​AKP rriti shpenzimet për paga dhe mëditje 605 mijë euro

Ekonomi

​AKP rriti shpenzimet për paga dhe mëditje 605 mijë euro

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 14:06
Komisioni për Buxhet dhe Transfere

As sot nuk ka kaluar në parim projektbuxheti për vitin 2021 në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, pasi në momentin e votimit, deputetja nga Lista serbe, Verica Qeraniq braktisi mbledhjen dhe pamundësoi vendimmarrjen.

Me 5 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, kështu nuk ka pasur kuorum për votim e kësaj pike të rendit të ditës.

Komisioni ndërkaq arriti të miratojë raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019.

Rritja e shpenzimeve për paga dhe për qiratë, si dhe për internet në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka qenë shqetësuese për deputetët e opozitës gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar për vitin 2019 në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Anëtari Bordit të AKP-së, Hajzer Salihu tha se 8 milionë e 267 mijë euro ka qenë buxheti për vitin 2019, ndërsa janë shpenzuar 7 milionë e 473 mijë euro ose në total AKP në masën 93 për qind, dhe sipas të cilit në këtë mënyrë nuk ka pasur shpenzime të luksit në AKP.

Kryetari i komisionit, Hekuran Murati ka kërkuar llogari për rritjen e pagave, sipas të cilit edhe ashtu janë të larta në AKP, dhe për shpenzimet e mëdha për qira prej 407 mijë euro në vit.

Deputeti Murati ngriti shqetësimin edhe për rritjen e shpenzimeve për paga dhe rritjen e numrit të punëtorëve. Ai tha se paga mesatare në AKP del të jetë 1 mijë e 763 euro për punëtor dhe janë angazhuar 68 punonjës me kontratë mbi vepër.

Murati: 605 mijë euro janë rritur shpenzimet për paga dhe mëditje në AKP

“U tha që nuk ka shpenzime të luksit dhe janë kursyer para, megjithatë te buxheti dhe për shpenzime shihet që në raport me vitin paraprak (2018), ka pasur rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve sidomos rritja më e theksuar është te kategoria e pagave dhe mëditjet. Kemi një rritje prej afër 605 mijë euro. Cila është arsyeja, ka pasur punësim apo janë rritur pagat?”, tha Murati.

Anëtari i Bordit të AKP-së, Salihu duke dhënë përgjigje për këtë, tha se diferenca e shpenzimeve për paga dhe mëditje në krahasim me vitin 2018 është bërë për shkak të rritjes së numrit të të punësuarve në administratë dhe kompletimit të bordit.

Salihu: Është rritur numri i të punësuarve më 2019 në AKP

“Diferenca për pagat dhe mëditje, janë arsyet, sepse është rritur numri i të punësuarve në administratë. Po ashtu, gjatë vitit 2018 bordi ka qenë i pa kompletuar dhe në fillim të vitit 2019 është kompletuar. Pra, kjo çështje rezulton edhe me ngritjen në këtë kategori. Me Ligjin e Buxhetit ne i kemi pasur të aprovuara pozitat dhe në kuadër të kësaj ne i kemi rekrutuar zyrtarët për pozitat e nevojshme”, tha ai.

Deputetja Yllëza Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur çështjen e rritjes së shpenzimeve për internet, në rreth 12 mijë euro.

Hoti: Për internet shpenzimet u rritën në rreth 12 mijë euro

“Te pjesa e shpenzimeve të telekomunikimet, shpenzimet për internet kanë shënuar rritje shumë të madhe prej vitit paraprak 2018 kur kanë qenë të shpenzuara 2 mijë 850 euro, ndërsa këtë vit (2019) janë shpenzuar 11 mijë e 809 euro. Nëse mundeni të shpjegoni përse është bërë ky ndryshim ose kjo rritje?”, tha ajo.

Drejtori menaxhues në AKP Valon Tolaj tha se rritja e shpenzimit për internet ose çmimit nuk ka ndodhur nga AKP, por është imponuar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP).

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi ka përgëzuar menaxhmentin dhe bordin për kursimin e buxhetit rreth 800 mijë euro.

Megjithatë, ai u shpreh i brengosur për zyrat e AKP, siç tha ai se janë të papërshtatshme, në një pronë sipas të cilit i takon komunës së Prishtinës.

Abrashi kërkoi nga menaxhmenti rrjedhën e procesit të privatizimit dhe për numrin e aseteve të pa privatizuar.

Abrashi: Sa është numri i aseteve që kanë mbetur pa u shitur deri më tash

“A ka ndonjë analizë për numrin e aseteve, edhe sa asete numerikisht ka mbetur të pa shitura. Sa është numri i atyre aseteve edhe ka ndonjë përllogari sa mund të jetë vlera e atyre asteve, të cilat ishte dashur të shiten deri në fund të procesit të privatizimit”, tha Abrashi.

Tolaj për këtë tha se gjatë vitit 2020, AKP nuk e ka zhvilluar aktivitetin e saj të procesit të privatizimit si pasojë e vendimit të Qeverisë në fillim të vitit për ndaljen e privatizimit. Ai tha po ashtu se janë diku 2300 asete të pa shitura, prej tyre 30 mijë parcela, ndërsa objekte janë rreth 700 të madhësive të ndryshme.

Tolaj: Qe një vit është ndal privatizimi, ndërsa shpenzimet për pagat vazhdojnë

“Pothuajse gjatë gjithë vitit, AKP nuk k zhvilluar aktivitetin e saj sipas mandatit ligjor, si pasojë e vendimit të Qeverisë. Ajo që na shqetëson është se po bëjmë shpenzime në administrim të aseteve të mëdha, po ashtu edhe shpenzimet në paga të zyrtarëve të AKP-së nuk janë të vogla… Shitja nuk ka ndodhur qe një vit në agjenci dhe kjo na ka shqetësuar… Lidhur me pyetjen për objekt, AKP fatkeqësisht, ato vetëm zyra nuk janë. Janë disa baraka që gjendemi ashtu. Ne kemi bërë një marrëveshje me qeverinë dhe kemi vlerësuar se është e pa logjikshme që të paguajmë qira në objekte private në mënyrë që t’i shmangemi qiratë. Ky është një problem që është i trashëguar. Jemi të shpërndarë në 11 lokacione që paguajmë qira”, tha ai.

Ndërsa, deputeti nga LDK-së, Fatmir Rexhepi ka mbështetur raportin financiar të AKP-së, sipas të cilit është brenda standardeve për të gjitha shpenzimet

Rexhepi: Raporti brenda standardeve

“Brenda kësaj kornize çka u tha këtu dhe nga ajo që kemi parë brenda numrave të planifikuar të këtij buxheti që është rreth 8 milionë dhe për shpenzimet, unë mund ta përkrah në parim, për arsye se është brenda standardeve për të gjitha shpenzimet krahasuar me vitin 2018”, tha ai.

Numri i zyrtarëve të punësuar në AKP është 257, përfshirë bordin prej tetë anëtarëve. Pas diskutimit prej gati dy orësh, Komisioni ka votuar raportin financiar të AKP-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat