​Sektorët më të rrezikuar për punëtorë ndërtimi, prodhimtaria dhe bujqësia

Ekonomi

​Sektorët më të rrezikuar për punëtorë ndërtimi, prodhimtaria dhe bujqësia

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 14:23
Foto nga takimi

Numri i vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës dhe norma e të punësuarve të padeklaruar mbeten shifra të larta në Kosovë.

Kështu u tha sot në konferencën kombëtare “Drejt Formalizimit të Punës në Kosovë”, organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Inspektorati i Punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, në të cilën janë ngritur shqetësimet lidhur me sigurinë e punëtorëve në vendet e tyre të punës.

Zëvendës shefi i Bashkimit Evropian, Ricardo Serri tha se informaliteti dhe aksidentet fatale në vendet e punës duhet të adresohen si sfida serioze për shqyrtim në Inspektoratin e Punës.

Serri: Numër i madh i vdekjeve në vende të punës, informaliteti mbi 30 për qind

“Norma e punës joformale është diku 30 për qind, ndoshta edhe më shumë. Një tjetër problematikë është norma e aksidenteve fatale në punë në sektorin privat, e cila është e lartë në Kosovë dhe rajon. Miratimi i parimeve nuk është njëjtë sikurse edhe zbatimi dhe sot do të mundohemi të gjejmë hapat praktikë lidhur me disa parime të përgjithshme në ligje dhe praktikë. Sektorët më së keqi janë ndërtimi, bujqësia, prodhimtaria dhe shërbimet”, tha Serri.

Kryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Ekrem Kastrati, ka potencuar faktin se kapacitetet e inspektoratit janë të pamjaftueshme për inspektimin e tregut të punës.

Ai tha se në strategjinë e punës kanë paraparë objektivat kryesore sikurse siguria në punë dhe zvogëlimi i shkallës së informalitetit, për të cilat kërkoi bashkëpunim të ngushtë me sindikatat e punëtorëve për luftimin e këtij fenomeni.

Kastrati: Jemi të përkushtuar për rritjen e sigurisë në punë dhe zvogëlimin e informalitetit

“Ne kemi një numër të vogël të inspektorëve, andaj pritjet e shoqërisë dhe akterëve të tjerë të cilët presin rezultate dhe një perfomancë më të madhe për inspektime, lidhet kryesisht me disa sfida për mungesë të inspektorëve për të mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, por me një projekt përmes BE-së besojmë që do të shënojmë avancim. Me planet tona të punës dhe të Qeverisë së Kosovës i kemi ngritur dy objektiva themelore. Objektivi i parë është siguria në punë, për të cilët po bëjmë maksimumin që punëtorët të mos lëndohen dhe të mos pësojnë me fatalitet në vendet e punës, sidomos në prodhimtari dhe ndërtimtari. Objektivi i dytë është ulja e informalitetit në bashkëpunim me partnerët tjerë socialë”, tha Kastrati.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka shprehur përkushtimin e institucionit që ai drejton mbi luftimin e informalitetit, pasi që ai po e dëmton arkën e shtetit dhe shëndetin e punëtorëve.

Murtezaj: ATK do ta luftojë informalitetin që dëmton arkën e shtetit dhe shëndetin e punëtorëve

“Këto dukuri dëmtojnë seriozisht ekonominë dhe shoqërinë si tërësi. Dëmtimet nuk përkufizohen vetëm në dëmtimin e arkës së shtetit, por prekin edhe aktivitetet e bizneseve duke dëmtuar në masë të madhe edhe konkurrencën jo lojale mes bizneseve. Për më keq dukuria e punësimit jo formal cenon drejtpërdrejt sigurinë fizike dhe shëndetin në punë. Në këtë drejtim ne si institucion do të bashkëpunojmë ngushtë me Inspektoratin e punës me qëllim që t’i identifikojmë të gjitha ato raste dhe t’i minimizojmë në maksimum evazionin fiskal tek të punësuarit jo formal”, u shpreh Murtezaj.

Në vitin 2020 sipas raportit të Inspektoratit, kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës 11 punëtorë, ndërsa janë lënduar 160.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat