Murati: Nuk ka pako të rimëkëmbjes ekonomike

Ekonomi

Murati: Nuk ka pako të rimëkëmbjes ekonomike

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 01:05
Hekuran Murati

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë se përmes rishikimit të buxhetit shihet se nuk ka pako të rimëkëmbjes.

"Është e buxhetuar një kategori aty që thotë: 385 milionë euro - pako e rimëkëmbjes. Por, tash kemi një problem edhe ligjor e edhe përmbajtjesor me këtë 385-milionëshin", ka thënë ai.

Murati ka sqaruar se problemi në anën ligjore është që është kërkuar shmangie prej nenit 30 të Ligjit për Menaxhimin e Finacave Publike.

"Kjo shmangie është e paligjshme, për shkak se Ligjin e Menaxhimin e Financave Publike mbizotëron çfarëdo ligji tjetër nëse ka mospërputhje dhe konflikt të neneve me ndonjë ligj tjetër. Pra nuk mundesh me një nen në ligjin buxhetit me e shmang një nën tjetër në Ligjin për Financa Publike", ka thënë Murati.

E si ka thënë ai, problemi, kur është në pyetje ana përmbajtjesore, qëndron në këtë drejtim: "Ky 385-milionëshi, çfarë kanë kërkuar këta, kanë thënë: Po e buxhetojmë një shifër aty dhe me këtë nenin e shmangies, t'i mundësohet Qeverisë që t'i shpenzojë paratë si të dojë. Për nga ana përmbajtjesorë, kur i kam pyetur ata nëse mund ta shpërndajnë këtë 385-milionëshin nëpër ministri, nëpër kategori dhe nëpër programe që të tregohet se sa do të shkojnë për qytetarë, sa do të shkojnë për pensionistë e mjekë", ka treguar Murati, duke shtuar se këtë shqetësim e kishte ngritur qysh nga mbledhja e parë e Komisionit për Financa, duke kërkuar që një gjë e tillë të rregullohet, por se kjo nuk ishte bërë.

"Janë dy lloj arsye kryesore rreth mospranimit: Njëra arsye lidhet me atë që po e them se nuk ka pako të rimëkëmbjes. Vetëm është krijuar mirazh", ka thënë ai.

Sipas Muratit, prej këtij 385-milionëshi, rreth 190 milionë euro janë pako emergjente fiskale e Qeverisë Kurti.

"Por, në mënyrë që pakoja e rimëkëmbjes të duket më e madhe sesa që është, i kanë bërë të dyjat bashkë dhe e kanë emërtuar pako e rimëkëmbjes. E realisht, këtu janë dy pako në një. Tash, nëse hiqet 190-milionëshi, mbesin 195 milionë tjera", ka thënë ai, teksa ka thënë se përmes zbërthimit të kësaj shifre, mund të shihet se sa para realisht mbesin.

"Prej 195 milionëshit, janë rreth 70 milionë euro janë të parapara si investime me klauzolën e investimeve kredi. Është një përjashtim, një rregull i dakorduar me FMN-në, ku qeveria mund ta tejkalojë deficitin për një shumë të caktuar çdo vit, në rast se merr kredi prej institucioneve financiare ndërkombëtare dhe i investon në investime kapitale. Ky 70 milionëshi nuk ka të bëjë fare me COVID. Këto janë kredi që janë kontraktuar më herët, janë kredi për MI, është edhe kredi e paraparë për MSH-në, por s'ka të bëjë me pako të rimëkëmbjes", ka treguar ai.

Murati ka vazhduar më tutje, duke thënë se kur hiqet ky 70 milionësh, mbesin 125 milionë euro.

"Prej këtij 125 milionëshi, 100 milionë euro janë të parapara fonde nga AKP-ja, të cilat ende nuk i ka marrë Qeveria dhe as nuk mundet me i marrë pa ndryshime tjera ligjore. Edhe nëse ka ndryshime, ky 100 milionësh është në ajër", ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat