OAK kërkon përkrahje nga partitë politike në Kuvend për tejkalimin e krizës

Ekonomi

OAK kërkon përkrahje nga partitë politike në Kuvend për tejkalimin e krizës

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 09:08
Foto nga takimi

Mundësitë për përkrahje lidhur me problemet e bizneseve, finalizimi i pakos e rimëkëmbjes, ofrimi i përkrahjes në ndryshim plotësimin e ligjeve të cilat janë aktualisht në proces, krijimi i ofertave për investitorët, krijimi i arkës patriot, ofertat strategjike në bujqësi, mbrojtja dhe orientimi i bizneseve, ligji për investime strategjike, iniciimi i sigurimeve shëndetësore dhe sigurimit në punë ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me bashkëpunëtor.

Në kuadër të takimeve që OAK është duke realizuar me kryetarët e partive politike, në takimin me z. Kurti u theksua rëndësia e bashkëpunimit reciprok për përkrahje në tejkalim të gjendjes së rëndë me të cilën janë duke u ballafaquar bizneset si rezultat i pandemisë.

Gjatë këtij takimi OAK theksoi emergjencën e finalizimit sa më parë të pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që bizneset të kenë mundësi që të mbijetojnë, mbajnë në punë punëtorët dhe sigurimin e kapitalit për ruajtje të likuiditetit. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së finalizimit sa më parë të Ligjit të Punës dhe Pushimit të Lehonisë duke u cilësuar dy nga ligjet esenciale të zhvillimit të vendit, si rezultat i të cilëve kemi një numër shumë të ulët të të punësuarve, largimin e fuqisë punëtore në vendet e BE-së për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Gjithashtu Ligji për Tregti të Brendshme është më se i nevojshëm duke rregulluar tregun në bazë të nevojave dhe analizave dhe njëkohëssiht duke mbrojtur dhe orientuar bizneset u tha nga përfaqësuesit e OAK-së.

Hamdi Malushaj anëtar i bordit në OAK theksoi rëndësinë e aftësimit profesional, respektimin e kontratave të punës, afatet e paralajmërimeve dhe rëndësinë e ndarjes së qartë të të drejtave dhe detyrimeve mes punëtorëve dhe punëdhenësve. Malushaj gjithashtu veçoi qasjen e shtetit ndaj biznesit dhe trajtimin që bizneset janë duke marrë aktualisht nga shteti duke lënë shumë hapësirë për të dëshiruar.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj theksoi rëndësinë e ofrimit të përkrahjes për sektorin e bujqësisë dhe minierave e mineraleve duke qenë dy ndër sektorët më me potencial të zhvillimit të vendit.

Ndërsa sekretari i bordit Diamant Elshani veçoi rëndësinë e unitetit më të madh dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit qysh në fazat e hershme të iniciimit të nismave ligjore, në mënyrë që së bashku me institucionet dhe bizneset të diskutohen në grupe punuese çështjet me interes reciprok.

Kryetari i LVV Albin Kurti falënderoi përfaqësuesit e OAK-së për takimin dhe çështjet që u ngritën, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim në ndryshimin e praktikave dhe qasjes ndaj bizneseve. Kurti veçoi rëndësinë e diagnostifikimit të problemeve ekonomike dhe premtoi përkrahje për ligjet në kuvend në plotësim ndryshimin e tyre në mënyrë që ato të jenë të aplikueshme dhe përshtatshme për rrethanat në të cilat operojmë.

Prezente në takim ishte edhe znj. Rozeta Hajdari e cila u shpreh e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me qëllim të identifikimit të problemeve më të cilat ballafaqohen operatorët ekonomik dhe propozimet për alternativat e zgjidhjes së situatave të caktuara.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi – kryetar i bordit, Diamant Elshani – sekretar i bordit, Hamdi Malushaj dhe Hysni Zogaj anëtar të bordit dhe Qendresa Ibrahimi – koordinatore në OAK.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje u përfaqësua nga Albin Kurti, Rozeta Hajdari dhe Tropika Agaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat