​Bizneset kërkojnë shtyrje të kësteve për kredi, BQK-ja thotë se ka bërë një zgjidhje shumë më të mirë se shtyrja

Ekonomi

​Bizneset kërkojnë shtyrje të kësteve për kredi, BQK-ja thotë se ka bërë një zgjidhje shumë më të mirë se shtyrja

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 11:45
BQK

Edhe pse komuniteti i biznesit dhe qytetarët në vazhdimësi kanë kërkuar shtyrjen e kësteve për kredi edhe për tre muaj, Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerr një udhëzues për bankat komerciale që varësisht nga aftësia paguese e klientit të kenë mundësinë të bëjnë ri-programimin e kredive duke llogaritur edhe interesat. Ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të heshtë dhe të mos i përkrah bizneset në mbulimin e interesave.

Ndryshe nga Kosova disa vende të tjera kanë mundësuar që të shtyhen sërish pagesat e kësteve të kredisë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi thotë se shtyrja e kësteve për kredi është e domosdoshme për bizneset, sepse sipas tij, kompanitë dhe qytetarët do të kenë vështirësi t’i paguajnë normat e interesit dhe këstet në këtë kohë pandemie.

Krasniqi thotë se bizneset janë në gjendje të rëndë, pasi që përballen me vështirësi për qasje në financa, dhe kështu rrezikohen edhe të falimentojnë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi

Krasniqi: Bankat nuk po japin kredi për bizneset, kërkohet shtyrja e kësteve për kredi

“Me fillimin e pandemisë bankat kanë ndërprerë edhe dhënien e kredive të rregullta, dhe ende nuk kanë filluar me dhënë kredi. Pastaj kërkesë është shtyrja e pagesave dhe kësteve për kredi, për ata që kanë nevojë. Por, kërkohet shtyrje të kësteve edhe për kamatat e tatimeve që është mëse e nevojshme. Interesin për këtë shtyrje ta merr përsipër shteti dhe të mos i alokohet biznesit dhe qytetarëve, sepse me fillimin e pagesës bizneset dhe qytetarët do të kenë vështirësi shumë të mëdha të pagesës së kredive. Do të jetë një ngarkesë për biznesin si dhe do të rrezikohet edhe falimentimi i bizneseve dhe rritja e papunësisë”, thotë Krasniqi.

Në anën tjetër guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti thotë se kanë bërë një zgjidhje më të mirë sesa që është shtyrja, e që është e veçantë me anë të një udhëzimi për ri-programimin e kredive.

Ai ka shtuar se bankat komerciale janë duke lëshuar kredi edhe në kohë të pandemisë.

Mehmeti: Kemi bërë zgjidhje më të mirë se shtyrjen e kësteve

“Kemi bërë një zgjidhje shumë më të mirë sesa që është shtyrja, e që është e veçantë marrë parasysh që kemi marrë edhe rekomandimet e FMN-së se si të veprojnë bankat gjatë pandemisë dhe pas pandemisë me qëllim që të përkrahin sektorin e ekonomisë në tërësi. Dhe në këtë kontest ne kemi përgatitë një udhëzim të cilin e kemi aprovuar dhe i kemi dërgua bankave si udhëzues, me qëllim që bankat varësisht nga aftësia paguese e klientit të kenë mundësinë të bëjnë ristrukturimin apo ri-programimin e kredive pa pasur nevojë për provizione shtesë. Prandaj, kjo është një benefit i dy anshëm si për bankat, për arsye se as për bankat nuk është inertes që të ketë kredi të këqija. Duke marrë parasysh që nëse rriten kreditë e këqija bankat duhet të ndajnë kapital për këtë. Por, njëkohësisht edhe për kompanitë që gjithashtu të paguajnë këstet sipas mundësive që i kanë ose nëse paraqitet nevoja edhe për grejs periudhë e kështu me radhë”, thotë Mehmeti.

Ai ka shtuar seBQK-ja ka qenë një ndër institucionet e para në vend që ka reaguar në pandemi dhe në koordinim edhe me shoqatën e bankave, janë shtyrë për tre muaj këstet nga 16 marsi deri më 16 qershor.

Ndryshe nga Kosova disa vende të tjera kanë mundësuar që të shtyhen sërish pagesat e kësteve të kredisë.

Në Shqipëri është dhënë mundësia që pagesat e kësteve të kredive të mund të shtyhen edhe tre muaj të tjerë, duke bërë një shtyrje për 6 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat