​Kosova shënon deficit më të ulët tregtar në muajin gusht

Ekonomi

​Kosova shënon deficit më të ulët tregtar në muajin gusht

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 18.2% në gusht 2020 krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, përkatësisht në vlerë 228.9 milionë euro krahasuar me deficitin 279.9 milionë euro për 2019, ndërsa eksporti mbulon importin me 13%, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin më të ri lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për gusht 2020, del se

eksporti i mallrave kishte vlerën 34.3 milionë euro, ndërsa importi 263.3 milionë euro, që është një rritje prej 7.6% për eksport, dhe një rënie 15.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë 2019.

21.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.5% artikuj e ndryshëm të prodhuar; 12.7% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.7% produktet bimore; 6.6% produktet minerale; 4% tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 12.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.1% produktet minerale; 10% mjetet e transportit; 8.6% produktet e industrisë kimike; 7% plastika, goma dhe artikuj prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë euro, ose rreth 36.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (12.6%), Holanda (3.3%), Britania e Madhe (2.9%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 117.5 milionë euro, ose 44.7% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 26.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (13.6%), Italia (5.6%), Sllovenia (3.2%), Greqia (3.1%), etj.

Në muajin gusht 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 14.7 milionë euro ose 43% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.7%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria (18.9%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (7.5%), Mali i Zi (5.2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2020, arritën në 52.3 milionë euro ose 19.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria (6%), Serbia (6%) dhe Maqedonia e Veriut (5.8%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.1 milionë euro ose 21%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra me 9.6%.

Ndërsa, importet me vendet e tjera të botës arritën në 93.3 milionë euro ose 35.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.2%) dhe Kina (10.6%).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat