Kuçi: Po punojmë drejt një marrëveshjeje me “Dardafon” për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit

Ekonomi

Kuçi: Po punojmë drejt një marrëveshjeje me “Dardafon” për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 16:21
Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, tha se llogaritë e Telekomit të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuar nga kompania “Dardafon” për shkak të borxhit ndaj saj.

Kuçi tha se janë në një proces të arritjes së një marrëveshjeje me “Dardafon” për të bërë amortizimin e borxhit ndaj saj. Megjithatë, ai tha se nuk mund të gjejnë zgjidhje brenda afatit të vendosur nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit.

Këto komente ministri Kuçi i ka bërë në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Kuçi: Duam marrëveshje për amortizimin e këtij borxhi

“Momentalisht (xhirollogaritë) janë të bllokuara prej kompanisë ‘Dardafon’ e cila ka fituar kontestin në raport me Telekomin, xhirollogaritë i kemi të bllokuara edhe pse kemi pasur një proces të zgjatur të mundësisë të arritjes së një marrëveshjeje edhe ende jemi në një proces bashkë me ‘Dardafon’. Jemi duke shikuar marrëveshjen për të bërë një plan të amortizimit të këtij borxhi”, tha ai.

Ministri Kuçi është shprehur i bindur se marrëveshja me “Dardafon” nuk mund të arrihet për 48 orë, afat i cili i është dhënë nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit, e që pas këtij afati ata kanë paralajmëruar greva e protesta.

Kuçi: Duam zgjidhje afatgjate

“Jam i bindur që nuk mundemi brenda dy dite, ashtu çfarë ka thënë sindikata, por jemi në bisedime për të gjetur mënyrën. Ne jemi në proces të një marrëveshjeje të gjetjes së një zgjidhje, jemi duke shikuar me Ministrinë e Financave dhe me mekanizmat e tjerë që me gjet zgjidhje afatgjate”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit është shqyrtuar edhe çështja e emërimit të bordeve të përkohshme në ndërmarrjet publike, për çka deputetët kanë thënë se po bëhet në kundërshtim me ligjin.

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se me rastin e emërimit të bordeve të përkohshme në ndërmarrjet publike janë duke bërë shkelje.

Kusari: Është e ndaluar, e pavlefshme dhe e pazbatueshme

“Neni 43, pika 5, çdo përpjekje për zgjatje ose përtëritjen e mandatit të një bordi të përkohshëm të drejtorëve përtej afatit të përcaktuar në paragrafin 4 të këtij neni është e ndaluar, e pavlefshme dhe e pazbatueshme”, tha ajo.

Në përgjigjen e tij, ministri Blerim Kuçi, tha se për emërimin e bordeve të rregullta janë në proces dhe se aktualisht janë duke pritur që të kalojë faza e ankesave nga ata që nuk janë përzgjedhur në fazën e parë.

Kuçi: Jemi në proces të përzgjedhjeve të bordeve

“Jemi në proces të ankimimit, pra jemi në proces të përzgjedhjeve të bordeve dhe jemi në procesin e ankimimit që kanë ardhur nga ata të cilët nuk janë zgjedhur në fazën e parë”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka pyetur rreth planit që ka Qeveria për Trepçën, kur tash kjo ndërmarrje i ka të bllokuara llogaritë për një borxh prej 7 mijë eurove.

Shala: Për 7 mijë euro e kanë mbyllur konton e Trepçës

“Përmbaruesi për 7 mijë euro e ka mbyllur konton e Trepçës, rreth 1 mijë e 300 punëtorë, një gjigand me specifika tejet të veçanta teknike-teknologjike si ka mundësi që të mos i ketë 7 mijë euro në konton e vet”, tha ai.

Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, tha se Trepça aktualisht nuk ka asnjë euro në llogarinë e saj, përkundër që kjo ndërmarrje është ndihmuar me mbi 7 milionë euro vetëm gjatë këtij viti.

Kuçi: Gjatë këtij viti Trepça ka marrë diku rreth 7 milionë e 100 mijë euro

“Gjatë këtij viti Trepça ka marrë diku rreth 7 milionë e 100 mijë euro, duke e pasur parasysh kategorinë e subvencioneve dhe kategoritë e tjera deri tani iu kanë dhënë nga Qeveria diku rreth 7 milionë euro. Është fakt siç e thotë z. Shala sepse ata sot nuk e kanë asnjë euro në llogarinë e tyre. Po është edhe një fakt tjetër të cilën ne e kemi shtjerr pothuajse mundësitë maksimaliste që kemi pasur në këtë kuptim sa i përket Trepçës. Normalisht ne kemi tash edhe programin për rimëkëmbje ekonomike, ne kemi bërë kërkesë për të ndihmuar edhe një herë Trepçën, por duke pasur parasysh situata është jo e mirë në Trepçë”, tha ai.

Në këtë mbledhje është votuar edhe votimi i Projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat