Mbi 70 mijë litra qumësht në stoqe, fermat drejt mbylljes

Ekonomi

Mbi 70 mijë litra qumësht në stoqe, fermat drejt mbylljes

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 14:01
Foto Ilustrim

Janë mbi 70 mijë litra qumësht të cilët kanë mbetur në stoqe dhe nuk po arrijnë të shiten. E, shumë nga fermat janë mbyllur kohëve të fundit meqë nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Kështu u tha në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, ku janë paraqitur për problemet me grumbullimin e qumështit nga ana e fermerëve të Kosovës nga kryetari i Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj.

Memaj tha se problemet më të mëdha janë me grumbullimin e qumështit. Ky i fundit ka ngritur shqetësimin edhe me importimin e prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, për çka tha se është bërë shkelje flagrante e ligjit.

"Në Kosovë për momentin janë mbi 70 mijë litra qumësht të cilat nuk po arrijnë të shiten. Tani në kohët e fundit e kemi dukurinë e mbylljes së fermave ,në pamundësinë që të mbijetojnë si shkak i situatës. Nga terreni na vijnë informacione se 50 përqind e çmimeve janë zvogëluar. Çështja e zbritjes së çmimeve rrezikon një pjesë të madhe të fermerëve të cilët edhe po ta shesin qumështin në këtë formë nuk mbërrijnë të mbijetojnë", ka deklaruar ai.

Memaj tha se kanë insistuar për ndihmë, por që nuk ka pasur reflektim duke marrë veprime konkrete. Sipas tij, kërkesat dhe shqetësimet e tyre janë neglizhuar.

"Ka shkelje flagrante të ligjit, ku është lejuar importimi i prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, diku 10 milionë kg për vit. Vijnë përmes certifikatave veterinare", është shprehur ai.

AVUK, sipas tij, ka lejuar të importojë produkte të cilat nuk kanë njohuri se çfarë përmbajtje ka.

Ai theksoi se kanë dorëzuar kallëzim penal për AVUK në Prokurorinë e Shtetit, por që deri tash nuk është ndërmarrë asgjë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat