OEGJK e shqetësuar për masat e reja

Ekonomi

OEGJK e shqetësuar për masat e reja

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 13:45
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka bërë të ditura masat e reja për mbrojtje nga COVID-19 e të cilat masa do të hyn në fuqi këtë të premte.

Masat më të rrepta janë për komunat që janë në zonën e kuqe, ku veprimtaria ekonomike do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 19:00, pas kësaj ore do të mbyllen të gjitha, e edhe lëvizja e qytetarëve.

E ndaj kësaj ka reaguar Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare e cila e sheh shqetësuese për mbylljen eventuale e që ka theksuar se kjo situatë epidemologjike e kërkon miratimin e shpejt të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, masa të mëtejshme për ta parandaluar përhapjen e pandemisë covid-19 dhe për ta ulur presionin në sistemin e dobësuar shëndetësor duket se janë të pashmangshme. Megjithatë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) është e shqetësuar me deklaratat publike të Qeverisë Hoti për mbyllje eventuale”, thuhet në komunikatën e Odës Gjermane.

OEGJK i bën apel Qeverisë së Kosovës që masat e mëtejshme t‘i përcaktojë mirë dhe në konsultim të ngushtë me përfaqësuesit e sektorit privat, ashtu që të parandalohet ngarkesa e panevojshme në ekonomi.

OEGJK vlerëson se një mbyllje e dytë, e pakoordinuar dhe e pa fokusuar, do të ishte një goditje e rëndë për bizneset anëtare të Odës, që do të rezultonte me humbje të vendeve të punës dhe do të rrezikonte kontratat për eksport të shërbimeve dhe mallrave me partnerë gjermanë.

Një mbyllje e dytë do të ndikonte në tkurrjen e mëtutjeshme ekonomike dhe situata do të përkeqësohet më tej për shkak të përkrahjes së pamjaftueshme financiare nga ana e Qeverisë, në përpjekje për të mbështetur bizneset gjatë kësaj periudhe.

Për më tepër, miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike është me rëndësi të madhe. Është shumë dëshpëruese që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po arrijnë të bëjnë kompromis dhe ta marrin përgjegjësinë me të cilën janë ngarkuar në miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

OEGJK u bën thirrje deputetëve që urgjentisht ta miratojnë këtë projektligj!

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare si organizatë biznesi që përfaqëson interesat e komunitetit të biznesit gjerman në Kosovë dhe që ka për mision intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës, ofron gatishmërinë për të hyrë në konsultime me Qeverinë për masat e mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat