Krasniqi premton zgjidhje të problemeve me energji elektrike për bizneset në Malishevë

Ekonomi

Krasniqi premton zgjidhje të problemeve me energji elektrike për bizneset në Malishevë

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 15:12
Malishevë

Në kuadër të vizitave të tij nëpër biznese për të parë sfidat me të cilat po ballafaqohen për shkak të pandemisë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi në Malishevë ka vizituar edhe një kompani e cila merret me disa lloj prodhimtarish.

Krasniqi krahas sfidave të tjera, tha se bizneset në këtë komunë po ballafaqohen edhe me ndërprerje të energjisë elektrike dhe për këtë ai premtoi se do insistojë që të zgjidhet ky problem.

Ai tha se si ministri do angazhohen më shumë në mbështetjen e bizneseve vendore me qëllim që të jenë sa më konkurrente në tregun ndërkombëtar.

Krasniqi: Do të tentojmë ta rregullojmë problemin me energjinë elektrike

“Një prej problemeve kryesore ishte mungesa e energjisë elektrike dhe tani kur jemi këtu nuk ka por shpresojmë që shumë shpejt do bëhet një zgjidhje e tillë edhe në Malishevë dhe të gjitha bizneset që i vizituam këtë problem e kanë... do i ngrisim këto shqetësime dhe shpresoj se do kemi energji të mjaftueshme për bizneset. Dëgjuam se është njëri nga përfituesit e certifikatës ISO standarde për të importuar produkt e tyre edhe jashtë vendit. Dhe sikur ky bizneset edhe bizneset tjera neve na bëjnë mirë njëkohësisht na obligojnë edhe më tutje që si MTI dhe qeveri e Kosovës të angazhohemi në mbështetjen e tyre të vazhdueshme që bizneset tona vendore të jenë konkurrente në tregun e jashtëm ndërkombëtar”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha se mungesa e energjisë elektrike është një problem që tashmë komuna e ka adresuar dhe po kërkohet zgjidhje.

Berisha: Mungesa e energjisë elektrike problem i adresuar

“Ne i dëgjuam shqetësimet e tyre është problem i mungesës së shpejt të energjisë elektrike që tashmë është problem i adresuar dhe kërkon zgjidhje sepse edhe ne jetojmë këtu dhe e dimë që ka probleme me energjinë elektrike por që do bëjmë përpjekje që ky problem t’i takoj së kaluarës”, theksoi ai.

Pronari i kësaj kompanie, Hashim Thaçi i cili merret me prodhimin e letrës, mermerit dhe dyerve dhe dritareve të plastikës, tha se kjo kompani për shkak të pandemisë ka pësuan humbje të mëdha.

Thaçi: Kemi humbje të mëdha për shkak të pandemisë

“Pandemia na ka dëmtuar shumë sepse siç thash edhe më herët e kanë bërë shkëputjen disa kompani e kontratave sepse nuk kemi mundur me kohë t’i prodhojmë për shkak se ne e dimë që Malisheva ka qenë e izoluar dhe nuk kanë mundur punëtorët të vijnë në orar të punës. Kjo ka ndikuar shumë tek ne në prodhim dhe si kompani. Në vitin 2018 ka qenë 800 mijë euro eksporti ndërsa në vitin 2020 është 300 mijë kjo tregon vetë se sa ka ndikuar pandemie tek ne si prodhues”, thotë ai.

Gjatë ditës së sotme, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi e ka vizituar edhe kompani e biznese tjera në Malishevë./B.Ibishi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat