Oda Ekonomike Amerikane: Sektori privat kërkon shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë

Ekonomi

Oda Ekonomike Amerikane: Sektori privat kërkon shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 09:53
Oda Ekonomike Amerikane

“Sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike mbeten të shumëta. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një çështje e rëndësishme për komunitetin e biznesit”.

Kështu vlerëson Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë që thekson se ka avokuar për shtyrjen përpara të këtij procesi.

“Duke qenë të vetëdijshëm mbi peshën e rëndësisë së kësaj çështjeje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum të diskutimit mbi liberalizimin e tregut të energjisë, me panelistë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe sektori privat”, thuhet në kumtesë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi se kjo çështje nuk është më temë e re për komunitetin e biznesit, meqë ky është viti i tretë i përpjekjeve për të shtyer atë që njihet si liberalizim i tregut të energjisë.

Sipas Zekas, në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar, fuqia negociuese e konsumatorëve komercial është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike se mestarja e tarifave të rregulluara.

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se problemi me liberalizimin e tregut të energjisë është një ndër sfidat të cilat po i shkaktohen komunitetit të biznesit.

“Ajo çka në aspektin funksional dhe ligjor Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përbërjen e saj, e cila shpresojmë të jetë funksionale deri në fundin e marsit, mund të bëjë, është që të sjellë një vendim me interpretim të zyrës ligjore, në të cilin i kërkon Rregullatorit që ky vendim në zbatim të shtyhet deri në plotëni, ose deri në përmbushje të Bordit të Rregullatorit të Energjisë,” ka thënë Kusari-Lila.

Drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, u shpreh se procesi i tranzicionit të energjisë është shumë kompleks.

Ai foli mbi shtyerjen e procesit të liberalizimit të tregut, ku theksoi se me kërkesë të odave ekonomike dhe komisionit parlamentar relevant ky proces është shtyer për tre vite me radhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat