Më në fund paga minimale në Kosovë po rritet

Ekonomi

Më në fund paga minimale në Kosovë po rritet

Më: 13 prill 2021 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

E caktuar në vitin 2011 me vendim të Qeverisë që aso kohe drejtohej nga kryeministri Hashim Thaçi, paga minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar më asnjëherë. Edhe pse ka kaluar një dekadë nga ajo kohë, paga minimale ka mbetur 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, si dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Për rritjen e pagës minimale, vazhdimisht ishin bërë premtime elektorale nga subjekte politike që kanë udhëhequr deri më tani me vendin por si të tilla ato kanë mbetur vetëm premtime. Së fundmi edhe kryeministri i sapozgjedhur, Albin Kurti premtoi rritje të pagës minimale në 250 euro.

Ndonëse sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social, Qeveria e Kosovës do të duhej që në fund të çdo viti kalendarik sipas ligjit në fuqi, të përcaktojë pagën minimale, një gjë e tillë nuk është bërë për 10 vite me radhë.

Në mesin e zotimeve të shumta, kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit të 14 shkrutit, ka premtuar rritje të pagës minimale prej 250 euro, duke i përjashtuar po ashtu këtë kategori edhe nga tatimi në të ardhurat personale.

Nga njëri prej dikastereve kryesore në Qeverinë “Kurti 2”, Ministria e Financave kanë thënë  se premtimi i kryeministrit Kurtit, pritet të implementohet shumë shpejtë.

Madje, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ashtu siç ishte proklamuar, rritja e pagës minimale nuk do ta prek edhe vlerën e pensioneve të përfituesve të skemave sociale.

“Çështja e rritjes së pagës minimale , ashtu edhe siç është prezantuar në Planin e Qeverisë nga Kryeministri do të imlementohet shpejtë. Po ashtu vlen të theksohet se vlera e pensioneve të përfituesêve të skemave sociale nuk është e lidhur me pagën minimale”, tha Shahini.

Premtime për rritjen e pagës minimale i janë bërë vazhdimisht edhe kryetarit të  Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avdi Ajdinit i cili u shpreh optimist për realizimin e këtij premtimi nga ana e kryeministrit Kurti.

Ai madje thotë se rritja e pagës minimale do të duhej të bëhej 350 euro.

 “Ne kemi pasur si premtim pozitiv. Ne kemi luftuar me Qeveritë tjera për tu realizuar kjo e drejtë e punëtorëve po me asnjë Qeveri nuk kemi pasur mundësi ta realizojmë. Premtimi i Kurtit gjatë fushatës elektorale mbi rritjen e pagës minimale, unë besoj që do ta realizojë. Kurti ka premtuar rritje të pagës minimale prej 250 euro, ndërsa ne po kërkojmë që kjo të rritet e të bëhet 350 euro”, tha Ajdini.

Ajdini ka treguar se së fundmi përmes një shkrese të dërguar i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurtit takim për të diskutuar edhe rreth rritjes së pagës minimale.

“Unë ja kam bërë një shkresë kryeministrit Albin Kurtit më 31 mars të këtij viti, përmes së cilës i kam kërkuar takim. Në takim kam planifikuar të diskutojë për pesë pika kryesore, në mesin e tyre edhe për rritjen e pagës minimale në Kosovë. Nuk kam marrë ende përgjigje”, theksoi ai.

E, për njohësin e çështjeve ekonomike, Musa Limani, rritja e pagës minimale në vend para se të implementohet do të duhej të siguroheshin mjetet financiare pasi që sipas tij, kjo do ta ngarkojë edhe buxhetin e Kosovës.

“Edhe nëse paga minimale bëhet 350 euro nuk ka asgjë të keqe, mirëpo duhet të ketë parasysh të sigurohen mjetet për rritjen e pagave, për arsye se pagat minimale te ne janë jashtëzakonisht të ulëta 130-170 euro. Sigurisht që do ta ngarkojë buxhetin e Kosovës dhe normal që pastaj do të ndikojë dhe do të jetë e obligueshme edhe për sektorin privat. Kjo mundet me qenë shpat me dy teha sidomos te sektori privat që mundet të kolapsojë. Kurse te sektori publik, duhet të sigurohen mjetet buxhetore”, tha Limani.

Bazuar në të metodologjinë ndërkombëtare rreth çmimeve të publikuara në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për artikujt kryesor ekzistencial për vitin 2020, paga minimale në Kosovë do të duhej të ishte nga 280 deri në 300 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat