​Papunësia arrin në 44 përqind, BSPK kërkon rritjen e pagës minimale

Ekonomi

​Papunësia arrin në 44 përqind, BSPK kërkon rritjen e pagës minimale

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Shkalla e papunësisë në vend është rritur në mbi 40 përqind. Kjo rritje ka ndodhur edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Kështu vlerëson kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, sipas të cilit rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur për shkak të pandemisë, me ç’rast humben vendet e punës 10 përqind e punëtorëve në sektorin privat.

Kryetari i BSPK-së, në një intervistë foli edhe për mos rritjen e pagës minimale nga Qeveria Kurti, për shkarkimin e tij nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe për pagën që ka marr mbi 2 mijë euro në AKP.

Ajdini: Papunësia ka arrit 44 përqind si pasojë e pandemisë

“Konsideroj që problem social i punëtorëve është mjaft i theksuar dhe papunësia është po ashtu mjaft e theksuar, mbi 34 përqind, por mund të themi që është edhe më tepër mbi 40 përqind, për arsye që gjatë pandemisë punëtorët i kanë humbur vendet e punës. Dhe për fat të keq kjo ka ndikuar në rritje të varfërisë apo social. BSPK është aktive, por me shkresa dhe kërkesa… Nëse ka qenë 34 përqind sot është 44 përqind, pra në pandemi 10 përqind e punëtorëve kanë humbur vendet e punës”, thekson Ajdini.

Për çështjen e pagës minimale, kryetari i BSPK-së, Ajdini, thotë se për fat të keq kjo qeveri ende nuk ka realizuar premtimin për ngritjen e kësaj page.

Kreu i BSPK-së po kërkon nga Qeveria Kurti edhe njohjen e stazhit të punës për të gjithë ata që u larguan nga puna gjatë viteve të 90-ta.

Ajdini: Paga minimale duhet të jetë 300 euro

“Konsideroj që paga minimale duhet të jetë minimumi 300 euro edhe pse ne kërkojmë 350 euro. E kuptojmë qeverinë që problemet nuk mundet t’i zgjidhë brenda natës, por ne konsiderojmë që paga minimale të jetë 300 euro. Kështu që ende nuk ka filluar edhe ajo pagë e cila është premtuar që do të jetë 250 euro, për fat të keq jemi duke pritur. Po ashtu jemi duke pritur të realizohet një takim me kryeministrin Kurti që t’i diskutojë disa probleme… A jeni takuar ende me Kurtin? Për fat të keq jo, edhe pse kam bërë një kërkesë për një takim për ta bërë një hap të parë për rregullimin e çështjes së punëtorëve apo të fillojmë nga skema pensionale. Unë nuk kërkoj më tepër veçse të njihet përvoja e punës që me mundur punëtorët me arrit atë 15-vjetshin, e cili sot është pengesë për realizimin e pensionit të plotë”, shprehet Ajdini.

Kreu i BSPK-së në një intervistë, ka komentuar edhe vendimin e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Bordit të AKP-së, ku ai ka qenë drejtor i tij.

Ai thotë nuk ka pasur keqpërdorime nga ai Bord, ndonëse e arsyeton pagën e tij të lartë prej 2 mijë e 200 euro në muaj.

Ajdini: Pagën në AKP e kam pasur 2200 euro

“Unë konsideroj që gjatë mandatit tim nuk ka pasur ndonjë shkelje procedurale juridike apo korruptive… Ne pagat i kemi trashëguar, edhe në të kaluarën kanë qenë asisoj... Përgjegjësinë të cilën bordi e ka pasur, pagat kanë qenë të arsyeshme, sepse për një gabim mund të ketë ndëshkim edhe me burg. Për këtë arsye po themi se ka pasur vlerën në krahasim me përgjegjësitë… Pagën 2 mijë e 200 euro e kam pas si drejtor i Bordit. Mirëpo edhe përgjegjësia ka qenë, një gabim me bërë ndoshta ka mundur me shkuar edhe në burg. Mirëpo, unë e kam trashëguar atë pagë”, thotë ai.

Megjithatë, ai thotë se shkarkimi i Bordit do ta neglizhojë ndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve. Sipas Ajdinit një problem tjetër është se në Gjykatën e Odës së Veçantë janë 21 mijë lëndë që presin të shqyrtohen.

BSPK po ashtu kërkon nga Qeveria edhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive, pasi sipas Ajdinit ajo është e gatshme.

Ajdini, i cili ka arrit moshën e pensionimit më 9 shtator të vitit 2019, thotë se nuk ka shkelur asnjë ligj në ushtrimin e detyrës së tij në BSPK dhe AKP.

Ajdini paralajmëron se kongresi i BSPK-së për zgjedhjen e kryetari të ri do të mbahet më 2 tetor.

Ajdini: Kam dal në pension qe një vit

“Nuk e kam në plan që të rikandidoj, do t’iu lë hapësirë të tjerëve… Unë kam dal qe një vit në pension, mirëpo kam qenë mandatar. Kështu që statuti ynë e cek një çështje se jemi sui-generis, papërcaktuar. Por pavarësisht ligjit që e thotë, ne paguhemi me vet kontributet ose mjete vetanake. Kështu që sindikalisti mund të jetë edhe 80-vjeçar, por duhet të jetë i aftë për me i kryer punët. Duhet me pasur edhe një reputacion i cili e Lufton për çështjet e të drejtave të punëtorëve, që është human në shpirt dhe që nuk e shkel Ligjin”, deklaron Ajdini.

Paraardhësi i kryetarit Ajdini ka qenë Haxhi Arifi, ku edhe ai ka ushtruar mandatin e tij në pension. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat