Nesër nis aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit të Trustit

Ekonomi

Nesër nis aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit të Trustit

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 23:30
Trusti Pensional

Nesër nga ora 15:00, qytetarët e Kosovës do të fillojnë aplikimin për tërheqjen e 10 për qind nga kursimet e tyre në Trustin Pensional të Kosovës.

Zëdhënësi i Fondit Pensional të Kosovës (TRUST), Jeton Demi ka dhënë detaje për mënyrën e aplikimit të qytetarëve për të tërhequr 10% e kontributeve në Trust. Aplikimi do të zgjas për 4 muaj.

Demi ka folur edhe për rrezikun e mosfunksionimit të uebfaqes për shkak të fluksit të madh të qytetarëve.

“Do ta testojmë uebfaqen e re. Besojmë e kemi kaluar këtë vështirësi dhe që nuk do të kemi problem me të”, ka thënë ai.

Ai ka thënë që për të aplikuar nevojitet vetëm numri personal i kontributdhënësit dhe numri i llogarisë bankare.

“Në momentin që ai e kryen aplikimin deri aty ne e kemi vendosur edhe email dhe numrin e telefonit që nëse kontributdhënësi e sheh të arsyeshme mund t i shkruaj por edhe jo. Momenti i fundit është konfirmimin se a don ta konfirmoj apo jo procesin”, ka deklaruar ai.

Për sa i përket kohës se kur do tu dalin mjetet kontributdhënësve në llogari, Demi ka thënë që është një periudhë kohore 7-14 ditë.

“Ne kemi vendosur një projeksion 7 ditësh fillestar por ky është një projeksion me disa kushte dhe në disa raste të caktuara të qasjes dhe të numrit të atyre që futen dhe aplikojnë. Maksimimu do të jetë nga 7 deri në 14 ditë. I kemi ndarë në dy blloqe. Pra disa do të paguhen në një bllok e disa në tjetrin. Dikush mundet me prit 7 ditë e dikujt mund ti dal pagesa për një ditë. Varet kur aplikon”, ka thënë ai.

U.d e presidentit Vjosa Osmani, tashmë ka dekretuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili të premten u miratua në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Përmes këtij Ligji mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Ligji në fjalë ishte proceduar nga Qeveria që nga vera, ndërkaq në lexim të parë ka arritur të miratohet pas gjashtë tentimeve. Kurse, në lexim të dytë, më 11 nëntor nuk kishte arritur që të niste seanca për votimin e tij për shkak të mungesës së kuorumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat