​Pa valutë kombëtare edhe pas 13 vitesh mëvetësi, shteti sfidohet nga dinari serb

Ekonomi

​Pa valutë kombëtare edhe pas 13 vitesh mëvetësi, shteti sfidohet nga dinari serb

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 12:09
Foto ilustruese

Kosova edhe pas 13 viteve të pavarësisë nuk ka nxjerrë valutën kombëtare, ani pse për të pasur një të tillë, vendi duhet të ketë një bazë relativisht të shëndoshë ekonomike. Megjithëse, valuta nacionale është stemë për një shtet në aspektin ekonomik, ekspertë të fushës dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thonë se nuk është në interesin e shtetit të ketë valutën e saj kombëtare.

Sfidë për vendin vazhdon të mbetet dinari i Serbisë që po qarkullon si mjet pagese në komunat me shumicë serbe, dukuri kjo e cila nga njohës të fushës së çështjeve ekonomike po konsiderohet si antiligjore dhe antikushtetuese.

Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi ka thënë se sikurse problemet e tjera politike në veri e në zonat ku janë të përqendruar popullata serbe, Kosova ka një situatë ku është “legalizuar” edhe dinari i Serbisë që është në kundërshtim edhe me normat kushtetuese të vendit.

Profesori Skënderi thekson se këto janë çështje politike, për të cilat duhet përmes kushtetutës dhe ligjeve të tjera relevante, Qeveria jo vetëm ta demaskojë, por ta largojë nga përdorimi totalisht dinarin serb.

Skënderi: Është antikushtetuese përdorimi i dinarit

“Ne kur nuk mundemi që jemi një pjesë e konsiderueshme mbi 94 përqind shqiptarë të përdorim valutën e Shqipërisë, në këtë rast lekun, pse të përdoret ta zëmë dinari i Serbisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Pikërisht kjo është antikushtetuese, prandaj thash që meqenëse Kosova nuk i ka potencialet e veta të forta politike për ta mënjanuar, atëherë në kuadër të bisedimeve të cilat i bënë me Serbinë dhe BE-në do të duhej që një ndër çështjet kryesore, përveç çështjeve të tjera ekonomike që i kemi të pazgjidhura me Serbinë, të jetë edhe kjo që ajo (Serbia) në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë absolute ta tërheq dinarin nga aplikimi si valutë zyrtare në territorin e një shteti fqinj”, thotë Skënderi.

Kështu po mendon edhe njohësi i ekonomisë, Bardh Ahmeti, sipas të cilit qarkullimi i dinarit është një mesazh i keq që i kontribuon jo stabilitetit të vendit tonë dhe dëmtimit të imazhit të shtetit.

Përderisa për krijimin e një valute kombëtare në vend, Ahmeti thotë se ekonomia e Kosovës është e brishtë dhe është e pafavorshme që të ketë vendi një valutë jo stabile, e të pafuqishme në krahasim me valutat e tjera.

Ahmeti: Ekonomia jonë e brishtë nuk na favorizon që të kemi një valutë jo stabile

“Nëse analizojmë termat makroekonomik të vendit tonë, jemi një vend që kemi disbalancë të madh tregtar, importojmë shumë. Jemi të varur nga importi, prandaj kjo nuk na favorizon që të kemi një politikë të mirëfilltë monetare dhe të kemi një valutë stabile. Ekonomia jonë e brishtë nuk na favorizon që të kemi një valutë jo stabile dhe jo të fuqishme në krahasim me valutat e tjera. Ai (dinari) po qarkullon, nuk është mirë që po qarkullon, është një mesazh i keq që i kontribuon jo stabilitetit të vendit tonë dhe dëmtimit të imazhit tonë karshi investitorëve dhe donatorëve. Besoj që institucionet e drejtësisë do të duhej të bënin më shumë në respektimin e kushtetutshmërisë në këtë rast”, thekson Ahmeti.

Profesori universitar Skënderi tha po ashtu se valuta nacionale shpreh identitetin një vendi në aspektin ekonomik, mirëpo në këto rrethana të cilat është Kosova me këtë situatë ekonomike, valuta do të çonte deri te një ngritje inflacionit edhe përkeqësimi i indikatorëve të tjerë makroekonomikë.

Skënderi: Do të ishte mirë që edhe për një periudhë mos të kemi valutën nacionale

“Natyrisht, valuta nacionale e një shteti është stemë në aspektin ekonomik, e simbolizon shtetin dhe identitetin dhe integritetin për emërtimin e ekonomisë së një vendi në ekonominë globale. Mirëpo në këto rrethana në të cilat ekonomia e Kosovës është duke përjetuar që nga periudha e pasçlirimit e deri tani kur kemi pasur periudha të ndryshme ciklike dhe kur kemi ende diproporcione të mëdha në indikatorët e ndryshëm makroekonomik, konsideroj që ndoshta do të ishte mirë edhe për një periudhë të afërt kohore mos të kemi valutën nacionale, jo që jemi kundër asaj, mirëpo për ruajtjen e një stabiliteti makroekonomik fiskal dhe monetar ndoshta do të ishte e rrugës që Qeveria e Kosovës edhe një kohë të gjatë ta ketë valutën zyrtare Euron, ashtu qysh e kanë edhe të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian të cilat aplikojnë këtë valutë”, thotë Skënderi.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti thotë se përdorimi i valutës euro si valutë zyrtare është në interes për shtetin e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, ai thotë se BQK është e përgatitur nëse kërkohet valuta kombëtare.

Mehmeti: Si shtet nuk është interes të kemi valutë kombëtare

“Të pasurit Euron valutë zyrtare është shumë interes për neve si shtet, për shumë arsye, në rend të parë është valutë e besueshme, lehtë e konvertueshme në raportet tregtare që kemi me vendet të cilat vijnë nga Eurozona që përdorin valutën e njëjtë dhe kjo është arsye që në planet e tona si shtet nuk është interes që të kemi valutë tjetër. Mirëpo, në raste ndonjëherë paraqitet nevoja dhe na imponohet që të kemi diçka të tillë, ne si BQK e kemi edhe planin B, por po shpresoj që nuk do të ketë nevojë. Ne kemi raporte të mira me të gjitha vendet e Eurozonës, së fundi kemi nënshkruar marrëveshje edhe me Bankën Qendrore Evropiane dhe kemi komunikim të vazhdueshëm”, thekson Mehmeti.

Ndonëse, për ekspertin tjetër të ekonomisë Safet Gërxhaliu, tha se krijimi valutës shtetërore është një hap i vonuar.

Ai deklaroi se euro ka qenë një momentum që Kosova të promovojë stabilitet politik, stabilitet ekonomik dhe kundër inflacionit të lartë, e cila sipas tij, nuk është shfrytëzuar.

Gërxhaliu: Krijimi i valutës kombëtare hap i vonuar

“Besoj që tani është vonë që të mendohet që Kosova të ketë valutën e saj sepse po kalojnë vite të tëra të tarsuara dhe të kalkuluar në Euro, dhe të ndodhë një ndryshim i tillë kur vendet tjera po i shkrijnë valutat nacionale dhe po i shndërrojnë në Euro, besoj që është një hap i vonuar. Duhet të mësohemi me këtë realitet dhe për ekonomi të bëjmë më tepër sesa të flasim”, thotë Gërxhaliu.

Vite më parë ishin shpërfaqur ide të ndryshme, edhe për shfrytëzimin e valutës të Shqipërisë, lekut, edhe në Kosovë, por që nuk është bërë asnjëherë realitet. Në anën tjetër, derisa leku dhe dinari i Maqedonisë Veriore nuk konvertohen në bankat tona komerciale, dinari i Serbisë qarkullon dhe konvertohet në bankën Komercialna Bank në veri të Mitrovicës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat