Ekonomistët komentojnë 10%shin e Trustit

Ekonomi

Ekonomistët komentojnë 10%shin e Trustit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 dhjetor 2020 Në ora: 13:53
Trusti Pensional

Pandemia Covid-19, që nga muaji mars i këtij viti ka shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike si kudo në botë ashtu edhe në Kosovë.

Për ta zbutur sado pak këtë situatë, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin përfshihet mundësia e tërheqjes së 10 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.

Pikërisht një nga arsyet kryesore pse u vonua miratimi i këtij ligji, ishte refuzimi i votimit të tërheqjes së 10% të Trustit Pensional, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtonte vazhdimisht.

Në opinionin publik, ka pasur reagime të mëdha se tërheqja e 10% të Trustit është e rrezikshme dhe jo adekuate, pasi ndihmon vetëm një pjesë të popullsisë.

Kurse, ka pasur edhe nga ata të cilët e kanë mbështet këtë vendim dhe e kanë cilësuar si një ndihmës dhe mbështetje të madhe ekonomike për qytetarët në kohë pandemie.

Mirëpo, të premten (11 dhjetor) u hap edhe zyrtarisht aplikimi për tërheqjen e parave nga Trusti. Numri i aplikimeve ishte shumë i lartë, kjo në një farë mënyre ka treguar se qytetarët e kanë vlerësuar dhe e kanë mbështetur këtë iniciativë të Qeverisë Hoti.

Kadriaj: Me tërheqjen e 10% të trustit, rriten të hyrat në arkën e shtetit

Image
Mustafë Kadriaj

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj gjatë një bashkëbisedimi më gazetën “Bota sot” komentoi ndikimin që do ta ketë tërheqja e 10% të Trustit në shportën e konsumit.

“Duke marrë parasysh që sipas konfirmimit të qeverisë që nga trusti do tërhiqen përafërsisht 200 milionë euro rrjedhimisht fuqia blerëse do rritet për këtë shifër dhe zakonisht kjo vlerë do ndikoj në shportën e konsumit ndërsa, shporta e tekstilit vlerësoi që nuk do ketë ndikim sepse pjesa dërrmuese e qytetarëve kanë kursime aq të vogla të kursimeve që janë të papërfillshme për tregun e tekstilit”, deklaroi Kadrija.

Ai potencoi se tërheqja e 10% së Trustit, do ndikoj në rritjen e qarkullimit tregtar në bizneset ushqimore dhe të hyrat në arkën e shtetit.

“Me këtë rast zingjiri ekonomik do ndikoi në rritjen e qarkullimit tregtar tek bizneset e caktuara kryesisht ushqimore por, njëherit do rriten të hyrat në arkën e shtetit”, tha Kadrija.

Tutje, Kadrija shtoi se pretendimi i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike, ka bërë një diferencim dhe padrejtësi tek një kategori punëtore e cila ka qenë në treg të punës.

“Pra pretendimi i qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike ka pak vend për lavde për faktin që qytetarët po i shpenzojnë mjetet e tyre të kursyera pra kategoria që ka mbi 10 mijë euro.

Pra, këtu është bërë një diferencim dhe padrejtësi tek një kategori punëtore që sipas kursimve kanë qenë në treg të punës që kjo ka ndikuar në performancën e punës. Pra kjo shije është demotim për njerëzit që kanë ambicie për punë”, theksoi eksperti i ekonomisë

Në fund, Kadrija tregoi mënyrën se si të zbutet hendeku i diferencimit social, kjo përmes rimbursimit të parave për të gjithë personat që kanë deri në 10 mijë euro kursime në Trust.

“Si përfundim kur konteston një temë të caktuar duhet me dhënë zgjidhjen dhe në këtë rast do ishte e rrugës qe rimbursimi të ishte për të gjithë deri në vlerë 10 mijë euro. Ndërsa, vlera mbi 10 mijë të mos rimbursohet për faktin që po përballemi me pandemi dhe Kosova ka një buxhet të varfër që do ishte më e pranueshme për këtë kategori të përfituesve, njëherit do zbutej hendeku i diferencimit social në vend”, përfundoi Kadrija.

Beqiri: Me miratimin e ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, u shkel Kushtetuta e Kosovës

Image
Lulzim Beqiri

Kurse, njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” vlerësoi se miratimi i ligjit i cili mundësoi tërheqjen e 10% të Trustit ishte i mirëseardhur, mirëpo ai tha se është shkel Kushtetuta e Kosovës.

“Duke u bazuar në gjendjen e krijuar nga pandemia Covid 19, miratimi i ligjit i cili mundëson tërheqjen e 10%-shit në bazë të ligjit për rimëkëmbje ekonomike është i mirëseardhur ndonëse vlerësoj se shkel kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal, kështu po thotë neni 24 i kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi Beqiri.

Ai tha se diskriminimi i personave, ka ardhur si pasojë e shumave të parave të kursyera në Trustin Pensional. Mirëpo, ai potencoi se pa marrë parasysh formën se si është miratuar ky ligj, kjo është një ndihmes për qytetarët, në kohë pandemie.

“Pra ligji për tërheqjen e Trustit (10%), diskriminon një pjesë të qytetarëve të vendit pa llogaritë se paratë janë të qytetarëve jo të propozuesve, thjesht një lojë me qytetarët e varfër.

Si do që të jetë, do të jetë një ndihmës është mbështetja e qytetarëve pa marrë parasysh formën se si ka ardhë ky ligj”, deklaroi Beqiri.

Njohësi i çështjeve ekonomike, komentoi edhe propozimin e PDK-së për mbështetjen e punëtorëve që kanë humbur vendet e tyre më një shumë prej 300 euro. Beqiri vlerësoi se ky propozim ishte shumë i dëmshëm, sepse krijohen njerëz parazit duke pritë vetëm para nga shteti.

“Propozimi i PDK-së për mbështetje nga 300€ për punëtoret që kanë humbur vendet e tyre të punës për tre muajt e ardhshëm është popullsitë dhe i pa vend, nëse ata siç pretendojnë ti ndihmojnë qytetarët është dashtë të propozojnë që ata qytetarë që kanë mbet pa punë të hynë në marrëdhënie pune për tre muaj jo të krijohen njerëz parazit duke pritë vetëm parat e shtetit, nëse gëzon shëndet të mirë assesi nuk duhet të marrë para pa punuar”, tha Beqiri.

Beqiri propozimin e PDK-së e cilësoi si popullist dhe pa strategji, pasi ata përfitues mund të i angazhojnë në disa sektorë të punëve të tjera dhe jot ë rimbursohen me para nga buxheti i shtetit.

“Pra, ata përfitues mund të angazhohen ne mirëmbajtje të rrugëve, pastrim të pyllit, mbjellje të drunjtëve e deri te asistenca në shëndetësi e njëmijë punë tjera. Propozime popullsite dhe pa strategji tash e 20 vite”, nënvizoi ai.

Beqiri në fund tha se përfituesit më të mëdhenj të Trustit janë politikanët, ministrat, funksionarët e lartë të shtetit, pasi që pagesa mesatare e tyre është shumë e lartë.

“Top përfituesit nga ligji për rimëkëmbjen ekonomike konkretisht Trusti janë politikan, ministra funksionar të lartë të shtetit, ta zëmë paga mesatare e një deputeti është 1500€ pa llogaritë dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh e që mesatarisht marrin rreth 2000€ në muaj”, përfundoi Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat