OEK: Shteti detyron naftëtarët të mbajnë çmimet e derivateve më shtrenjtë se vendet tjera

Ekonomi

OEK: Shteti detyron naftëtarët të mbajnë çmimet e derivateve më shtrenjtë se vendet tjera

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 13:51
foto nga vendi ngjarjes

Shteti po i dëmton naftëtarët me miliona euro me anë të tri Udhëzimeve administrative që janë nxjerrë sivjet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, së bashku me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani gjatë një konference për medie, të cilët shprehen shqetësimin e tyre për sa i përket trupave inspektuese për kontrollin e cilësisë derivateve, për pastrimin e rezervarëve dhe kalibrimin e agregateve (rrjedhja e derivateve).

Kryetari Rukiqi tha se pa asnjë konsultim me bizneset, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nxjerrë vendime që dëmtojnë naftëtarët me miliona euro, derisa shtoi se ka shënuar rënie importi dhe kërkesa për derivate në pandemi dhe disa kompani siç tha ai në këtë sektor janë duke punuar me humbje.

Rukiqi: MTI dëmton naftëtarët me miliona euro

“Ne jemi të shqetësuar me zhvillimet në përgjithësi që lidhen me vendime të ndryshme në raport me kompanitë e sektorit privat, por në veçanti kohëve të fundit me një vendim marrje pa asnjë konsultim e cila po ndikon jashtëzakonisht në sektorin e naftës dhe derivateve. Në kohë pandemie janë tri masa apo Udhëzime administrative të cilat kanë efekte milionëshe në sektorin e naftës dhe derivateve. Prandaj, jemi duke fol për barriera dhe kërkesa shtesë të cilat shkojnë drejtpërdrejt në dëm të këtyre kompanive… Shembull për këtë janë trupat inspektuese, inspektimin për cilësi të naftës e ka bërë Dogana… dhe tash po kërkohet që me u kthyer prapë trupa inspektuese që janë dëshmuar të pa arsyeshëm, me largua një shërbim publik dhe me angazhuar një operator privat. Ky është dëmi i parë”, theksoi Rukiqi.

Kryetari Rukiqi më tej tha se këto udhëzime ndikojnë edhe në çmimet e naftës që janë më të shtrenjta se në vendet tjera.

Rukiqi: Këto vendime kanë ndikuar që nafta të jetë më e shtrenjtë se vendet tjera

“Tani kur po pyet opinioni publik, pse naftëtarët më shtrenjtë në Kosovë s’e në vendet tjera, përgjigjen e gjeni në këto lloj vendimesh”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani tha se udhëzimet janë nxjerrë nga MTI pa pëlqimin e naftëtarëve.

Berjani tha se pastrimi i rezervarëve në çdo tri vjet nuk ndodh në asnjë vend të rajonit dhe më gjerë, derisa ka kërkuar që këto udhëzime administrative duhet sa më parë të shfuqizohen.

Berjani: Çdo biznes paguan 3-4 mijë euro për pastrimin e rezervarëve, e pa përballueshme

“Po shihet se çfarë po ndodhë në vendin tonë. Në kohë pandemie rëndohen bizneset. Në këtë kohë duhet të ndihmohen, jo të rëndohen. 600 euro kushton një rezervarë pastrimi. Çdo pikë karburanti ka nga katër, që i bie një biznes në këtë kohë pandemie paguan 3-4 mijë euro”, theksoi Berjani.

E Tahir Zogaj nga një kompani e derivateve, theksoi se kalibrimi i rrjedhjes së derivateve tashmë është shtrenjtuar për 16 euro, nga 10 në 26 euro, siç tha ai është i papranueshëm./I. Shabani/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat