​Njohësit e ekonomisë skeptikë për pritjet nga Qeveria e re

Ekonomi

​Njohësit e ekonomisë skeptikë për pritjet nga Qeveria e re

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 18:19
Safet Gërxhaliu dhe Lekë Musa

Sundimi i rendit dhe ligjit, krijimi i vendeve të reja të punës partneriteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha mbështetja e sektorit privat për një zhvillim ekonomik duhet të jetë prioritet i qeverisë së nga partia e Albin Kurtit, e cila dje doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit bazuar në rezultate preliminare.

Këto prioritet sipas njohësve të çështjeve ekonomike duhet të jenë në rend të parë me një angazhim dhe përkushtim pa eufori.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka thënë se pavarësisht këtyre kërkesave, nuk mundet të pritet që qeveria e ardhshme do t’i zgjidhë shpejt problemet e shumta të grumbulluara nga qeveritë e ndryshme.

Gërxhaliu tha po ashtu se nuk do të mund të flitet për ekonomi dhe zhvillim ekonomik e stabilitet social pa sundim të rendit dhe ligjit.

Gërxhaliu: Prioritet i qeverisë së re kërkon angazhim dhe përkushtim por jo eufori

“Sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioriteti i parë, krijimi i vendeve të punës duhet të jetë prioritet i dytë, pastaj aspekti social, partneriteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha qasja në mbështetje të sektorit privat për një zhvillim ekonomik që duhet të jetë vërtet në target. Prandaj, besoj se të gjitha këto do te jenë prioritet i qeverisë së re, e cila kërkon angazhim, përkushtim por jo eufori, sepse këto probleme nuk mund të zgjidhen në një periudhë kohore shumë të shkurtë”, thotë ai.

Përveç kësaj, Gërxhaliu ka thënë se partneriteti rajonal dhe me institucionet ndërkombëtare është i nevojshëm, por kërkoi që vizita e parë e kryeministrit të mos jetë Tirana, por siç theksoi ai të jetë Uashingtoni, Berlini dhe Brukseli.

Gërxhaliu: Vizita e parë e kryeministrit të mos jetë Tirana, por të jetë Uashingtoni, Berlini dhe Brukseli

“Partneriteti me institucione kredibile ndërkombëtare është i pa kontestueshëm dhe në këtë drejtim besoj që duhet të ketë një politikë afruese, integruese dhe jo në start politikë refuzuese. Prandaj, dua të besoj që do të tregohet pjekuri, seriozitet dhe dëshiroj që vizita e parë e kryeministrit të mos jetë Tirana, por të jetë Uashingtoni, Berlini dhe në veçanti Brukseli”, thekson Gërxhaliu.

Lekë Musa ish-drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se efektet në ekonomi janë jashtëzakonisht të mëdha në aspektin negativ.

Dhe tash sipas Musës natyrisht, Kosovës në këtë situatë emergjente do t’i duhej që të ketë një mbështetje dhe një stabilitet, e cila do të del në ndihmë jo vetëm sektorit ekonomik, por edhe të gjithë sektorëve tjerë social e shoqëror.

Për këtë Musa tha se nuk presin shumë nga qeveria e re, përveçse arrin t’i ketë 80 deputet.

Musa: Ne kemi pritje pakë

“Ne kemi pritje shumë pakë, duke parë situatën dhe një mjedis politik. Ky stabilitet do duhej të reflektonte me një numër të mjaftueshëm në Kuvend, që së paku Qeveria e ardhshme t’i ketë 80 deputetë për t’i shtyrë si reformat politike ashtu edhe ekonomike për të arritur Kosova së paku një katër vjeçar me një qëndrueshmëri që të ofroj një bazament të mirë për të gjithë ata që kanë plan të me investuar në Kosovë. pa pasur një bazament të tillë nuk mund të presim implementim të projekteve kapitale të një madhësia çfarë do duhej të ishin në Kosovë”, thotë Musa.

Në anën tjetër në paraqitjen e parë për media pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të djeshme, kryetari i VV-së Albin Kurti ka thënë se do të punojnë pa inate, pa korrupsion dhe për drejtësi institucionale e sociale

Kurti: Pa revanshizëm në qeverisje

“Pa inate, pa revanshizëm në qeverisje, pa ryshfet dhe pa harraq në biznese, pa korrupsion dhe nepotizëm në administratë, me drejtësi institucionale e sociale dhe me përgjegjësi individuale e reciproke edhe do ta zhvillojmë edhe do ta demokratizojmë vendin tonë. Shteti do të jetë dyshemeja e fortë sociale dhe kulmi i sigurt ambiental që ofron siguri dhe mundësi për të gjithë pa dallim, ku secili zhvillon potencialin dhe talentin e tij”, shtoi ai.

Ndërsa, në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 48 përqind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pritet që pas publikimit të rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre nga KQZ-ja të konstituohet legjislatura e tetë në Kuvendin e Kosovës dhe të formohet qeveria e re që pritet të jetë nga VV-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat