Kostot ekonomike kërkojnë që e gjithë bota të vaksi nohet sa më shpejt

Ekonomi

Kostot ekonomike kërkojnë që e gjithë bota të vaksi nohet sa më shpejt

Nga: Martin Wolf Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 20:32
Foto ilustruese

Ekonomia botërore po rimëkëmbet nga kriza e shkaktuar nga Covid-19. Por derisa pandemia të vihet nën kontroll, ajo krizë nuk do të ketë ikur për fare. Duke qenë se koronavirusi nuk njeh kufij, ai nuk mund të jetë nën kontroll askund, në rast se nuk është kudo nën kontroll. Alternativa është që ne të qëndrojmë brenda “burgjeve kombëtare” për një kohë të pacaktuar. Mjerisht, kjo është ajo që rrezikojmë, nëse udhëheqësit nuk e shtrijnë vështrimin përtej vendeve të tyre.

Në parashikimin e përditësuar mbi ekonominë globale, FMN parashikoi se rritja ekonomike globale për këtë vit do jetë 5.5 për qind, ndërsa 4.2 për qind në vitin 2022. Për më tepër, “parashikimi i FMN për këtë vit është rishikuar me 0.3 pikë në krahasim me parashikimin e mëparshëm”.

Tkurrja globale në vitin 2020, mendohet të ketë qenë 0.9 pikë përqindje më pak sesa pritej më herët. Gjithsesi, ishte recesioni më i rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe solli efekte veçanërisht shkatërruese tek gratë, të rinjtë, të varfrit, njerëzit e punësuar në të zezë,dhe ato që punojnë në sektorë ku ka një kontakt intensiv.

Humbjet në lidhje me parashikimet para pandemisë janë të mëdha, dhe ka të ngjarë të mbeten të përhershme. Ato do të rezultojnë të jenë një formë e “Covidit të gjatë ekonomik”. Siç vëren raporti i Perspektivës Ekonomike Globale të Bankës Botërore, kjo ndodh pjesërisht për shkak të dëmit që i është bërë investimeve dhe kapitalit njerëzor.

Por gjithashtu edhe për shkak të ndërthurjes së dobësive ekonomike para-ekzistuese me rritjen e brishtësive, sidomos rritjes së madhe të borxhit publik. Një parakusht për kufizimin e dëmit afatgjatë ekonomik dhe social, është vënia nën kontroll e Covid-19.

Vetëm atëherë mund të shpresojmë se do t’i rikthehemi jetës normale. Në fakt, asnjë ngjarje që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka demonstruar më mirë limitet e autonomisë kombëtare. Një studim i fundit i botuar nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike, argumenton se “deri në 49 për qind të kostove ekonomike globale për shkak të pandemisë në vitin 2021”do të përballohen nga ekonomitë e përparuara, edhe nëse ato do të arrijnë të realizojnë vaksinimin e gjithë qytetarëve të tyre.

Dhe kjo është për shkak të rrjeteve të prodhimit dhe tregtisë, që i ndërlidhin vendet së bashku. Asnjë ekonomi nuk është një ishull i vetmuar. Siç e ka argumentuar së fundmi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus“nacionalizmi i vaksinave dëmton që të gjithë nuk dhe mbron askënd”.

Për më tepër, kostot e një politike të brendshme mbi “shëndetin në një vend të vetëm”, nuk janë vetëm ekonomike. Një qasje e tillë nënkupton gjithashtu kufizime afatgjata të udhëtimeve ndërkufitare për të gjitha qëllimet. Dhe çfarë është më e rëndësishme, e rrit rrezikun epidemiologjik.

Sa më i përhapur virusi, aq më të mëdha janë gjasat e shfaqjes së mutacioneve të dëmshme. Dhe shfaqja tashmë e mutacioneve të tilla sugjeron nevojën për një përpjekje afatgjatë për t’i përshtatur vaksinat, përveç zhvillimit të trajtimeve më të mira.

Është gjithnjë e më e qartë se pandemia e Covid-19, do të jetë një barrë afatgjatë mbi botën. Por ajo duhet të jetë gjithashtu ndarje globale e kësaj barre. Por një vështrim i shpejtë mbi nivelet globale të vaksinimit, tregon se në vend të kësaj qasja ka një garë për të vaksinuar popullatat lokale, me vendet e pasura që kryesojnë procesin.

Midis vendeve të mëdha të pasura, e para është aktualisht Britani e Madhe, me 19.2 doza për 100 banorë. Ndërkohë, shifra në rang global e vaksinimit është vetëm 1.7 doza për 100 banorë. Ky rezultat mund të ketë qenë i pashmangshëm, në kushtet e presioneve të mëdha politike. Edhe pse siç argumentojnë shumë analistë dhe ekspertë, do të ishte më mirë që të vaksinohen kudo punëtorët më të rrezikuar dhe më të rëndësishëm, përpara se të kalohet tek më pak të rrezikuarit.

Megjithatë, ajo që nuk ishte e pashmangshme ishte nën-financimi i përpjekjes për të prodhuar dhe shpërndarë vaksinat për gjithë botën. COVAX-nisma për të bërë dhe shpërndarë vaksinat në të gjithë botën – shpreson të shpërndajë këtë vit 2.3 miliardë doza.

Por edhe kjo do të mbulonte vetëm rreth një të pestën e popullsisë që ajo synon të vaksinojë, shumë pak për të arritur imunitetin e tufës. Ndërkohë,edhe furnizimet e planifikuara për këtë vit po shoqërohen me vonesa. Pjesa më e madhe e vaksinave që janë të nevojshme tani do të jenë gati në vitet 2022 dhe 2023.

Pra tepër vonë. Në fakt, që vitin e ardhshëm, mund të jetë jetësore që të rivaksinohen marrësit e hershëm, me vaksina të modifikuara për t’iu përshtatur mutacioneve. Paraja këtu është një element thelbësor. Në fund të vitit të shkuar, COVAX kishte në dispozicion vetëm 2.4 miliardë dollarë.

Në bazë të premtimeve të bëra vendeve të varfra, asaj i duhen edhe 2 miliardë dollarë të tjerë për të paguar dozat që duhen shpërndarë këtë vit. Në total, fushata e vaksinimit do të kushtojë ndoshta 35 miliardë dollarë apo edhe më shumë, kjo për shkak të nevojës së mundshme për një rivaksinim të rregullt.

Do të kushtojë edhe më shumë nëse bëhet një përpjekje për të përshpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave këtë vit. Për më tepër, ACT Accelerator, pjesë e të cilit është COVAX, ka një boshllëk financimi prej 27.2 miliardë dollarësh, dhe do t’i duhen akoma më shumë paranë të ardhmen.

Sipas FMN-së, ekonomitë e përparuara kanë njoftuar tashmë 5.6 trilionë dollarë shpenzime shtesë në përgjigje të krizës që ka shkaktuar Covid-19. Dhe kjo është vetëm një pjesë e kostos totale. Ndërkohë paratë që i nevojiten sot ACT Accelerator janë vetëm 0.5 për qind e kësaj shume.

Por edhe nëse shuma e nevojshme për të përshpejtuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave për përdorim global do të ishte 100 miliardë dollarë, do të ishte i gabuar krahasimi me kostot fiskale të pandemisë, e lëre më pastaj me shëndetin dhe kostot e tjera. Shkencëtarët kanë bërë mrekulli me vaksinat.

Tani është radha e udhëheqësve botërorë që të fillojnë të jenë solidarë. Ata duhet të bëjnë “gjithçka që duhet” për të financuar prodhimin dhe shpërndarjen e përshpejtuar të vaksinave, dhe nëse është e nevojshme edhe të vaksinave të modifikuara.

Kjo është mënyra e vetme që ne t’i rikthemi normalitetit që kishim deri një vit më parë. Asgjë nuk duhet të lejohet që ta pengojë këtë proces. Kjo është një luftë globale dhe ne nuk po e fitojmë ende atë. Nga nesër,kjo qasje duhet të ndryshojë. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat