​Falë subvencioneve të dyfishuara bujqit ia dolën të mbijetojnë në pandemi

Ekonomi

​Falë subvencioneve të dyfishuara bujqit ia dolën të mbijetojnë në pandemi

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Përkundër vështirësive, bujqit edhe në pandemi sivjet nuk hoqën dorë nga prodhimi i kulturave bujqësore. Ndonëse edhe dora e shtetit këtë vit ka mbërri tek fermerët për ta përballuar këtë sfidë që kaploi tërë botën.

Pagesat për fermerë, subvencionet janë në përfundim nga Ministria e Bujqësisë, që deri tani janë realizuar pagesa për rreth 27 mijë fermerë me shumë totale prej mbi 25 milionë euro.

Kanë mbetur më pak se dy mijë fermerë që ende nuk i kanë marrë subvencionet, e që pritet deri në fund të vitit të përfitojnë edhe këta bujq nga pagesa e parë e subvencioneve.

Ndërkaq, pagesa e dytë, si pjesë e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në sektorin e bujqësisë ka filluar këtë javë dhe është duke vazhduar.

Fermeri nga fshati Baicë, Naim Bylykbashi përfitues i subvencioneve “Qumësht sipas cilësisë”, ka thënë se kjo është një mbështetje e madhe për të si blegtor dhe për të zhvilluar edhe më tej këtë sektor.

Veç kësaj me këtë veprimtari bujqësore të fermerit nga Lipjani që sigurohen 6 paga në muaj, Bylykbashi thotë se tash e tetë vjet nuk kanë probleme për të gjetur tregun e shitjes së qumështit me cilësi të lartë.

Bylykbashi: Subvencionimi për cilësi të qumështit është një mbështetje e madhe për neve

“Është një hap i mirë që kanë rritur subvencionin 100 përqind për neve dhe për të gjithë bujqit. Ka pas rritje edhe tek subvencionet e qumështit të cilësisë për 100 përqind. Është një plus mjaft i mirë për neve. Shpresoj të ketë mbështet edhe vitin tjetër. Pjesën e parë, gjashtë mujorin e parë e kemi marrë(subvencionin), ndërsa këtë të dytën ende”, thotë ai.

Ndërsa, fermeri nga Barileva e Prishtinës, Besim Rexha i cili është kultivues i rreth 50 hektarëve me grurë, ka thënë, se pandemia sivjet ka vështirësuar punën në bujqësi, megjithatë siç thotë ai subvencionet e dyfishuara për këtë vit kanë mundësuar të ketë leverdi.

Fermeri me plot energji për punë nga Barileva që aktualisht po lëvron arën për të mbjellat pranverore, thekson se këtë vit që po lëmë pas ka pasur të mbjella rreth 110 hektarë me kultura bujqësore, prej tyre 45 hektarë me patate, 50 me grurë dhe 4.5 me spec.

Rexha: Mbështetja me subvencionet e dyfishuara, ia kemi dalë mirë

“Pjesën e parë të subvencioneve e kemi marrë, nga 150 euro për një hektarë, tash pritet pjesën e dytë me na e dhënë… Mbështetja për fermerët kurrë nuk është boll, këtë vit veç po shihet se është më mirë me mbështetje, meqenëse edhe pandemia ka qenë, pra këtë vit mjaft kemi qenë të dëmtuar. Meqenëse subvencionet janë dy fishuar edhe ia kemi dalë shumë mirë”, thotë Rexha.

Driton Sulejmani nga biznesi “Eurolona”, në Fushë Kosovë thotë, se mbështetja direkte është mjaft e qëlluar për të simuluar dhe ndihmuar fermerët.

Ai thotë se janë kultivues të grurit me rreth 180 hektarë, dhe sivjet kanë marrë mbështetjen nga shteti me nga 300 euro për hektarë.

Sulejmani: Kemi marrë mbështetje me anë të subvencioneve

“Po besoj që deri në fund të javës do të ekzekutohen edhe pagesat siç kanë premtuar nga Ministria e Bujqësisë… Edhe për neve subvencionimi është i mirë se ardhur për shkak se kosto e prodhimit është mjaft e lartë dhe në nëse nuk do të ishin edhe këto subvencione atëherë leverdia e bujkut për të prodhuar do të ishte minimale”, theksoi Sulejmani.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa duke treguar për rëndësinë e subvencioneve për bujqit, thotë, se këto pagesa për kulturat bujqësore për vitin 2020 janë në përfundim, derisa ka bërë me dije se kjo ministri është duke realizuar çdo ditë pagesa për fermerët dhe do të vazhdohet me këtë ritëm deri në moment të fundit.

Mustafa: Subvencionuam fermerët dy herë për një vit

“Me krijimin dhe miratimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike në kuadër të saj vendosëm që fermerët e dëmtuar në mungesë të shitjes së produkteve të tyre t’i kompensojmë në një formë financiare. Aty edhe lindi ideja që baza më e mirë ligjore ishte që të paguanim subvencionet dy herë. Nuk po e quajmë dy fish, por dy herë, për secilën kulturë t’i paguajmë subvencionet dy herë për vitin 2020. Kjo vlen vetëm për vitin 2020, si rezultat i Covid-19. Deri më tani kemi arrit që të paguajmë subvencione nga program i rregullt për mbi 27 mijë fermerë nga gjithsejtë 29 mijë që kanë aplikuar për subvencione në vlerë prej mbi 25 milionë euro. Ndërsa sa i përket pakos se rimëkëmbjes, pagesa e dytë tanimë kemi filluar t’i procedojmë pagesat dhe presim që së shpejti edhe fermerëve të fillojnë t’iu dalin këto mjete në xhirollogaritë e tyre… Ne po tentojmë që t’i paguajmë të gjitha këto pagesa brenda këtij viti. Eventualisht ndoshta një pjesë shumë e vogël mund të mbesin për janarin e vitit të ardhshëm”, thekson ministri Mustafa.

Ministri Mustafa ka thënë po ashtu se programi i rregullt i subvencionimit për këtë vit ka qenë program i ngjashëm me atë të vitit të kaluar, me disa ndryshime të vogla te kultura e mjedrës, perimet në fushë të hapur dhe në sera, si dhe disa ndryshime tek blegtoria.

Këto ndryshime, sipas Mustafës kanë ndodhur në periudhën pranverore, në valën e parë të Covid-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat