Pandemia ia dëmtoi biznesin por nuk largoi nga puna asnjë punëtorë

Ekonomi

Pandemia ia dëmtoi biznesin por nuk largoi nga puna asnjë punëtorë

Më: 5 janar 2021 Në ora: 12:03
Fatmir Zymberi

Pandemia ia dëmtoi biznesin por nuk largoi nga puna asnjë punëtorë

Sfidues dhe i vështirë viti 2020 sikur për shumë afaristë, ishte edhe për biznesmenin e mirënjohur kosovar, Fatmir Zymberi, i cili drejton bizneset e tij me brende ndërkombëtare, ‘Jysk’ dhe ‘KFC’.

Storie suksesi me këto brende në Kosovë, por megjithatë masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ndikuan që të ketë rënie të qarkullimit financiar, që dikur kishte mbi 30 milionë euro në vit qarkullim.

Zymberi: Pësuam rënie të qarkullimit financiar

“Viti 2020, një vit i dhimbshëm por i shëndetshëm. Pse e them i dhimbshëm? Për hir se të gjitha bizneseve kjo situatë na ka prekë. Kemi pasoja nga kjo situatë dhe vazhdojmë të kemi sepse nuk po i dihet fundi kësaj situate. Të gjitha bizneset, dikush më shumë e dikush më pak, jemi me një ‘anije’. Kurse, e shëndetshme se jemi mësuar se si duhet me i përballuar vështirësitë më të mëdha që vijnë nga faktorë të panjohur dhe të pa imagjinuar... Kjo na ka detyruar që të gjejmë forma të reja, të merremi me ri-organizimin e kompanisë për me iu përshtat faktorëve të jashtëm që nuk mundesh t’i kontrollon. Andaj, ky vit po përfundon me rënie të qarkullimit të biznesit, por me vlera dhe aftësi më të mëdha”, thekson Zymberi.

Biznesmeni me nënshtetësi norvegjeze, Zymberi tregon se përkundër vështirësive në pandemi me mbylljen e bizneseve që reflektoi me asnjë të hyrë financiare për një kohë të caktuar, nuk i është shkëputur asnjë kontratë pune nga rreth 1 mijë e 200 punëtorë.

Zymberi: Sfida kryesore ishte mbyllja e biznesit

“Sfida ishte mbyllja e biznesit, kemi muaj që është mbyllur komplet, s’ka pasur lëvizje. Po ashtu, ishin masat të ndryshme. ‘Taman’ u adaptojshim me një masë, dilte masa tjetër. Kjo ishte pak e rëndë, s’e ndryshe është kur menaxhon një kompani të vogël, ndryshe është një kompani e madhe që ka shumë punëtorë dhe aty është një ‘ushtri’ për ri-organizimin e orareve, punëtorëve, lëvizjet e tyre. Pastaj, sfida tjetër ekonomike, s’e të hyra s’kishte. Kur mungojnë të hyrat, ajo vështirëson komplet biznesin”, thotë ai.

Zymberi shprehet se ndihma e shtetit në pandemi ka qenë minimale.

Zymberi: Ndihma e shtetit e paktë dhe e vonuar

“Ka ekzistuar një ndihmë, e mjaftueshme jo, e domosdoshme jo, por nëse mund ta quaj një shenj simbolike, që mund të themi se pa të s’kemi mbetur... Ndihma e shtetit në këtë kohë ka qenë minimale. Ne punojmë edhe në shtetet e rajonit, nuk po them se në ato vende kemi marrë ku me ditë ndonjë ndihmë kush e di sa të madhe, por organizimi i punës ka qenë më i përshtatshëm”, tha ai.

Veç kësaj, Zymberi thotë se Covid-19, nuk ndikoi në investimet për projektin “Prishtina Mall”, ku është aksionar.

Zymberi: Në pandemi punimet për “Prishtina Mall” nuk u ndalen

“Ne në kompanitë ekzistuese, “Jysk” dhe “KFC” ka pasur një rritje të vogël të kompanisë, jo të xhiros, të cilat kanë qenë të kontraktuara ose të organizuara në vitin paraprak. Dhe nuk kemi mundur me ndal si proces. Kurse, në bizneset tjera që jemi aksionar në veprimtari tjera sikur që është “Prishtina Mall”, si qendra më e madhe në nderim e sipër në Evropën juglindore, zhvillimet e saj kanë shkuar me një intensitet të madh pasi çdo angazhim kishte ndodhur në vitin paraprak. Për fat të mirë aty nuk jemi ndikuar shumë nga pandemia pasi që nuk kemi qenë të varur nga klientët, por nga aktiviteti dhe puna nuk është ndërpre. Prandaj, ky projekt është që mund ta quaj që viti 2020 rritja më e madhe e bizneseve ku unë jam i involvuar, është “Prishtina mall”, si një rritje më e madhe ose një zhvillim më i madh”, theksoi ai.

Biznesmeni Zymberi pati dy tri fjalë edhe për partitë politike, i cili lutet që pas këtyre zgjedhjeve të formohet qeveria e re dhe sa më parë që të ketë një ekonomi dhe mjedis biznesor më të shëndoshë.

Zymberi: Të zgjidhet një qeveri e re e cila minon humbjet e bizneseve

“Lutemi që gjendja politike në Kosovë të zgjidhet sa më shpejt, të formohet qeveria sa më shpejt, të kryhen zgjedhjet sa më shpejt... Nuk po themi të dalim më të fort ekonomikisht, por humbjet të jenë më të vogla. Politika varet nga bizneset, kur bizneset nuk funksionojnë, numri i të papunëve do të rritet, buxheti do të zvogëlohet”, thekson ai.

Fatmir Zymberi, i lindur dhe i rritur në qytetin e Mitrovicës, si muzikant i emigruar në Norvegji në 1985 për një jetë më të mirë, në vitet e ’90-ta kishte krijuar një kompani ndërtimore në skandinavi.

Menjëherë pas luftës, Zymberi e la Norvegjinë dhe si entuziast për të investuar dhe hapur vende të reja të punës në Kosovë, ka hapur fabrikën për të gjitha llojet e ngjyrave të brendshme dhe të jashtme, si dhe pajisjet e pikturës.

Në vitin 2003 firmosi një marrëveshje ekskluzive me ‘Jysk’, kompani daneze në mbarë botën për pajisje shtëpiake e specializuar në fushën për dyshekë, kuverta, jastëk, mobilie dhe dekor në shtëpi.

“Jysk” operon me 2450 dyqane në 48 shtete të botës, ndërsa për momentin janë 17 dyqane në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Po ashtu, në vitin 2016, është nënshkruar edhe një marrëveshje ekskluzive me KFC, një zinxhir botëror i restoranteve të ushqimit të shpejtë që operon me mbi 20 mijë KFC restorant në botë, ndërsa në Kosovë 11 sosh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat