“Monego” e humb rastin në Kushtetuese

Ekonomi

“Monego” e humb rastin në Kushtetuese

Më: 29 mars 2021 Në ora: 19:22
Monego

Institucioni financiar jobankar “Monego” e ka humbur rastin në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo u bë e ditur sot përmes një njoftimi nga kjo Gjykatë.

Kushtetuesja vlerësoi se aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës është në përputhje me të drejtën për gjykim të drejtë si dhe të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor.

Përfaqësuesit e “Monego”-s kishin shtjerrë të gjitha mjetet ligjore pas revokimit të licencës nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ata i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke pretenduar se vendimi i Gjykatës Supreme ishte në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm si dhe të drejtën për zgjidhje efektive.

Kushtetuesja pasi ka shpallur të pranueshme kërkesën e “Monego”-s, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Supreme ishte në përputhje me Konventën Evropiane si dhe të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Me 6 dhjetor 2019, guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, në një konferencë të jashtëzakonshme kishte deklaruar se arsyeja e revokimit të licencave të regjistrimit të institucioneve “Monego” dhe “Iute Credit” ishte  caktimi i normave të interesit të kredive jashtë çdo standardi.

Tutje guvernatori Mehmeti kishte thënë se “gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovë këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjellë tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”.

Ndërsa zv/guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, pati numëruar arsyet për të cilat këtyre dy institucioneve, “Monego” dhe “Iute Credit” u është tërhequr licenca. Ai ka treguar se BQK ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në institucionet “Monego” dhe “Iute Credit”.

Dy ekzaminimet kishin rezultuar se “Monego” dhe “Iute Credit” kishin dështuar të zbatojnë urdhërin e BQK-së për zbatimin e planit të biznesit për të cilin edhe ishin regjistruar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat