​Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kundër shtrëngimit të masave: 60% e bizneseve do të falimentonin

Ekonomi

​Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kundër shtrëngimit të masave: 60% e bizneseve do të falimentonin

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 16:08
Hysen Sogojeva

Bizneset po vuajnë pasojat e pandemisë dhe fjalët se me rritjen e ndjeshme të rasteve me COVID mund të çojnë në shtrëngimin e masave i ka shqetësuar të njëjtit. Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës reagoi duke thënë se çdo kufizim për bizneset do të thotë falimentim për mijëra biznese të këtij sektori.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva, deklaroi se nuk duhet të kufizohen bizneset dhe nuk duhet të bëhen eksperimente të tjera, pasi çdo masë e palogjikshme nga ana e ekzekutivit nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet.

Sogojva u shpreh se shtrëngim i masave është dashur të ndodhë më herët, gjatë fushatës kur partitë për interesa të tyre kanë grumbulluar njerëz dhe jo tash kur bizneset kanë filluar të punojnë pak më shumë se periudha të tjera të kaluara nga shfaqja e pandemisë.

Sogojeva: Masat të shtrëngoheshin më herët

“(Shtrëngimi i masave) është dashur të ndodhë më herët, sidomos partitë politike të cilat gjatë fushatës nuk kanë kursyer asgjë në këtë drejtim. Ne si odë edhe gjatë kohës së fushatës kemi dalë në prononcime që jemi munduar ta mbrojmë popullin nga ato tubime qe i kanë bo vetë partitë politike. Kurse tani kërkojnë që të kalojmë prapë ne gjendjen e mëparshme, duke i marrë parasysh edhe gjendjen e bizneseve që kemi ne sot reagojmë ashpër, por reagojmë për hir të asaj që ky biznes (hoteleri-turizëm) duhet të mbrohet me çdokush”, tha ai.

Sogojeva tha se kanë bërë thirrje që të zbatohen masat edhe nga bizneset dhe të ketë monitorim nga shteti e ndaj bizneseve që nuk i respektojnë masat të ndërmarrin veprime konkrete, por jo të pësojnë të gjithë për disa.

Megjithatë, duke kritikuar Ligjin për rimëkëmbje për të cilën thotë se përfitimi ka qenë i pakët, ai fton institucionet që të mos ketë kufizime pasi Kosova nuk është si vendet e tjera të cilët pas çdo shtrëngimi të masave kanë subvencionuar bizneset dhe qytetarët.

Sogojeva: Ligji i pamjaftueshëm i rimëkëmbjes

“Ata që nuk i zbatojnë (masat), jo t’i dënojnë, por t’i mbyllin, por bizneset duhet të punojnë. Shteti duhet të merr masa ndaj atyre që nuk i përfillin masat, jo te ketë mbyllje (kufizim të masave) sepse nuk jemi ne Gjermani, Zvicër apo Austri. Nëse shteti ka para, mbylle. As ky Ligji i rimëkëmbjes që vetëm 3 milionë euro (janë dedikuar) për veprimtari hoteleri-turizëm që i bie një mesatare prej 20 euro deri 175 euro për biznes, kjo është hajgare dhe po dëshirojnë të na mbyllin tash në kohën kur ka filluar të ngjallen pak bizneset” u shpreh Sogojeva.

Kryetari i Odës së Hoteleri Turizëm u shpreh se nga 13 mijë biznese të hoteleri-turizëm rreth 60% e tyre do të falimentonin në rast të një shtrëngimi të mundshëm të masave.

Sogojeva: 70% te bizneseve ne prag të falimentimit

“Prej 13 mijë bizneseve hotelieri turistike të cilat janë të regjistruara në ARBK dhe janë funksionale, nëse marrim masa ende, mund të ndodhë qe as 6000 të mos punojnë në mënyre te rregullt. 60% (të bizneseve) janë në prag të falimentimit. Në qoftë se shtrëngojmë masat këto vetëm do të falimentojnë. Llogaritni sallat e dasmave, pishinat prej marsit të vitit te kaluar dhe ndihmat qe ju kanë dhënë por nuk mund të quhet as ndihmë”, deklaroi Sogojeva.

Sogoja tha se janë në kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Tregtisë dhe kanë kërkuar takim me kryeministrin në detyrë Hoti për të shprehur shqetësimet e tyre, sidomos për pjesën e ndihmës që iu vjen atyre me Ligjin për rimëkëmbje, duke këmbëngulur se ajo çfarë është ndarë për ta deri më tash nuk mjafton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat