Pandemia rrit numrin e kredive

Ekonomi

Pandemia rrit numrin e kredive

Më: 24 prill 2021 Në ora: 20:54
Foto ilustrim

Qytetarët e Republikës së Kosovës duket se s’po i ndal as pandemia që të zhyten në borxhe.

Përgjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, vlera e kredive të reja ka kapur shifrën milionëshe.

“BQK nuk bën ndarjen e kredive, ato merren si total, pasi ka raste kur një klient mund t’i ketë më shumë se një kredi. Përndryshe, ju njoftojmë se vlera e kredive të reja për dy muajt e parë të këtij viti (janar-shkurt 2021), ishte 188.2 milionë euro”, ka thënë zëdhënësi i Bankës Qëndrore e Kosovës, Kushtrim Ahmeti.

Sipas të dhënavë nga BQK-ja, gjatë vitit 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.47 miliardë euro,

“Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat. Gjatë vitit 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.47 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në dhjetor 2020 ishte 3.246 miliard euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1% përqind”, thuhet në përgjigje.

Sipas zëdhënësit Ahmeti, faktori që ndikoi qytetarët të marrin kredi të reja në kohë pandemie ishte nevoja për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues.

“Për të shpjeguar dinamikën në kreditim si dhe faktorët që kontribuojnë në këto dinamika, BQK zhvillon në baza tremujore Anketën e Kreditimit Bankar me bankat komerciale në vend. Sipas kësaj ankete, faktori kryesor që ndikoi pozitivisht kërkesën për kredi nga ndërmarrjet gjatë vitit 2020, përveç TM1 2020, ishte nevoja për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues. Faktor që kontribuoi negativisht në kërkesën për kredi nga ndërmarrjet gjatë vitit 2020 rezulton të ketë qenë nevoja për financimin e investimeve fikse. Sa i përket kërkesës për kredi nga ekonomitë familjare, bankat deklaruan që gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 kërkesa për kredi u ndikua negativisht nga perspektiva jo e favorshme e tregut të patundshmërive, rënia e besueshmërisë së konsumatorëve në perspektivën ekonomike e financiare në vend, rënia e nevojës për financimin e shpenzimeve të konsumit, si dhe nga rënia e kërkesës për ristrukturimin e borxheve. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, ishin faktorët e njëjtë që për ndryshim kontribuuan pozitivisht në rritjen e kërkesës për kredi nga ekonomitë familjare”, tha ai.

Por përkundër kësaj, sipas tij, sektori bankar ka një nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjitha aspektet.

Në bazë të shiftrave, sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.5 përqind në dhjetor 2020, krahasuar me 15.9 përqind në vitin paraprak.

“Treguesit e shëndetit financiar, shfaqin nivel të lartë të qëndrueshmërisë së sektorit bankar në të gjitha aspektet. Përkundër masave të ndërmarra jo të zakonshme për një sektor bankar dhe me një ekonomi e cila gjendet në një fazë recesioni për shkak të pandemisë, sektori bankar vazhdon të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor, me një normë të kredive joperformuese prej 2.7 përqind, e cila shënoi rritje në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.0 përqind. Mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivele të larta prej 141.4 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat