AKP-ja shiti 5 mijë ari tokë për vetëm nga 1 euro arin

Ekonomi

AKP-ja shiti 5 mijë ari tokë për vetëm nga 1 euro arin

Më: 15 tetor 2020 Në ora: 11:33
Foto nga takimi

Pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare të Privatizimit(AKP).

Kjo ishte një ndër arsyet e dorëheqjes së Blerim Rexhës nga ish-kryesuesi i Bordit të AKP-së në vitin 2013.

Kështu ka thënë ai sot gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Blerim Rexha, ish-kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimi fillimisht me të marrë fjalën tha para anëtarëve se është i habitur për ftesën e këtij Komisioni, pasi tha se ka shërbyer në AKP në kohë mjaft të shkurtë.

Derisa Rexha bëri të ditur se në këtë institucion ka kryesuar vetëm dy mbledhje të Bordit, tha se AKP nuk ka qenë në funksion të zhvillimit të vendit.

Edhe pse ai tha se në këtë pozitë në AKP kishte shkuar me synimin për të krijuar një transparencë të plotë, por që kishte hasur në vështirësi.

Kryesuesi i Komisionit, Hajrulla Çeku, ka pyetur Rexhën cilat ishin arsyet e dorëheqjes.

Rexha tha se arsyja e dorëheqjes së tij ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët.

“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin: ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, tha Rexha.

Ai ka treguar edhe kohën kur ka shërbyer në AKP.

“Jam emëruar më 21 shkurt 2013 dhe më 16 maj kam dhënë dorëheqje, që i bie se kam shërbyer 84 ditë punë në AKP”, tha ai.

Rexha tha se edhe presioni mediatik dhe publik ka shtyrë të jap dorëheqje edhe pse nuk tregoi për emrat e mediave.

Derisa ka thënë se nuk ka pasur asnjë shantazh politik, ka vazhduar të theksojë se qëllimi i tij në AKP ka qenë transparenca dhe siç tha ishte keqkuptuar se kinse ka qenë kundër interesave amerikane.

“Kërkesa ime për transparencë në mbledhjen e dytë ka hasë në parregullsi, sidomos shitja me çmim të lirë të aseteve, këtu kanë dalë pakënaqësitë se kinse unë jam kundër interesave amerikane dhe evropiane. Më 16 maj 2013 kam dhënë dorëheqje. Pra, tendenca se unë jam kundër interesave amerikane dhe evropiane nuk qëndron”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit. Hekuran Murati, e ka pyetur Rexhën se në atë kohë a ka qenë anëtar i ndonjë partie politike dhe a është përzgjedhur me konkurs.

Rexha pranoi se ka qenë anëtar i PDK-së, teksa tha se me krenari të ketë shërbyer në këtë parti.

“Kam qenë në PDK dhe me propozim të qeverisë në krye me Hashim Thaçin në atë kohë jam propozuar nga qeveria për kryesues të Bordit të AKP-së. Nuk ka pasur konkurs, kuvendi kishte votuar propozimin e qeverisë për kryesues të AKP-së”, tha Rexha.

Pas këtij intervsitimi, në orën 11:00 pritet që Komisioni ta intervistojë edhe Shkëlzen Lluka, ish-drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat