​Propozohen 12 kërkesa për të forcuar lidhjet ekonomike Kosovë-Gjermani

Ekonomi

​Propozohen 12 kërkesa për të forcuar lidhjet ekonomike Kosovë-Gjermani

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Për t’i forcuar lidhjet tona ekonomike me Gjermaninë akoma më shumë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare propozoi dymbëdhjetë kërkesa për shqyrtim nga partitë politike në Kosovë dhe për fituesit e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2021.

Shumica e këtyre propozimeve, sipas drejtuesve të OEGJK, do të ndihmonin gjithashtu tregtinë e Kosovës me vende të tjera dhe tërheqjen e investimeve të huaja, tregtia elektronike dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Ilir Aliu tha në një konferencë për media se kjo odë ka qenë dhe vazhdon të jetë apolitike, dhe beson se këto zgjedhje këtë vit ofrojnë një mundësi të mirë për politikanët dhe qytetarët që të diskutojnë për lidhjet e reja ekonomike me Gjermaninë.

Aliu: Gjermania mbetet investitori numër një në Kosovë, si investitor i huaj

“Gjermania në vazhdimësi në Kosovën e pasluftës dhe pas pavarësisë është dhe mbetet investitori numër një në Kosovë, si investitor i huaj. Partneri ynë kryesor tregtar për shkëmbime tregtare, gjithashtu donatori më i madh bilateral për shtetin tonë. Si dhe e fundit, por jo nga rëndësia, është shteti i cili mirëpret numrin më të madh të diasporës sonë, e cila në shtetin tonë ka ndikim esencial në aspektin ekonomik, por gjithashtu edhe social. Për t’i forcuar lidhjet tona ekonomike me Gjermaninë akoma edhe më shumë, oda jonë propozon 12 hapat ose propozimet për shqyrtim nga partitë politike në Kosovë dhe për fituesit e zgjedhjeve në Kuvendin e Kosovës më 2021. Shumica e këtyre propozimeve do të ndihmojnë, jo vetëm shkëmbimin tregtar Kosovë-Gjermani, por gjithashtu edhe vendet e tjetra evropiane të cilat janë në proces dhe mund të përfitojnë nga benefitet e këtyre pikave”, theksoi Aliu.

Ndërsa drejtoresha e OEGJK, Nora Hasani ka elaboruar dhe përmbledhur pikat kyçe të këtyre rekomandimeve, e cila tha se planin që e ka hartuar Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare përmban 12 propozime mjaft konkrete, që sot ia kanë dorëzuar të gjitha partive politike që janë në garë për zgjedhjet në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka inkurajuar qeverinë e ardhshme që të ketë në fokus edhe tregtinë elektronike dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.

Hasani: Jemi fokusuar në pesë fusha, në veçanti për nxitjen e investimeve të huaja

“Jemi fokusuar në pesë fusha, ne parashtrojmë kërkesa, rekomandime dhe propozime për nxitjen investimeve të huaja, për përkrahjen e tregtisë, në veçanti të tregtisë së shërbimeve. Gjithashtu kemi paraparë masa se si të inkurajojmë investimet në sektorin e energjisë së ripërtërishme. Ne inkurajojmë qeverinë e ardhshme që të ketë në fokus edhe tregtinë elektronike dhe gjithashtu e kemi përsëritë kërkesën tonë të kamotshme të themelimit të një Gjykate Komerciale. Përveç kësaj në planin tonë parashihet edhe që të përmirësohet sistemi i afatësimit dhe edukimit profesional. Përpos gjithë këtyre që i përmenda, ne inkurajojmë që të vazhdojë të intensifikohet dialogu me sektorin privat, duke përfshirë këtu të gjitha odat ekonomike bilaterale që veprojnë në vend. Shpresojmë shumë që partitë politike, në veçanti fituesi i zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, t’i kenë parasysh këto rekomandime që mundësojnë intensifikimin dhe bashkëpunimin me Gjermaninë”, theksoi Hasani.

Drejtoresha Hasani ka treguar edhe për rritjen e kërkesave nga kompanitë e mëdha gjermane për shumë sektorë të rëndësishëm në Kosovë.

Hasani: Kompani të huaja serioze kanë shprehur interesim për kushtet që i ofron Kosova

“Në pjesën e dytë të vitit të kaluar në odën tonë kemi pasur shumë më shumë kërkesa prej kompanive gjermane, kompani këto të mëdha prodhuese, që kanë shprehur interesim tek ne për sektorë shumë specifik. Pra, veç kanë filluar të interesohen se cilat kompani vendore në Ballkanin Perëndimor mund të ofrojnë prodhime si të metalit, plastikës, me qëllim diversifikimin e furnitorëve që i kanë kudo. Kjo është diçka shumë konkrete, ne kemi përcjellë informacione tutje. Po ashtu kemi marrë edhe kërkesa të tjera nga kompanitë të cilat janë në proces të planifikimit të zhvendosjes nga vendet e Azisë sa më afër Evropës dhe kanë shprehur interesim për kushtet që i ofron Kosova. Nëse ne përmirësojmë kornizën bazë dhe iu ofrojmë siguri investitorëve që ndërlidhet ngushtë me planin 12 pikësh që e kemi ne, atëherë nuk do të jetë e vështirë që të konkurrojmë me vendet e rajonit”, tha ajo.

OEGJK përfaqëson mbi 100 kompani anëtare në Kosovë, të cilat kanë bashkëpunim ekonomik tregtar me Gjermaninë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat