​Çfarë të thoni dhe çfarë jo në intervistat pasi të vendosni të largoheni nga puna?

Ekonomi

​Çfarë të thoni dhe çfarë jo në intervistat pasi të vendosni të largoheni nga puna?

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 07:26
Ilustrim

Pasi merret vendimi nga punonjësit që dëshirojnë të largohen nga puna, zakonisht departamenti i burimeve njerëzore do t’ju kontaktojë në mënyrë që ta caktojë një intervistë daljeje. Kjo bisedë është e rëndësishme për punëdhënësin për t’i ditur arsyet se për çfarë arsye po largoheni nga kompania si dhe reagime të tjera në lidhje me të.

Përse është kaq e rëndësishme kjo lloj interviste, kur punonjësi mund të largohet nga puna edhe pa të? E vërtetë, punëdhënësit mund vetëm ta lënë të shkojë një punonjës, por nuk është kjo ajo çfarë e dallon një lider dhe një kompani të mirë. Këto intervista i ndihmon atij që të marrë informacion në mënyrë që ta përdorë për të shmangur humbjen e mëtutjeshme të punonjësve, si dhe përmirësimin e zhvillimin organizativ.

Kush i kryen këto intervista?

Një studim i bërë nga Harvard Business Review, që përfshinte 88 drejtues dhe 32 udhëheqës të lartë nga 210 organizata në 33 industri, të gjitha këto në 35 vende të ndryshme, zbuluan se gati tre të katërtat e organizatave serioze kryenin intervista, kur ndonjë punonjës vendoste që të largohej.

Sipas studimit, nga këto kompani 70.9 për qind kishin departamentin e burimeve njerëzore që merreshin me këtë proces, 19 për qind kishin mbikëqyrës të drejtpërdrejt të punonjësve që largoheshin dhe 8.9 për qind ia deleguan punën menaxherit, ndërsa 1 për qind iu drejtuan konsulentëve të jashtëm.

Çfarë të presim nga një intervistë e tillë?

Mënyra se si bëhen intervistat e largimeve ndryshojnë nga një kompani tek tjetra. Disa e praktikojnë me shkrim, ndërsa disa me anë të takimeve ballë për ballë nga menaxheri apo ndonjë person përgjegjës. Ndodhë në disa raste ku punëdhënësi e fton punonjësin në një mjedis jozyrtar, për shembull ndonjë drekë lamtumire, për të krijuar një ide në lidhjen me motivin e largesës. Por, sidoqoftë, kur përballeni me të tilla situate, prisni pyetje të përqendruar për përvojën tuaj në atë kompani si dhe për arsyet e largimit tuaj!

Çfarë të thuhet në intervistat rreth largimit?

Si në çdo intervistë tjetër, mos gënjeni as gjatë kësaj interviste, mund të jeni vetëm të kujdesshëm se çfarë thoni në mënyrë që të mos prishni çdo lloj marrëdhënie që në të ardhmen mund t’ju duhet! Kritikat e tepërta mund t’ju prishin me ish kolegët, apo mund t’jua vështirësojnë marrjen e referencave kur ju duhet.

Veproni në mënyrë profesionale: Ashtu si edhe në intervistën kur u punësuat silluni profesionalisht! Kjo nuk do të thotë që nuk mund ta bëni asnjë kritikë, apo të jepni ndonjë mendim në lidhje me ato fusha që kanë nevojë për ndryshime. Jini pozitivë, edhe nëse nuk e keni dashur punën aspak, si dhe përpiquni që të paktën një herë ta jepni ndonjë kompliment!

Ndani informacione specifike dhe të dobishme: Cili ishte problemi që ju shtyri që të filloni kërkimin e një pune të re dhe largimin tuaj? Përmendni arsyet sado të shumta qofshina ato! Por, mundësisht ta bëni këtë duke dhënë shembuj të veçantë, duke treguar se çfarë ka ndodhur dhe si jeni ndjerë! Madje, kjo do të tingëllonte diçka konstruktive dhe jo ankuese nëse sugjeroni edhe ndonjë zgjidhje për atë problem.

Planifikoni atë që do të thoni: Ju dëshironi të jeni të sinqertë në këtë bisedë, por gjithashtu nuk duhet të thoni asgjë që do ta lërë intervistuesin tuaj me përshtypje të keqe! Të praktikuarit e asaj që do të thoni, para intervistës, siguron që të mos gaboni ose të shprehni një përgjigje dobët.

Çfarë duhet të mos thoni në intervistat rreth largimit?

Mos u ankoni, shfryni ose të bëheni të vrazhdë: Intervista e largimit nuk është edhe aq e përshtatshme sa duket për t’u ankuar për kolegët, menaxherin apo detyrat. Jini të sjellshëm, kritikat janë të mirëseardhura për sa kohë që janë të formuluara me mirësjellje! Nuk është e nevojshme të jeni lëndues.

Mos u mburrni me punën tuaj të re: Mburrja hyn në kategorinë e të qenit të pasjellshëm. Por, padyshim që do të flisni për disa aspekte të mira që puna e re mund t’i ketë, në fund të fundit, nuk po largoheni për më keq, por nuk ja vlen të teprohet! Nëse e bëni këtë mund ta përmendni një aspekte pozitiv si rritje e pagës, mundësi më të mëdha, pozitë më e lartë etj.

Mos përmendni gjëra të vogla: Disa nga arsyet e largimit nganjëherë mund të jenë për shkak të kolegut të bezdisshëm në zyrë, apo gjëra të tilla të vogla, por nuk klasifikohen si informacione thelbësore dhe përgjegjësit për këtë çështje nuk duan të dëgjojnë dhe humbasin kohë për gjëra të tilla!

Disa nga pyetjet që mund të bëhen në intervista të tilla

Pse po e lini punën?

Cilët janë faktorët që të shtynë ta shqyrtoni një punë tjetër? Paga? Përfitimet? Orari?

A ishte e mjaftueshme paketa e përfitimeve të kompanisë?

A ka ndonjë gjë që ofron kompania juaj e re që kjo kompani nuk ofron?

Çfarë ju pëlqente më së shumti tek ne?

Çfarë nuk ju pëlqente fare?

A kishte ndonjë gjë veçanërisht sfiduese për të cilën ju duhej të luftonit?

Si ndiheni për reagimet që keni marrë nga menaxheri juaj?

Çfarë këshille do të jepnit për zëvendësuesin tuaj që do të vijë?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet që mund t’ju bëhen kur bëheni gati të largoheni nga puna. Kështu që, në mënyrë që të përgjigjeni në mënyrë profesionale dhe të tjerët të përfitojnë nga përgjigjet tuaja, përgatituni për të tilla pyetje!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat