Bizneset fillestare mes sfidës dhe suksesit

Ekonomi

Bizneset fillestare mes sfidës dhe suksesit

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Nisja e një biznesi fillestar pa ndihmën e institucioneve shtetërore, po konsiderohet sfiduese, e pasigurt por me mundësi suksesi nga Afërdita Gashi dhe Saranda Rexha. Këto dy afariste fillestare, në sektorë të ndryshëm, pohojnë se për një biznes start-up (fillestar) nevojiten subvencione apo mjete financiare.

Afërdita Gashi, në kuadër të kompanisë së saj “MC Unit”, që merret me importin e produkteve të qumështit, gjatë muajit janar të këtij viti ka aktivizuar linjën e prodhimit të lëngjeve për fëmijë, të quajtur “Lipi”. Kjo linjë numëron 15 punëtorë, të gjitha gra.

Gashi tregon se për bizneset e grave dhe ato start-up, në Kosovë nuk ka mbështetje të nevojshme. Ajo tregon se ka aplikuar disa herë për grante apo subvencione nga qeveria, por asnjëherë nuk ka arritur që të përfitojë. Të gjitha investimet i ka realizuar më mjete vetanake.

“Ne e dimë se institucionet tona deklarohen në media që përkrahin gratë në biznes, mirëpo ne një ndihmë të tillë nuk e kemi pasur asnjëherë. Ne vazhdimisht kërkojmë që të kemi përkrahje dhe mbështetje financiare dhe profesionale, në aspektin e trajnimeve. Por, ndoshta kjo ka të bëjë me ndërrimin e shpeshtë të qeverive dhe ne nuk kemi marrë përkrahje në ndonjë aspekt”, tha Gashi.

Një nga bizneset që është regjistruar në këtë vit është Stress Free Corner (Këndi pa stres) nga psikologia Saranda Rexha. Ajo ka krijuar një platformë online për shëndetin mendor, që do të lansohet në muajin mars. Përmes kësaj platforme, Rexha planifikon që të ofrojë shërbime për testimin dhe menaxhimin e stresit në bazë të ngjarjeve jetësore.

Rexha thotë se ka aplikuar në disa konkurse për subvencione dhe pret mbështetje. Ajo thotë se biznesi, që do të nisë operimin në muajin mars, kërkon kosto të lartë financiare, që është e papërballueshme që të mbulohet me të hyra vetanake. Kurse, trajnime në aspektin profesional pa pagesë, Rexha thotë se ka marrë në Qendrën Inovative të Kosovës.

“Duke pasur parasysh se po jetojmë në ndryshimet teknologjike, e gjithë platforma ka në fokus që të ofrohet përmes krijimit të teknologjisë sa më inovative. Pa dyshim se kjo ka edhe një kosto financiare. Sidomos integrimin me sistemet e sigurisë dhe pagesave e kanë një kosto më të lartë sesa shërbimet tradicionale, të cilat kanë qenë më herët ballë për ballë”, tha ajo.

Kusari-Purrini: Start-up penalizohen nga subvencionet

Mirlinda Kusari-Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se qeveria herë pas herë bënë thirrje për grante dhe subvencione për gratë ndërmarrëse. Por, sigurimi i subvencioneve për biznese të reja është i pamundur për shkak se një nga kriteret është që biznesi të jetë i regjistruar dhe aktiv.

“Aq shumë ka gra me ide kreative që kanë mundësi që një pjesë të investojnë vetë dhe një pjesë nga subvencione, mirëpo këto gra ndalohen për shkak se nuk kanë mundësi të fitojnë subvencione sikurse bizneset tjera. Ato kanë mundësi të kryejnë procedurat e regjistrimit, por jo aktivizimit të biznesit”, tha Kusari-Purrini.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohojnë se nuk kanë ndonjë fond të veçantë për mbështetjen e bizneseve start-up.

Por, herë pas herë kanë ndarë grante dhe subvencione për bizneset e grave. Vitin e kaluar MTI-ja ka ndarë 500 mijë euro subvencione për gratë ndërmarrëse. Qëllimi i ndarjes se këtij fondi ka qenë fuqizimi i grave në ndërmarrësi.

Kurse në bazë të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021, nga vlera e përgjithshme mbi 222 milionë eurosh, qeveria në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka ndarë një milion euro për mbështetje financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi.

Gratë, pronare në 13 për qind të bizneseve

Ndryshe, në territorin e Kosovës, vetëm 13 për qind e bizneseve të regjistruara udhëhiqen nga gratë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë numri i përgjithshëm i bizneseve të regjistruara është 209,514, kurse nga kjo shifër 28,864 janë biznese me pronare gra. Vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 376 biznese me pronare gra.

Procedurat e regjistrimit të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit, agjenci kjo funksionon në kuadër të MTI-së, janë të njëjta për të dyja gjinitë dhe pa pagesë.

Se përqindja e grave pronare të bizneseve do rritet e ka premtuar edhe Lëvizja Vetëvendosje në programin e ardhshëm qeverisës. Kjo parti, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt, 2021.

Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave prioritet për LVV

“Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin e ekonomisë, qeveria jonë do të përkrahë pa kursyer gratë, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të saj në ndërmarrësi”, thuhet në programin e LVV-së.

Ky premtim, sipas LVV do realizohet përmes mbështetjes intensive të rritjes së numrit të fëmijëve në çerdhe, ku krijohen më shumë hapësirë për gratë që të kyçen në tregun e punës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat