin, që ka arritur të sigurojë Koha, është formuar edhe Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike. Kështu, Ministria e Financave obligohet që mjetet monetare të siguruara nga marrëveshjet ndërkombëtare të kalojnë në organizatat buxhetore që janë në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Vlera e këtyre ndihmesave shkon deri në 40 milionë euro. Përpos kësaj, në projektligj janë të theksuara edhe burimet e fondeve të tjera që janë siguruar për rimëkëmbje ekonomike.

Nga burimet e rregullta buxhetore për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike janë destinuar 74 milionë euro. Përveç kësaj, Qeveria e re ka planifikuar të bëjë nën-huazime nga ndërmarrjet publike, saktësisht rreth 14 milionë euro. Mbi 100 milionë euro janë buxhetuar nga procesi i likuiditetit dhe privatizimi, duke e çuar kështu deri në 188 milionë euro buxhetin për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Ndër të tjera, Ministria e Financave si hartuese e këtij projektligji ka identifikuar edhe 120 milionë euro që pritet të buxhetohen për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, por që burimi i tyre nuk është i cekur.

Ndërkaq, shpenzimet për masat emergjente, sipas projektligjit që është miratuar në qeveri pritet të jenë mbi 200 milionë euro. Një pjesë e kësaj shume është marrë nga mallrat dhe shërbimet, nga pagat dhe shtesat e një pjesë e tyre edhe nga huamarrja.

Pagesat e këtyre shpenzimeve nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ishin bllokuar në Kuvend, meqë nuk gjenin përkrahje nga shumica e deputetëve. Me rishikim të Ligjit për Buxhetin, Ministria e Financave ka ardhur në përfundim se do të ketë rritje të shpenzimeve rreth 25.2% për shkak të pandemisë.

Edhe të hyrat pritet të jenë më të ulëta, pikërisht për shkak të situatës së krijuar me COVID – 19. Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave, të hyrat vjetore pritet të jenë 5.3% më të ulëta, e shtyrë kjo nga rënia e aktivitetit ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat