Demokracia Plus: OSHP po e ‘përdor’ pandeminë për të mos mbajtur seanca

Ekonomi

Demokracia Plus: OSHP po e ‘përdor’ pandeminë për të mos mbajtur seanca

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 14:52
Demokracia Plus

Organizata Demokracia Plus (D+) ka reaguar ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i cili për shkak të pandemisë COVID-19 nuk është duke i mbajtur seancat me palët dhe publikun.

Sipas D+, mos mbajtja e seancave me palët në kuadër të shqyrtimit të ankesave u pamundëson palëve ballafaqimin e argumenteve ndërmjet tyre dhe kundërshtimet e ekspertizave gjë që paraqet thelbin e shqyrtimit të ankesave në prokurim publik.

“Ballafaqimi i palëve është e drejtë e garantuar me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative. Secilës palë duhet t’i garantohet e drejta e dëgjimit pranë panelit në mënyrë që të ketë mundësi të dëshmojë se ankesa është e bazuar dhe se paneli ka dëgjuar të gjitha provat dhe pretendimet e parashtruara. Në praktikën aktuale, OSHP është duke marrë vendime vetëm në prani të panelit me arsyetimin e rrezikimit nga pandemia. Sidoqoftë, ky arsyetim ka pasur bazë vetëm për një kohë të shkurtër dhe OSHP duhet që të përdorë teknologjinë informative, apo të organizojë seancat me masa mbrojtëse dhe në këtë mënyrë t’i mundësojë palëve që të parashtrojnë argumentet e tyre në seancë ku i ballafaqojnë të gjitha kundërshtimet dhe pretendimet e veta”, thuhet në njoftimin e D+.

Në fund, Demokracia Plus i bënë thirrje OSHP-së që të rikonsideroj vendimin e saj për të mos mbajtur seanca të hapura me palët dhe të garantojë se secili vendim i saj të nxirret vetëm pasi që palëve t’iu garantohet e drejta e dëgjimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat