OAK mban Kuvendin e Rregullt të Punës

Ekonomi

OAK mban Kuvendin e Rregullt të Punës

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 16:14
OAK

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), këtë vit ka mbajtur Kuvendin Rregullt tëPunës, ndryshe nga herat e tjera në formë virtuale, me ç’rast u prezentuan aktivitetet e OAK-së, të arriturat, çështjet e zgjidhura dhe trajtuara si dhe raporti financiar për vitet 2019 dhe 2020. Me këtë rast u diskutuan edhe prioritetet dhe planifikimi i buxhetit për vitin 2021.

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit Oda e Afarizmit të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me anëtarësinë ka punuar shumë në përmbushjen e vizionit dhe qëllimeve të OAK-së, si lider në përfaqësimin e interesave të biznesit përmes rrjetëzimit, këshillimit, ofrimit të shërbimeve dhe avokimin e çështjeve me interes të tyre.

Hapja e Kuvendit u bë nga Koordinatoria Qëndresa Ibrahimi, e cila falënderoi anëtarësinë për përkrahjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar që OAK nuk mund të arrinte këto suksese pa përkrahjen, mirëkuptimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të bordit dhe anëtarësisë, pavarësisht gjendjes në të cilën gjendemi.

Në fjalën e rastit, Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi bizneset për prezencën e tyre në Kuvendin e Punës, i cili ndryshe nga herat e tjera u organizua në mënyrë virtuale.

Krasniqi shtoi që pa u ndikuar nga situata me të cilën përballemi si rezultat i pandemisë globale, OAK vazhdoi aktivitetin e saj duke adresuar kërkesa në mënyrë që të lehtësohet tejkalimi i stuatës së krijuar. Ai u fokusua tek çështjet e zgjidhura me sukses, siç është ulja e TVSH-së në turizëm dhe hoteleri nga 18% në 8%, lirimi i lëndës së parë nga TVSH - ja edhe në blerjet brenda vendit jo vetëm deri në vitin 2021 por deri më 2028, lirimi nga pagesa e rentës minerare për periudhën janar- maj 2021, shtimi i sipërfaqës për shfrytëzim të tokave nga 5 ha në 20 ha si dhe shfrytëzimi i tokave bujqësore nga 5 vite deri në 20 vite.

Kryetari i OAK-së duke shprehur mirënjohje për anëtarët dhe bashkëpunëtorët, poashtu theksoi që ndër prioritetet e OAK-së gjatë këtij viti do të përfshihen subvencionimi i eksportit, subvencionimi i prodhimit vendor, krijimi i ofertës për investime dhe harmonizimi i ligjeve mes tyre.

E Sekretari i Përgjithshëm i OAK-së Diamant Elshani falënderoi të gjitha bizneset për prezencën dhe njëkohësisht shtjelloi të gjitha çështjet të cilat tashmë oda ka zgjidhur, ato aktuale për të cilat është duke lobuar si dhe paraqiti proritetet e OAK-së për vitin 2021.

Përgjatë këtij Kuvendi të Rregullt të Punës së Odës së Afarizmit të Kosovës, bizneset anëtare patën mundësinë që të diskutojnë dhe të japin sugjerimet e tyre për pikat se ku duhet të fokusohemi gjatë këtij viti.

Njëherazi këto të fundit falënderuan OAK-në për punën dhe përkrahjen të cilën e ka ofruar për bizneset që nga themelimi i saj, e veçanarisht në këtë periudhë të pandemisë, që ishte më se e domosdoshme.

Gjithashtu, gjatë këtij Kuvendi u prezantua planifikimi i aktiviteteve për 2021, ligjet aktuale në të cilat OAK është duke dhënë kontribut si dhe propozim buxheti për vitin 2021 që OAK planifikon të sjell përmes planit të punës.

Me këtë rast nënkryetari i OAK-së Arsim Selmonmusaj propozoi që të votohet buxheti për 2021 online dhe konfirmimi të dërgohet përmes e-mailit.

Për më tepër OAK është e fokusuar në misionin e saj për promovimin dhe shërbimin e komunitetit të biznesit, OAK vlerëson që komuniteti i biznesit është promotori kryesor për rritje dhe zhvillim ekonomik, andaj si i tillë duhet të ndihmohet dhe përkrahet shumë më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat