Kuçi takon akterët e sektorit pas pavarësimit energjetik, flet për kapacitetet e reja gjeneruese

Ekonomi

Kuçi takon akterët e sektorit pas pavarësimit energjetik, flet për kapacitetet e reja gjeneruese

Më: 6 janar 2021 Në ora: 16:10
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur takimin e parë për vitin 2021 me akterët e sektorit të energjisë: Korporatën Energjetike të Kosovës, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, KEDS dhe KESCo.Ky ishte takimi i parë mes këtyre akterëve pas pavarësimit energjetik të Kosovës, si rezultat i Marrëveshjes së Kyqjes mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Transmisionit ENTSO-E.

Ministri Blerim Kuçi i falënderoi secilin prej tyre për punën e treguar gjatë periudhës tranzitore 14-31 dhjetor 2020, ku është dëshmuar edhe ndaj Swissgrid-it që Kosova është e aftë të operojë në zonë të përbashkët rregulluese Kosovë-Shqipëri.

Kjo marrëveshje për Kosovën ka shumë dobi të cilat vetëm se kanë filluar të ndjehen, sipas kryeshefit të KOSTT, Mustafë Hasani.

“Kosova tashmë është palë e barabartë me rrjetet tjera të transmisionit në Europë, gjithashtu operojmë si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri dhe kemi filluar të inkasojmë të hyrat nga energjia transite, që më parë janë marrë nga operatori serb”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, kryeshefi i KEK-ut, Luigj Imeri tregoi se në ditën e fundit të fazës tranzitore, më 31 dhjetor 2020, ka pasur një defekt në njërin prej blloqeve të KEK-ut, por është evituar shumë shpejtë dhe në bashkëpunim me KOSTT e kanë stabilizuar energjinë elektrike që shkon tek konsumatorët.

Në krahasim me natën e ndërrimit të mot-moteve 2019-2020, ky ndërrim i mot-moteve 2020-2021, sipas Bujar Jupajt nga KEDS, ka qenë më i stabilizuar duke iu falënderuar motit të butë dhe gatishmërisë së ekipeve në terren.

Petrit Pepaj, drejtor i ZRRE-së, lavdëroi gjithashtu punën e gjithë hallkave që mundësojnë furnizimin me energji elektrike, duke potencuar se Kosova është vonuar në instalimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Në fund ministri Blerim Kuçi duke u ndërlidhur me fjalën e drejtorit të ZRRE-së, ka folur për kapacitetet e reja gjeneruese.

“Jemi në rregull me kapacitetet gjenerike nga energjia e ripërtëritshme, mirëpo stabilitet energjetik kemi vetëm nga gjenerimi me anë të thëngjillit, pasurisë sonë natyrore. Kjo është dëshmuar që është edhe më e sigurt, po në këtë kohë kur kemi pasur fazën tranzitore të operimit si të pavarur, e që kemi pasur bllokadë nga linjat e transmisionit me Serbinë”, ka thënë ministri Kuçi në fund të takimit, duke i falënderuar secilin nga pjesëmarrësit, mirëpo edhe gjithë stafin mbështetës të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat