OEK dhe OEAK: ​Kuvendi të marrë vendim urgjent për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike

Ekonomi

OEK dhe OEAK: ​Kuvendi të marrë vendim urgjent për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike

Më: 25 mars 2021 Në ora: 11:59
Kuvendi i Kosovës

Pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë, u bëjnë thirrje Kryesisë së Kuvendit dhe deputetëve të legjislaturës së re që me urgjencë të trajtojnë çështjen e tranzicionit të konsumatorëve komercialë në nivelin e tensionin 35 kV dhe 10 kV në tregun e lirë të furnizimit me energji elektrike, respektivisht detyrimin ligjor për sigurimin e operatorit të përshtatshëm për furnizim me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara nga data 1 prill.

Sipas një komunikate të OEAK, derisa në rrethana ideale, liberalizimi i tregut të energjisë do të sillte përfitime për konsumatorët në treg, në rastin e Kosovës, tash e sa vite kjo pamundësohet për shkak se, pavarësisht licencimit të disa operatorëve, është vetëm njëri prej tyre i cili ka kapacitetet që të funksionojë në praktikë si furnizues i mundësisë së fundit.

“Në rrethana të tilla, e të kombinuara edhe me faktin që Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka Bord funksional, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që para datës 31 mars 2021 të shfrytëzojnë mundësitë ligjore për shtyrjen e sërishme të tranzicionit të sipërcekur, deri në krijimin e mundësive reale të cilat do të mundësonin liberalizimin funksional të tregut të energjisë elektrike. Në kushte të një oferte të kufizuar, dhe kur ekziston mundësia reale që operatori i vetëm me kapacitete për furnizim të tregut të abuzojë me pozitën dominuese, konsumatorët komercialë, e kryesisht ndërmarrjet prodhuese në vend, do të kenë fuqi të kufizuar negociuese, e rrjedhimisht edhe ofertë për tarifa dukshëm më të larta për furnizim me energji elektrike. Për shumë industri në Kosovë, shpenzimet e energjisë elektrike përbëjnë një përqindje të madhe të shpenzimeve operacionale, të cilat do të ulnin edhe më tej përparësitë krahasuese të tyre në raport me prodhuesit në shtetet e tjera të rajonit, duke rritur kështu presionin konkurrues për to. Vonesa e mundshme e vendimmarrjes nga ana e ligjvënësve do të kërcënonte operacionet e ndërmarrjeve të sipërcekura dhe do të nxiste të njëjtat të kërkonin mundësi të tejra për investime, në shtetet e rajonit, në të cilat tarifat e energjisë për konsumatorët komercialë janë më të levërdishme se në Kosovë, për aq kohë sa këta konsumatorë subvencionojnë edhe tarifat e konsumatorëve rezidencialë ose amvisërive. Kjo do të ishte në kundërshtim me zotimet e gjithëmbarshme për fuqizimin e sektorit të prodhimit në vend dhe ruajtjen e vendeve të qëndrueshme të punës”, thuhet në komunikatë.

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë përsërisin shqetësimin e tyre se nga ofertat preliminare të pranuara nga ana e ndërmarrjeve të duhet të kalojnë në treg të lirë, qartazi mund të vërehet një ngritje e tarifave prej 30-40%, ndërsa shprehur në terma monetarë, i bie që një ndërmarrje që aktualisht paguan faturë vjetore prej 1 milionë eurosh, pas kalimit në tregun e liberalizuar do të duhet të paguajë një shtesë prej 300,000-400,000 eurosh. Dhe siç u tha krejt në fillim, kjo do të ishte në kundërshtim me përfitimet që do të duheshin rezultuar nga kalimi në treg të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat