Rritja e pagave në Postë, Ministria e Ekonomisë kërkon anulimin e vendimit

Ekonomi

Rritja e pagave në Postë, Ministria e Ekonomisë kërkon anulimin e vendimit

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:51
Foto Ilustrim

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Postës ka planifikuar një nivel të ri të koeficienteve të pagave, që po kundërshtohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Sipas një njoftimi të Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Postës, niveli i ri i pagave nis nga grada 17 e zyrtarëve të lartë, deri te grada një për punëtorët e terrenit.

Në arsyetim ky bord ka thënë se “nuk ka rritur asnjë pagë të askujt”, “por që e ka gjetur një gjendje pa ligjshmërie nga ish-Bordi i Përkohshëm deri më 1 tetor 2020 me motive që ata i dinë”.

Arsyetimi i Bordit të Drejtorëve në Postë ishte se me vendimet e ish-bordit “ishte prishur hierarkia e përgjegjësisë ligjore dhe llogaridhënëse, duke zbritur kompensimin e zyrtarëve të Lartë nën pagat e vartësve të tyre”.

“Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës, nuk ka pasur asnjë mundësi të fillojë zbatimin dhe nivelin e ri të Biznes Planit për vitin 2021, pa e kthyer rregullsinë ku eprori paguhet më shumë se vartësi”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se në mbledhjen e ardhshme do të aprovohet plani i biznesit për periudhën 2021-2023, dhe aty do të ketë reduktime të “shpenzimeve të stafit”.

Në njoftimin e Bordit të drejtorëve thuhet po ashtu se janë të fokusuar që “të tejkalohet sfida afariste në këtë kohë pandemie”.

Ndërkaq kjo është kundërshtuar nga Ministria e Ekonomisë.

Përmes një shkrese drejtuar Bordit të Postës, kjo ministri ka bërë thirrje që të anulohet vendimi për ndryshim koeficientesh.

“Ky veprim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është ndërmarrë sapo ka ardhur procesverbali nga mbledhja e Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës, të mbajtur 03/12/2020. Ndryshimi i koeficientëve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet. Për më tepër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka sugjeruar më parë këtë ndërmarrje që të zvogëlojë pagat për 30% për pozitat e larta udhëheqëse”, thuhet në reagimin e MEA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat