Banka Botërore: Shqipëria e Kosova me rënien më të fortë ekonomike në Ballkan pas Malit të Zi

Ekonomi

Banka Botërore: Shqipëria e Kosova me rënien më të fortë ekonomike në Ballkan pas Malit të Zi

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 21:24
Ilustrim

Banka Botërore ka rishikuar në ulje vlerësimet e saj për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, si pasojë e ndikimit të pandemisë së COVID 19-ës, duke folur për një recesion të thellë të rajonit. “Aktiviteti ekonomik në Ballkan, parashikohet të tkurret me 4.8 përqind në 2020, ose - 1.7 pikë përqindje nën parashikimin e bërë në Raportin e Rregullt Ekonomik të pranverës 2020”, bëri të ditur sot Banka përmes publikimit të Raportit të saj të vjeshtës.

Në ulje, Banka ka rishikuar dhe rritjen e ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat, pritet të kenë rënien më të fortë mes vendeve të rajonit, pas Malit të Zi. Serbia rezulton të jetë vendi në të cilin ndikimi i pandemisë parashikohet të ndjehet më pak. Sa i takon vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova mendohet se mund të kenë rimëkëmbjen më të shpejtë, pas Malit të Zi, me një Prodhim të Brendshëm Bruto më të lartë.

Sipas Bankës Botërore, shkaqet e recesionit në Ballkanin Perëndimor janë “rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme, dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit për shkak të masave të vendosura të kufizimit, të tilla si bllokimet e plota. Një valë e dytë e pandemisë në Ballkanin Perëndimor që nga mesi i qershorit dhe pasiguria politike rreth zgjedhjeve në disa vende kanë penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit dhe kërkesave të distancimit social, sezoni i turizmit veror në thelb konsiderohet i humbur, gjë që ka goditur veçanërisht rëndë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi”.

Në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, kriza e COVID 19-ës vlerësohet të ketë shtyrë në varfëri mbi 300,000 njerëz, një numër i konsiderueshëm, por që, sipas Bankës Botërore, është më pak se gjysma e asaj që do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin ndërmarrë masa si kundërpërgjigje.

Shqipëria, rënia ekonomike -8.4 përqind

Në raportin e saj të pranverës, Banka Botërore parashikonte që ekonomia shqiptare të tkurrej me 5 përqind, dhe në variantin më të keq në 6.9 përqind. Por tani, ato kanë shkuar më tej, dhe vlerësimi për aktivitetin ekonomik të vitit 2020 është për një rënie me -8.4 përqind, e ndikuar “nga ulja e konsumit privat, i cili pritet të ketë një kontribut negativ prej 5.2 pikë përqindje në rritjen ekonomike dhe nga eksportet që pritet të kenë kontribut negativ prej 3.4 pikë përqindje në rritjen ekonomike”. Sipas Bankës Botërore “pavarësisht gjithë financimeve të qeverisë për rindërtimin pas tërmetit, investimet pritet të kontribuojnë me vetëm 0.2 pikë përqindje në rritje”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat