Rimëkëmbja ekonomike nga pasojat e COVID-19

Ekonomi

Rimëkëmbja ekonomike nga pasojat e COVID-19

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 20:27
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako të rimëkëmbjes ekonomike nga pasojat e pandemisë COVID-19, në vlerë prej 423 milionë eurosh.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha të mërkuren në mbledhjen e qeverisë se kjo pako përbëhet nga pesë grupe të masave dhe se ndër synimet kryesore të saj është rritja e punësimit.

“Kryesisht grupet janë: mbështetja e punësimit në vlerë prej 50 milionë eurosh, ringjallja e ekonomisë dhe prodhimit në vlerë prej 108 milionë eurosh, mbështetje për familjet në vlerë prej 50 milionë eurosh, mbështetja për shërbime publike në vlerë prej 112 milionë eurosh, si dhe investimi në infrastrukturë e ambient në vlerë prej 100 milionë eurosh”, tha zoti Murati.

Gentian Gashi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se mbështetja e punësimit në Kosovë është thelbësore, meqë papunësia në vend mbetet e lartë, posaçërisht te gratë dhe të rinjtë.

“Në fillim të vitit 2021 numri i punëkërkuesve është rikthyer në numrin që ka qenë para pandemisë, por pavarësisht kësaj numri është ende i lartë. Ne kemi shikuar edhe se si shpërndahen punëkërkuesit, është interesante që edhe pse e dimë që në Kosovë papunësia te gratë është më e lartë, kur i shohim vetëm punëkërkuesit aty janë të barabartë. Sa i takon grupmoshave janë kryesisht individë të rinjë”, tha ai.

Me pakon për rimëkëmbje ekonomike, qeveria pritet të mbështesë kthimin në punë me nga 170 euro subvencionim të pagës për tre muajt e parë, për të gjithë ata që e kanë humbur punën si pasojë e pandemisë.

Ndërkaq punësimi i grave pritet të mbështetet duke paguar 50 për qind të pagës së tyre për tre muajt e parë pas punësimit.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se kjo pako qartëson rrugën e qeverisë në mbështetjen e disa sektorëve që nuk janë mbështetur deri tash si duhet, siç është ai i prodhimit.

“Programi vë theksin në disa sektorë të caktuar siç është sektori i prodhimit i cili nuk ka qenë si duhet i mbështetur përgjatë gjithë kësaj periudhe prej shpërthimit të pandemisë e tutje, por natyrisht edhe te krijimi i vendeve të reja të punës dhe formalizimi i vendeve ekzistuese të punës”, tha zoti Zeka.

Ai theksoi se zbatimi në plotni i këtij programi shton mundësitë për rritje ekonomike deri në gati 8 për qind brenda këtij viti.

“Besoj që programi në të njejtën kohë do të mbështesë edhe parashikimin e qeverisë për rritje ekonomike prej 7.9 për qind brenda vitit 2021, i cili megjithatë duhet konsideruar si parashikim real e që mund të përmbushet po qe se qeveria zbaton në përpikmëri këtë program të masave të përkrahjes financiare, ndërsa shtyn përpara edhe planin e investimeve kapitale”, tha ai.

Pandemia goditi tregun e punës në Kosovë e cila pësoi rënie të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar deri në 6 për qind. Nuk ka të dhëna zyrtare por shoqatat ekonomike pohojnë se dhjetëra mijëra biznese kanë falimentuar ndërsa rreth 50 mijë veta mund të kenë humbur vendet e punës. Shkalla e lartë e papunësisë rrjedhimisht ka shkaktuar edhe rritje të shkallës së varfërisë në vend ku 18 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa mbi 5 për qind e saj në varfëri të skajshme, që i bie me më pak se dy dollarë në ditë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat