Mazreku: Brenda një muaji hiqet sigurimi kufitar me Malin e Zi

Ekonomi

Mazreku: Brenda një muaji hiqet sigurimi kufitar me Malin e Zi

Më: 15 maj 2021 Në ora: 08:05
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku

Brenda një muaji do të hiqet sigurimi kufitar me Republikën e Malit të Zi. Pala kosovare dhe ajo malazeze tashmë janë në fund të bisedimeve për të arritur për njohjen e bilaterale të policave të sigurimit kufitar.

Më së largu me 15 qershor, në fillim të sezonës verore kjo marrëveshje do të jetësohet.

Këtë e ka bërë të ditur, Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku.

“Ajo çka është pjesa e diskutimit është një pjesë teknike, ku janë edhe kërkesat e Byrosë të Kartonit të Gjelbër. Shumë shpejt pas kalimit të këtyre bisedave teknike do të e caktojmë edhe një datë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje e cila pas angazhimit që jemi duke bërë të bëhet në muajin maj me një ose me 15 qershor maksimalisht kjo marrëveshje të jetë në fuqi”, ka thënë Mazreku.

Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë qytetarët kosovarë të cilët për qëndrim 2 javorë në Mal të Zi më nuk do të paguajnë shumën prej 15 eurove.

Në Mal të zi me TPL plus

Më tutje drejtori Mazreku ka treguar se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje në këtë shtet fqinj do të udhëtohet me TPL plus, e cila tashmë aplikohet edhe me Serbinë dhe Maqedoninë.“Ne e quajmë TPL plus i bije që është një lloj sigurimi i ndarë prej asaj që qytetarët udhëtojnë në Serbi dhe Maqedoni dhe tani do t’i shtohet një rubrikë që pjesë e kësaj të jetë edhe Mali i Zi. Së fundi u jemi drejtuar me një shkresë zyrtare edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ku e kemi shpjeguar që edhe sa kemi qenë në Shoqatën e Sigurimeve edhe aktualisht sa jemi Byro kemi dërguar projekt-propozime konkrete se si mundemi ne me e ulë numrin e veturave të paregjistruara”, ka thënë ai për Front Online.

150 mijë vetura të paregjistruara

Në Kosovë janë rreth 150 mijë vetura të pa regjistruara dhe për këtë Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku ka treguar edhe propozimet që i kanë bërë Ministrisë së Punëve të Brendshme për tejkalim të kësaj situate.

Në mesin e propozimeve janë edhe  pastrimi i listave të regjistrimit zyrtarë, heqja e kushtëzimeve për pagesa komunale dhe gjobat që të largohen nga kushtëzimet për regjistrim të automjeteve.

“Nën një është nxjerrja e një udhëzimi të ri ku pastrohen listat sepse në regjistrin zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë total numri i të gjitha viteve pa kufizim deri aktualisht sa po flasim. Propozimi  2 ka qenë që të hiqen kushtëzimet që qytetarët të mos të paguajnë një taksë komunale të cilën e lëshon komuna dhe të mos jetë kushtëzim për ta regjistruar veturën.  Kemi propozuar që gjobat në trafik, meqenëse  janë të pambarueshme të mos jenë kusht për ta regjistruar veturën”, ka thënë Mazreku.

Mazreku: Kundërkushtetuese kushtëzimet për pagesë të taksave komunale për regjistrim të veturave

Ai kushtëzimet ndaj qytetarëve për këto pagesa që aktualisht janë në fuqi i quan kundër kushtetuese dhe tashmë presin që Avokat i Popullit të dalë me rekomandim pasi kjo çështje është duke u trajtuar.

“Unë kam ushtruat një ankesë  personalisht në zyrën e Avokatit të Popullit. Kam marrë një njoftim për pranueshmëri, besoj shpejt që Avokati i Popullit duhet të del me një rekomandim ku i drejtohet të gjitha institucioneve ku çdo kushtëzim për regjistrimin e veturave është antikushtetues”, u shpreh Mazreku.

Kur do të anëtarësohet Kosova në Byronë e Kartonit të Gjelbër? Tregon Sami Mazreku

Kosova nuk pritet që shpejt të jetë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër pasi fillimisht duhet të jetë vend anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por pavarësisht kësaj, menaxhmenti aktual është duke bërë përpjekje që të përmbyllë marrëveshje si kjo me Malin e Zi edhe me shtetet e tjera.

“Meqë Kosova nuk është anëtare e OKB-së nuk mund të jetë anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër në Bruksel. Ne si menaxhment i ri po i përmbyllim marrëveshjet që i kemi me shtetet që i kemi përreth”, ka thënë ai.

Mazreku thotë se marrëveshjet me shtetet fqinje ua mundësojnë që të depërtojnë edhe te shtetet e tjera.

Byroja Kosovare e Sigurimeve do të investon në pajisje teknologjike në Policinë e Kosovës ku synohet që të ulet numri i automjeteve të paregjistruara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat