Shënuam rekord të ri, dogana grumbulloi mbi 600 milionë

Ekonomi

Shënuam rekord të ri, dogana grumbulloi mbi 600 milionë

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 13:01
Agron Llugaliu

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se falë angazhimit të tij dhe të punëtorëve, dogana ka shënuar rezultate të prekshme sa iu përket të hyrave dhe luftimit të kontrabandës. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Llugaliu ka bërë me dije se nga janari i këtij viti dogana ka grumbulluar mbi 600 milionë euro. Sipas tij, dogana ka shënuar rritje të të hyrave mbi 27 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Po ashtu, Llugaliu ka bërë me dije se gjatë këtij viti është  rritur për 22 për qind vlera e mallrave në kundërvajtje.

Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se dogana ka shënuar rekord sa iu përket të të hyrave. Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se falë punës së tij dhe të kolegëve, Dogana e Kosova ka arritur të grumbullojë mbi 600 milionë euro. “Të hyrat e mbledhura tejkalojnë dukshëm vitin e kaluar dhe në përgjithësi vërejmë rritje të trendit të të hyrave. Në kohën që flasim kemi tejkaluar shumën prej 600 milionë eurosh, që është edhe një rekord i ri. Ndërsa sa i përket rritjes sipas vendeve, mund të themi se ndikimi i rritjes së përshkallëzimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë më vendet e BE-së ka ndikuar që të prijë me rritje Gjermania, si dhe ngjashëm është reflektuar një rritje e proporcionit për importet nga Turqia, pasi edhe këtu është thelluar përshkallëzimi vjetor i rënies së taksës së doganës”, ka thënë Llugaliu.

Më tutje, ai ka thënë se si rezultat i punës së doganës është arritur që të ndalet kontrabanda e mallrave. “Në përgjithësi kemi një rritje të konsideruar të zbulimeve të kontrabandës, që karakterizohet me mallrat strategjike për të hyrat, me theks të veçantë duhani dhe produktet e tij, ku rishtazi është raportuar edhe në media zbulimi dhe sekuestrimi i 2.2 milionë cigareve në Mitrovicën veriore, zbulimi dhe sekuestrimi i një kamioni të madh me duhan fletë në sasi prej 5 tonësh që është kapur në Mitrovicë. Kemi pasur mallra të tjera të sekuestruara në sasi të theksuara, siç janë fishekzjarrët, aromat për nargjile dhe produkte të konsumit të gjerë”, ka thënë Llugaliu.

Ndërsa sa i përket sasisë së mallrave të kontrabanduara, Llugaliu  ka thënë se vlera e mallrave në kundërvajtje është rritur për 22 për qind. “Në përgjithësi mund të konstatojmë se vlera e mallrave në kundërvajtje është rritur me 22 për qind krahasuar me vitin paraprak falë rritjes së angazhimeve si dhe punës efektive në parandalimin e rasteve nga ana e doganës”, është shprehur ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat