Si po ndikon në tregun e punës në Kosovë pandemia COVID-19?

Ekonomi

Si po ndikon në tregun e punës në Kosovë pandemia COVID-19?

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 08:34
Ilustrim

Lufta me pandeminë nuk ka prekur dhe vënë në vijën e parë të frontit vetëm mantelbardhët, por edhe një mori profesionesh të tjera. E njëjta ka ndikuar pothuajse në çdo sektor, e veçmas në atë të ekonomisë. Tregu i punës në Kosovë, por edhe në botë, ka pësuar ndryshime si pasojë e pandemisë Covid -19. Kjo pandemi bëri që shumë biznese të mbyllen, si rrjedhojë shumë njerëz të mbesin të papunë.

Në muajin prill, Agjencia e Punësimit ka regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinj. Kjo bëri që në periudhën janar-prill 2020, numri i punëkërkuesve të regjistruar të shkojë në 37,392. E nga ky numër, 16,820 janë gra, çka tregon se papunësia tek gratë në Kosovë është thelluar edhe më shumë gjatë pandemisë.

Për t’ju dalë në ndihmë bizneseve dhe punëtorëve që mbeten të papunë, si dhe kategorive të tjera që u ndikuan ekonomikisht prej COVID-19, Qeveria e Kosovës miratoi Pakon Emergjente Fiskale me vlerë prej 179 milionë eurove.

Një raport i fundit i publikuar nga Instituti GAP tregoi se ky buxhet i ndarë nga Qeveria e Kosovës, solli një numër të madh të aplikacioneve por në të cilat komisionet përkatëse gjetën edhe mangësi.

37 mijë ndërmarrje aplikuan për kompensimin prej 170 eurosh për punëtorët e tyre ndërsa numri total i punëtorëve të përfshirë në këtë masë ishte 133 mijë. Mirëpo, komisionet gjetën se në muajin prill, vetëm 41 mijë punonjës gjithsej ishin përfitues të kompensimit.

Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, treguan se në kohë pandemie, edhe numri i punëtorëve në industritë e tregtisë me shumicë dhe pakicë pati rënie. Ky numër, i cili në mars të vitit 2019 ishte 80 mijë punëtorë, në vitin 2020 ra në 43 mijë punëtorë.

Ndër tjera, përgjatë pesë muajve të parë të vitit 2020, në Agjencinë e Punësimit u regjistruan 72,000 punëkërkues të rinj, prej të cilëve 35 mijë persona u regjistruan vetëm në muajin maj. Në shumë komuna të Kosovës u shënua edhe ulje për 20% në numrin e kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës.

Pandemia COVID-19, bëri që të rritej edhe më shumë numri i grave të papuna. Në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ofruar vazhdimisht ndihmë ligjore para dhe gjatë pandemisë për gratë e diskriminuara në baza gjinore në vendin e punës. Shumica e këtyre grave kanë raportuar humbjen e vendeve të punës dhe kanë kërkuar ndihmë nga RrGK.

Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një intervistë për AkademiPune tha se rastet që janë raportuar, kanë të bëjnë kryesisht me mohimin e së drejtës për pushimin e lehonisë dhe shkëputje të kontratave, pa ndjekur procedurat e parapara me legjislacionin në Kosovë.

Image
Adelina Tërshani

“Gjatë periudhës së pandemisë, gratë janë diskriminuar në vendet e punës për shkak se sektorët aktiv për përballje me pandeminë janë të mbi përfaqësuar nga gratë. Kjo gjë ka bërë që atyre t’u cenohen më lehtë të drejtat e punës, siç janë: puna me orar shtesë pa pagesë shtesë, mungesa e masave mbrojtëse nga pandemia e deri te humbja e vendit të punës”

Ajo u bëri thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të monitorojnë vazhdimisht rastet e shkeljes së të drejtave të grave në vendin e punës.

“Si organizatë, ne jemi vazhdimisht të shqetësuar me shkeljen e të drejtave të grave në punë dhe me mungesën e përgjigjes së shpejtë dhe serioze të institucioneve. Prandaj, RrGK u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe veçanërisht Inspektoratit të Punës që të bëjë monitorim të vazhdueshëm të rasteve të tilla dhe t’i adresojë ato me korrektësi në mënyrë që gratë të mos privohen nga e drejta e tyre për një vend pune”

Ndërkaq, Drejtori i Hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti, tha se kthimi i grave në tregun e punës pas pandemisë, mund të shoqërohet me më shumë probleme. Sipas tij, ka disa faktorë që mund të çojnë në një gjendje të tillë.

Image
Jeton Mehmeti

“Për gratë, ka qenë më e vështirë gjetja e një vendi pune edhe në rrethana normale, krahasuar me burrat. Duke pasur parasysh nivelin e ulët të përfaqësimit në pozita menaxheriale, nivelin e lartë të pasivitetit të tyre ekonomik (78.8%) si dhe probleme të tjera që lidhen me diskriminimin e grave siç është gjuha mashkullore e konkurseve të punës, panelet e intervistave të punës të dominuara nga burrat, etj, kthimi i grave në tregun e punës mund të jetë edhe më i vështirë”

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2019 shkalla e punësimit ishte më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat. “46.2 % e meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 13.9 % të femrave po ashtu në moshë pune”, thuhet në raport.

Mehmeti ndër tjera thaseduhet të analizohet se si pandemia COVID-19 e ka ndikuar secilin problem që Kosova ka pasur para koronavirusit, kësisoj të dihet se çka duhet bërë për ta adresuar secilin prej këtyre problemeve. “P.sh, nëse para pandemisë ka pasur më pak perspektivë për të diplomuarit, atëherë cilat janë shanset e tyre për të gjetur një vend pune tani kur mundësitë janë edhe më të pakta?”

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), numri total i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë është 8.330 raste nga 36.509 persona të dyshimtë më virusin SARS-CoV-2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat