Murati: Qeveria të shkurtojë shpenzimet e asfaltit dhe të ekzekutojë pagesat prej 170 euro

Ekonomi

Murati: Qeveria të shkurtojë shpenzimet e asfaltit dhe të ekzekutojë pagesat prej 170 euro

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 16:21
Hekuran Murati

Kryetari i Komisionit për Financa dhe Transfere në Kuvend, Hekuran Murati ka thënë se Ligji për menaxhimin e financave publike i mundëson qeverisë ekzekutimin e plotë të Pakos Emergjente Fiskale pa e rishikuar hiç buxhetin.

Deputeti nga VV-ja, Murati po ashtu thotë se të gjitha pagat nga 170 euro nga masa “3a” e kësaj pakoje mund të ekzekutohen tek punëtorët e sektorit privat pa u bërë rishikimi i buxhetit.

Derisa ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se pa rishikim nuk mund t’i kryejnë këto pagesa, deputeti Murati thotë se lëvizjet brenda kodeve buxhetore janë të mundshme edhe pa qenë të buxhetuara qysh në fillim, dhe sipas tij nëse duan të kryhen pagesat e pakos emergjente shkurtohen vetëm projektet infrastrukturore.

Murati: Mund të ekzekutohen pagat nga 170 euro pa e rishikuar buxhetin

“Po, mundësitë çdo herë janë, sepse Ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh edhe transformimin e mjeteve deri në 25 përqind kurdo që ka nevojë janë alokime të parakohshme. Pra, ka mundësi të ndryshme, në mënyrë që të bëhen lëvizje brenda kodeve buxhetore edhe pa qenë të buxhetuara qysh në fillim. Por, kjo është çështje e vullnetit dhe prioritetit të kategorive. Tash nëse dëshiron t’i kryejnë pagesat e pakos emergjente shkurton asfaltin. Mirëpo, kjo qeveri ka vendosur mos të shkurtojnë asfaltin, t’i vazhdojnë projektet ashtu qysh janë. Kurse, e kemi parë që në javën e parë kur kanë shpallur tenderë për 200 milionë euro asfalt dhe kështu kanë prioritet asfaltin”, thotë Murati.

Kryetari i këtij Komisioni shton se nesër kanë në rend dite shqyrtimin e rishikimit të Buxhetit në Komisionin për Financa dhe Transfere.

Murati: Nesër shqyrtohet rishikimi i buxhetit

“Në Komision nesër do të trajtojmë dhe do të shohim sesi vazhdon tutje, mirëpo procedurat e përshpejtuara janë çështje tjetër, ku duhet bërë shmangie të Rregullores e që kërkohen 2/3 e votave për shmangie të Rregullores. Ne, në të kaluarën e afërt e kemi parë që kjo qeveri jo-legjitime nuk i ka as votat për formimin e qeverisë. Fillimisht 61 vota që kanë qenë me dy vota të kontestuara për votimet e fundit zakonisht e kemi parë që nuk e kanë tejkaluar 58 vota. Pra, nuk besoj që shkon me shmangie të procedurave”, thekson ai.

Përderisa është paraparë të mbahet mbajtja e seancës parlamentare të enjten, Murati ka thënë se përderisa koalicioni qeverisës ka pasur 2/3 të votave për rrëzimin e Qeverisë Kurti, le t’i votojnë edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

Murati: Qëndrimi i VV-së është i qartë për marrëveshjet financiare ndërkombëtare

“Ne kemi qartësuar qëndrimin tonë për këtë temë, pra i takon qeverisë t’i sigurojë votat, qeverisë që është në fuqi, ku e kemi parë sa herë që nuk i ka votat, mirëpo kur ishte puna për të rrëzuar një qeveri legjitime me mbështetje popullore u çuan e rrëzuan midis pandemisë dhe i siguruan votat. Madje, me krenari e kanë cekur disa herë që e kanë rrëzuar qeverinë me 82 vota. Kështu që për ta krejt çka është dashtë të bëhet, është me përdorë formulën e njëjtë, edhe t’i sigurojnë ato 82 vota për t’i kaluar marrëveshjet. Qëndrimi ka qenë i qartë i yni, çdo projektligj apo nismë që sponsorizohet prej qeverisë ilegale dhe jo legjitime nuk e ka mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ka të bëjë me legjitimitet dhe legalitet. Nuk ka të bëjë me marrëveshjet në fjalë”, deklaroi ai.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka vendosur që të enjten, më 9 korrik Kuvendi t'i vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor 2020, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re.

Në orën 10:00, pritet votimi i pesë projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat